Kreu i PS, Edi Rama u shpreh nga qarku i Beratit se kontrata e lobimit që po bëhet për të hequr njollën e non gratës së Sali Berishës, mund t’i shërbente realizimit të programit të opozitës. Për të, partitë e reja i përngjajnë ish LSI-së, e njohur për pazaret politike me dy forcat e mëdha politike.
“6 mln dollarë nga këneta për të pastruar tatuazhin në ballë të non gratës dalin, por paratë e tjera për popullin nuk dalin. Të tjerët që medemek janë të rinj, thonë se po qe se na vjen ne në dorë kjo punë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne na duhet të mbyllim negociatat në 2027 dhe të futemi në BE”, tha Rama.
Kreu i PS Edi Rama iu bëri thirrje qytetarëve të Dimalit që të fokusohen në anëtarësimin në BE pasi, sipas tij, alternativat e tjera të çojnë drejt humnerës. Rama po fliste për borxhin publik, që në 2030 synojnë ta ulin nën 50%, kur tha se qytetarët duhet të veprojnë si në vitin 2013, kur i dhanë besimin PS-së dhe shpëtuan vendin nga një humnerë tjetër si ajo e vitit 1997.
Kryesocialisti tha se në total gjatë viteve të qeverisjes janë bërë gjysmë miliardë euro investime. Sipas Ramës, ato që ka bërë PS në këto vite, s’do të mund ta bëjë asnjë parti tjetër politike. Rama shtoi gjithashtu se ka ende shumë punë për të bërë dhe prandaj duhet të marrë mandatin e katërt.
Sipas Ramës, partitë e reja që kanë dalë duke thënë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme nuk kanë as program dhe as përmbajtje.
“Ne duam të hyjmë në BE, ata thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kishim një ndjesë pastë LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyjë në fyt për shqiptarët dhe në vend që ta kujtojmë për 1 maj meqenëse është dita e punëtorëve, dhe të themi shyqyr shpëtuam nga pengmarrësit e vegjël, dalin të tjerët dhe thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Ça të rinjsh? Të rinj në moshë e fytyrë, por në program, përmbajtje në kuptim të politikës, gjeopolitike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, s’ka lidhje fare që kur thonë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Duhet të fokusohemi te 11 maji dhe anëtarësimi në BE”, u shpreh Rama.