Për herë të parë në GJKKO, ka dëshmuar Dritan Rexhepi lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e shënuar në janar 2020.
Ndërkaq, nisur nga deklaratat e forta dhe emrat e përmendur nga Rexhepi, prokurorja Elida Kaçkini kërkoi që seanca të vijojë me dyer të mbyllura, duke kërkuar në këtë mënyrë largimin e gazetarëve nga salla e gjyqit.
Por kjo kërkesë u kundërshtua me forcë avokatja e Dritan Rexhepit.
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do më bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj qe vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Docaj (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor” mësohet të ketë thënë Rexhepi.
Referuar burimeve mediatike, Rexhepi ka thënë gjithashtu se: “me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës. E mora vesh nga mediat në Shqipëri. Kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzohesha për diçka që kishte ndodhur në Shqipëri. Nga familjarët mora vesh që akuzohesha për një rrëmbim të një personi që ishte zhdukur. Tentova të merrja informacion në prokurori përmes një familjari tim, nuk mora dot. Ndërmjet këtij familjari u mundova dhe më thanë që ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Ju keni hipur në trenin e gabuar dhe kërkoni të shkoni atje ku doni ju”.
Më tej në deklaratën e tij përpara togave të zeza, Rexhapi shprehet se: “Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Doni ta bëni përballje mes meje dhe tij, nuk kam kundërshtime. Apo ta bëjmë me foto? E bëjmë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi çfarë bëj unë, jo c thonë ta tjerët. Nuk keni bërë asnjë lloj procedure. Pse nuk keni bërë? Nuk kam të drejta unë në këtë shtet? Më thanë për Jani Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar te prokuroria dhe unë fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara. Ndërkohë që kunati im shkoi te Prokuroria e Tiranës për këtë çështje, takoj një gazetar dhe i tha dy gjëra. O zoti gazetar i thashë nuk jam unë personi që po flitet. Fola me Artan Hoxhën. I dhashë disa foto dhe ai i publikoi. Gazetarët po më bënin copa në media. Problemi ishte i hasmërisë, sepse po akuzohesha se kisha marrë një person peng. I thashë Tan Hoxhës, o zotëri merri këto pamjet dhe publikoi, sepse nuk jam unë. Merri fotot te shtëpia i thashë, që familjarët të kuptojnë që nuk jam unë. Unë nuk jam Gramozi nga Vlora që flitet aty.
“Gramoz nga Vlora ka 500 vetë. Pa bërë asnjë lloj hetimi akuzohem unë. Unë kisha një emër, Dritan. Emrin Gramoz e kam pasur në fëmijëri, deri në moshën 25 vjeç. Vetëm familjarët më thërrisnin Gramoz. Nuk jam i martuar, kam fëmijë me një ekuadoriane. Kam dy fëmijë 5 dhe 3 vjeç. Me Artan Hoxhën nuk jam takuar asnjëherë nga afër. Familjari im e takoi rastësisht dhe pinë një kafe. Nuk kam pasur kontakte të tjera me asnjë lloj gazetari. Për Ndrek Prenga nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Vetëm në gazeta kam lexuar. As për Astrit Prengën, në asnjë rrethanë. Me Gentjan Doçaj nuk kam njohje. Artan Doçaj nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Aldo Majnishta jo. Geraldo Martini jo. Asnjë shtetas i njohur si “Doda” nuk njoh. Telefon në burg nuk kam pasur, nuk punonin për shkak të antenave” p♪7rfundoi Rexhepi para togave të zeza.