18.6 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Incidenti i parë në këtë fushatë elektorale, Xhelal Mziu bashkë me nipin godasin një zyrtar lokal, çështjen do ta hetojë SPAK

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu është përfshirë në një ngjarje banale, ku bashkë me nipin e tij mësohet se kanë qëlluar një zyrtar lokal Kalosh Murra, duke shënuar kështu incidentin e parë, sa i përket përleshjeve zgjedhore.

Policia e Dibrës ka referuar në SPAK materialet në ngarkim të deputetit të PD Xhelal Mziu dhe nipit të tij 36-vjeçar, E. M., pasi akuzohen se kanë goditur me grushte një qytetar pas një takimi elektoral në fshatin Ostren.

Sipas hetimeve, dyshohet se rreth orës 13:00 të datës 24 prill 2025, Xhelal Mziu dhe nipi i tij kanë goditur me grushte shtetasin 33 vjeçarin Kalosh Murra, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren, pas përfundimit të një aktiviteti elektoral të Partisë Demokratike.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren” thuhet në noftimin e policisë.

Burime mediatike bëjnë me dije se Murra është punonjës i bashkisë në sektorin e ndarjes së ndihmës sociale. Të njëjtat burime pohojnë se disa persona i kanë thënë Mziut se nuk mund të dilnin në miting pasi kishin frikë se mos i hiqnin përkrahjen sociale. Më pas, në përfundim të mitingut ka ndodhur edhe incidenti.

Pas kësaj ngjarje Report Tv kontaktoi me Murrën i cili tha se e goditën në vendin e punës pa arsye. Murra theksoi gjithashtu se nuk është i angazhuar në fushatë. Kalosh Murra, përgjegjës i ndihmës ekonomike në Ostren tha se: “Kam qenë para punës time (njësisë administrative). Xhelal Mziu bashkë me të tjerë dolën nga lokali, kaluan para zyrave dhe më pas u kthyen mbrapsht. Më kapi direkt për fyti, ndërsa nipi i tij më godoti me grushte. Më gjakosi! Më kanë çuar në spital dhe më kanë qepur në fytyrë. Pas mjekimit kam dalë nga spitali dhe ndodhen në shtëpi me raporte. Shkakun nuk e di, unë isha në punën time. Mund të jetë për fushatë por unë s’jam i sigurt se nuk e njoh personalisht Xhelal Mziu dhe s’kam patur kurrë lidhje me të. Edhe vetë jam i çuditur se pse më qëlluan. Ndoshta e kanë fryrë (shtyrë) persona të tjerë që ishin në takim elektoral me të. Kam bërë kallëzim në polici dhe janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së institucionit. Pres të zbardhet ngjarja e plotë nga policia dhe prokuroria”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat