Janë zbuluar foto të autorit të dyshuar të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 27 Prillit në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.
Autori është filmuar nga një kamer sigurie pranë zonës ku ndodhi krimi, teksa shfaqet i veshur me të zeza, me kapele në kokë, teksa fytyrën e ka mbuluar me një maskë kirurgjikale. Këto detaje kanë bërë që grupi hetimor të dyshojë se personi i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, është vrasësi i Renato Hoxhajt.
Po hetohen pista e pronës ku Renato Hoxhaj kishte banesën, të cilën ia kishin kërkuar për të ndërtuar pallat dhe ai nuk kishte pranuar, por po hetohet edhe opsioni i dytë për larje hesapesh apo përplasjes mes bandave.
Viktima punonte si roje, teksa sipas bashkëjetueses së tij, prej rreth 1 viti e gjysmë, ai nuk qëndronte më në punë natën, por vetëm ditën. 58-vjeçari u ekzekutua pranë banesës së tij, teksa po kthehej në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Nga të dhënat paraprake është zbuluar se mbi Renato Hoxhajn autori qëlloi katër herë me armë zjarri pistoletë, ku 58-vjeçari mori dy plumba në trup dhe dy në kokë. Nga hetimet paraprake dyshohet se autori ka hyrë nga një rrugicë pas pallatit ku 58-vjeçari punonte, duke i dalë këtij të fundit përballë dhe më pas është larguar përsëri në rrugica.
Në vendin ku ka ndodhur vrasja nuk ka patur kamera sigurie, teksa nuk përjashtohet mundësia që personi që ka kryer krimin të jetë ndihmuar me informacione të bollshme rreth lëvizjeve dhe vendndodhjes së 58-vjeçarit.
Renato Hoxhaj jetonte i vetëm në shtëpi, teksa prej dy vitesh bashkëjetonte me një grua të komunitetit rom. Ai ishte babai i dy fëmijëve të rritur. Gruaja e tij e parë jetonte në Itali dhe shpesh fëmijët vinin për ta takuar.
