Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Gjykatës Administrative për interpretim të kushtetutshmërisë së nenit 6, pika 5, të ligjit që formon një të ashtuquajtur “Komision i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të t’u bërë anëtarë të SPAK dhe GJKKO”.
Vendimi u shpall nga Gjykata Kushtetuese, por ende nuk janë zbardhur argumentet mbi bazën e të cilave u rrëzua kërkesa.
Çështja mbërriti në Kushtetuese nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, e cila pranoi kërkesën e gjyqtarit Gerd Hoxha, që ky nen të mbërrinte menjëherë në gjykatën më të lartë në vend. Gerd Hoxha, aktualisht nënkryetar i Gjykatës së Tiranës, kishte aplikuar në KLGJ për t’u ngritur në detyrë si gjyqtar i posaçëm, pasi kishte kaluar me sukses 2 shkallët e vettingut.
Por, ky komision, i parashikuar nga ligji për funksionimin e GJKKO dhe SPAK, e ka skualifikuar në garë për shkak se sipas tyre nuk plotësonte kriteret, që lidheshin me pasurinë dhe integritetin. Hoxha
Argumenti i përdorur nga Komisioni për përjashtimin ishte një takim i gjyqtarit Hoxha me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, më 20 qershor 2024 në një aktivitet publik të ambasadës britanike, me qindra të ftuar për ditëlindjen e Mbretit Charles III. Ky takim u konsiderua si kontakt i papërshtatshëm.
Pra një komision me 5 anëtarë, 4 që vijnë nga Prokuroria e Posaçme dhe vetëm një gjyqtar mund të skualifikojë nga gara pas një verifikimi që nuk certifikohet në asnjë gjykatë, jo vetëm kandidatët për t’u bërë prokurorë të posaçëm por edhe gjyqtarët e GJKKO, tek të cilët do të çojnë më pas dosjet. Ligji e thotë qartë që kandidatët duhet të kalojnë këtë filtër të kësaj ‘super strukture’ të SPAK që më pas të merren në shqyrtim nga KLGJ apo KLP sipas rastit.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tashmë pritet të shihet ecuria e proceseve në gjykatat administrative të gjyqtarit Gerd Hoxha dhe prokurorit Ndini Tavani, të cilat, me shumë gjasa do të përfundojnë me rikthimin e çështjeve pranë KLGJ-së dhe KLP-së.
Megjithatë, në çdo rast, si KLGJ-ja dhe KLP-ja, kur të rimarrin çështjet e tyre, mund të kryejnë thjesht një “formalitet”, t’i shqyrtojnë dhe në fund të vendosin sipas vullnetit të Komisionit të SPAK-ut, me një “përulësi” që e kanë treguar shpesh edhe më parë.