Kryeministri Edi Rama duke folur në takimin me shqiptarët në Milano, u ka bërë thirrje emigrantëve të votojnë PS pasi vetëm kjo parti do të garantojë drejtësinë e re dhe të pavarur duke u integruar në Bashkimin Evropian.
Kryeminstri Rama ka ironizuar partitë e reja duke thënë se japin premtime boshe. Rama tha se ato nuk do sjellin asgjë të re përveç fytyrës dhe moshës së kryetarëve.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve se kur t’iu vijë fleta për të dhënë votën mos ta çojnë dëm mundin që do të harxhojnë duke marrë dhe nisur fletën me postë, por të dijnë ku ta japin votën duke shtuar se është turp që t’ua japin ‘kënetës’.
“Janë dhe ca të tjerë që vijnë vërdallë, ne jemi dhe forcë e re, jo bëhet jo s’behët, jo mundet jo s’mundet, jo bashkë jo veç. Dëgjoni, ato të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e kryetarëve, asgjë të re, kanë mbushur listat me farefis, vjehrrin, vjehrrën, baxhanakët, e ju premtojnë qiqra në hell. Të çosh votën dhe për ata, është ta çosh dëm. Ne na duhet të bëhemi një, të bëhemi tamam si gishtat e kësaj dore, dhe ta vendosim vetëm fatin evropian të Shqipërisë. Pas 11 majit, me 16 maj, e gjithë Evropa, do të zbresë në sheshin Skënderbej, të gjithë udhëheqësit e kontinentit,” tha Rama.

Berisha i shqëqëruar nga LaCivita, e konsideroi Ramën si personifikim i bandave
Në takimin me emigrantët shqiptarë në Breshia, kreu i PD Sali Berisha tha se këto 3 vjet PD ka kaluar momente të vështira e megjithatë ja doli.
Duke e krahasuar PD me diasporën në realizimin e sfidave dhe sakrificave, Berisha tha se sikurse shqiptarët në Itali dhe opozita kaloi cdo pengesë që ia vuri qeveria për ta lënë vendin pa të.
Në mbyllje të fjalimit me shqiptarët e Breshias, kreu i PD, Sali Berisha tha se pasaporta evropiane që premton kryeministri Rama është mashtrim. Sipas tij, kjo pasaportë ka fytyrën e krerëve të bandave dhe mbështetësve të tij që sot janë pas hekurave si kryebashkiaku Erion Veliaj, Lefter Koka etj.
“U tundi dje dhe sot shqiptarëve pasaportën evropiane. Pasaporta evropiane e Edi Ramës, ka fytyrën e tij, fytyrën e Taulant Ballës, Veliajt, Kokës, Ballës, Çyrbes, Safet Bajrit, Suel Çelës. Ka fytyrën e bandave. Pasaporta e tij është mashtrimi i fundit që s’ka shqiptarë që e beson. Mos harroni kurrë se sot në 10 vite, 1 milionë shqiptarë morën pasaporta duke u larguar nga Shqipëria. T’i japim përgjigjen që e meriton më 11 maj” tha Berisha.