21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Kanë nisur manovrat procedurale, shtyhet sërish seanca paraprake për dosjen “Partizani” (A po pritet mbarimi i zgjedhjeve të 11 majit?)

Edhe sot seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme, pati fatin e seancës së kaluar për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Referuar burimeve pranë palëve të interesuara në këtë proces, shkak për shtyrje në seancën e sotme është bërë mungesa e avokatit të biznesmenit Fatmir Bektashi, pasi ishte në gjyq tjetër dhe gjyqtarja Flojera Davidhi nuk ka marrë asnjë vendim.

GJKKO do të marrë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e SPAK dhe çështja do të dërgohet për gjykim, apo mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen. Seanca e radhës është caktuar për t’u mbajtur ditën e premte, 18 prill në orën 09:30.

Seancat paraprake për dosjen “Partizani” po vazhdojnë prej më shumë se 5 muajsh. Të akuzuarit për këtë dosje, mes të cilëve është dhe Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi kërkojnë pushimin e çështjes për mungesë fakti.

Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat