18.6 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Ngacmoi seksualisht 2 nxënëse të klasës së 9, arrestohet në aeroportin e Rinasit mësuesi i shkollës Rrajcë-Skënderbej në Prrenjas

Fatmir Hoxha me detyrë mësues është ndaluar në aeroportin e Rinasit me urdhër-arresti nga Policia e Librazhdit, pasi akuzohet për përndjekje dhe ngacmim seksual ndaj dy nxënëseve të mitura. Mësuesi Fatmir Hoxha, 55 vjeç, jepte mësim në shkollën 9-vjeçare të fshatit Rrajcë-Skënderbej të Bashkisë së Prrenjasit.

Burime nga organet ligjzbatuese konfirmuan se ndaj mësuesit kishte kallëzime në Polici nga dy familja të dy nxënëseve 13 dhe 14 vjeçe, të cilat pretendojnë se ai i përndiqte në mënyrë të përsëritur dhe i ngacmonte seksualisht.

Komuniteti i fshatit i kishte kërkuar menjëherë largimin nga puna dhe pas denoncimeve, mësuesi është larguar nga fshati dhe është kapur në aeroport në tentativë për t’u arratisur me avion nga Shqipëria.

Burime bëjnë me dije se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja është përsëritur në disa raste gjatë muajve të fundit ç’ka ka shkaktuar shqetësim dhe frikë tek të miturat dhe familjet e tyre.

Gjithashtu, policia ka sekuestruar prova të cilat dyshohet se mbështesin pretendimet e kallëzuesve. Policia e Librazhdit vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të mbledhur të gjitha provat ligjore të nevojshme, ndërkohë që ndaj të ndaluarit do të merren masat përkatëse në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit.

Ndaj shtetasit Fatmir Hoxha rëndon akuza për përndjekje dhe ngacmim seksual ndaj një të miture, vepra këto të dënueshme sipas legjislacionit penal shqiptar.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat