21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Shtohen “hallet” për biznesmenin Allajbeu, pas dosjes që po heton SPAK, edhe Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim paraprak Spitalin Amerikan

Autoriteti i Konkurencës ka vendosur nën hetim paraprak Spitalin Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu. Përmes një njoftimi zyrtar nën hetim është vënë edhe International Hospital SHA. Autoriteti i Konkurrencës ka marrë këtë vendim me argumentin se këto ndërmarrje janë konstatuar se kanë pozita dominuese.

Po ashtu, Konkurrenca thekson se me disa shërbime të caktuara është konstatuar abuzim me pozitën dominuese, duke vendosur çmime të padrejta të blerjes apo shitjes. Gjithashtu, Autoriteti gjykon se nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 09.04.2025, mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës realizoi procedurën e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA), në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003″ thuhet në njoftim.

Më tej Autoriteti shpjegon se “Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat