Pas shumë kohësh qetësi, një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm lagjen ‘Hajro Çakërri’ në qytetin e Vlorës, ku rreth orës 06:00 është gjetur i pajetë 58-vjeçari, i identifikuar si Renato Hoxhaj.
Policia pas kqyrjes së vendit të ngjarjes ka konstatuar se Hoxhaj është vrarë me armë zjarri. Krimi i rëndë ka ndodhur pranë banesës së tij, ndërsa mësohet se viktima punonte si roje në një objekt ndërtimi në afërsi.
Paraprakisht janë ngritur dy pista hetimi, e para çështjet e pronësisë dhe e dyta konflikt nga puna si roje.
Dyshohet se viktima ka dy plumba në kokë dhe një në trup dhe se është goditur me armë zjarri nga shumë pranë, ndërsa një familjare e viktimës ka shpërthyer në lot në vendin e ngjarjes.
“E vranë! E vranë! Ku ishe Ceno?”, thotë e afërmja.
E tronditur ajo ka mbërritur në vendin ku u vra 58 vjeçari i cili punonte si roje në një pallat në ndërtim e sipër që po bëhej pranë banesës së tij.
Nga biseda duket që Renato Hoxhaj mund të mos ishte i vetmi person që ruante godinën në ndërtim e sipër, që mund të ruhej dhe nga persona të tjerë
“Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi R. H., 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.