21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Berisha shpalos programin: Është aq i mirë, saqë edhe PS po e kopjon! Mban fjalim edhe LaCivita: PD ka plan konservator

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, para Kuvendit Kombëtar të PD ka folur për arsyet që e çuan të rikthehej në politikë dhe të merrte përgjegjësinë për mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se vendimi i tij për t’u rikthyer në politikë nuk ishte as për pushtet, as për luks, duke sqaruar se as në rininë e tij nuk ka qenë i interesuar për këto.

Berisha ka theksuar se, pas një karriere të përmbushur, ai vendosi që të punojë për një trashëgimi të re për PD dhe konservatorët shqiptarë. Më tej, Berisha tha se Rama ka vjedhur programin e PD. Ndësa shprehu dëshirën që Berisha i tretë të kalonte disa herë të parin dhe të dytin, duke krijuar kështu një bazë të re dhe të fortë për të ardhmen e partisë dhe të gjithë forcave konservatore në vend.

“Ne jemi mbledhur këtu për të prezantuar një projekt që në 34 vite, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë. Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë. Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur. Por miqtë e mi, kopja mbetet kopje e shëmtuar.
Asnjë nuk gënjehet. E mbani mend, Nokia tre dekada më parë ishte në zenitin e teknologjisë, por Apple nxori iPhonen e parë, shumë herë më lart se Nokia. Nokia tentoi të kopjojë iPhonen, dështoi. Apple nuk ia përmendi kurrë kopjen Nokias, por vazhdoi të përmirësojë iPhonen e saj. Sepse kopja mbetet kopje, nuk rritet, nuk shitet, nuk pranohet” tha Berisha.

Në prezantimin e programit të PD-së, Chris LaCivita, strateg i fushatës mbajti fjalën e tij ku  theksoi dështimin e 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një dështim të plotë për familjet shqiptare. Ai e vlerësoi Berishën si një mik të vërtetë për shqiptarët, duke theksuar se ai ka një program të qartë për të ulur koston e jetesës dhe për të krijuar mundësi për rininë shqiptare. LaCivita e paraqiti Berishën si liderin me një plan konservator dhe të qëndrueshëm, në kontrast me një socialist të paqëndrueshëm. Ai theksoi se fushata e PD-së është një betejë për udhëheqjen e Dr. Berishës, duke e cilësuar fitore për shqiptarët. Në përfundim, LaCivita shprehu besimin se një fitore për Dr. Berishën do të ishte një fitore për familjet shqiptare.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat