21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Nuk ndalen protestat! Qindra mijëra njerëz marshojnë në Stamboll, Erdoganit po i del situata ekonomike jashtë kontrollit

Qindra mijëra turq protestuan në Stamboll të shtunën kundër burgosjes së kryetarit të qytetit, Ekrem Imamoglu, i cili është rivali kryesor i presidentit të vendit, Recep Tayyip Erdogan.

Demonstruesit i vazhduan protestat të shtunën, të cilat janë shndërruar në demonstratat më të mëdha në Turqi pas më shumë se një dekade. Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.

“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit”, thuhet në letrën e Imamoglut.

Qindra mijëra turq në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjeve të opozitës për protesta, pasi Imamoglu u arrestua javën e kaluar dhe më pas u burgos në pritje të gjyqit nën akuza për korrupsion. Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar.

Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura. Të shtunën, qindra mijëra protestues me flamuj turq dhe pankarta u mblodhën në një tubim në Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, për protestën “Liri për Imamoglu”, të organizuar nga CHP-ja.

Policia vendosi masa të rrepta sigurie rreth vendit ku po grumbulloheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, populli do të flasë”, shkruhej në një pankartë të mbajtur nga turma.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha këtë javë se pothuajse 1.900 njerëz janë ndaluar që nga fillimi i protestave, ndërsa gjykatat kanë urdhëruar burgosjen e 260 prej tyre në pritje të gjyqit. Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat “shfaqje”, ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe ka bërë thirrje që CHP-ja të ndalet “së provokuari” qytetarët.

Që nga arrestimi i Imamoglut, tregjet financiare turke kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke detyruar Bankën Qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Kjo krizë ka shkaktuar shqetësime edhe në sektorin privat.

Ekonomia turke në pikiatë

Pavarësisht sjelljes së tij sfiduese, protestat që shpërthyen pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu e kanë prekur presidentin Rexhep Tajip Erdogan tek pika e tij nevralgjike: Ekonomia.

Tregjet e aksioneve dhe monedha turke kanë shënuar rënie, e tani shtrohet pyetja nëse trazirat do të cenojnë edhe njërën prej industrive më të rëndësishme të vendit, turizmin.

Lajmi i burgosjes së Imamoglu, shkaktoi humbje të mëdha në tregjet turke të kapitalit. Besimi i shumë investitorëve në vend me sa duket u trondit, çka rezultoi në javën më të dobët në tregun e aksioneve që nga kriza globale financiare e vitit 2008: indeksi i aksioneve ISE 100 humbi përkohësisht më shumë se 16 për qind të vlerës së tij.

Vëzhguesit janë të mendimit se ky zhvillim mund të bëhet një problem i madh për Erdoganin. Vitet e fundit investitorët turq kishin investuar në bursë për të mbrojtur pasuritë e tyre nga inflacioni i lartë, i cili në mars ishte rreth 39 për qind.

Ekspertët thonë se pasiguria e krijuar mund të reflektojë ndjeshëm tek turizmi. Dirk Schmücker, drejtor shkencor në institutin NIT (Neë Insights for Tourism) në Kiel, beson se pasojat mund të shihen edhe në plazhet e Mesdheut.

Megjithatë “se deri në cilin nivel është e paqartë dhe nuk duhet mbivlerësuar”, theksoi ai.

Rreth një çerek shekulli më parë, ishte vetë Erdogani asokohe kryebashkiak i njohur i Stambollit i cili u rrëzua nga detyra dhe u burgos për akuza që mbështetësit e tij i kundërshtuan si të nxitura politikisht, para se të kthehej më vonë për t’u bërë udhëheqësi që ka shërbyer më së gjati në historinë moderne të vendit të tij.

Megjithatë, tani duket se po përballet me një krizë politike që mund të jetë më e rënda gjatë sundimit të tij që ka zgjatur më shumë se dy dekada.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat