Policia e Tiranës njoftoi sot se këtë javë (përgjatë shtatë ditëve) ka arrestuar 14 persona dhe proceduar 20 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Nga pamjet e ofruar nga policia në vëmendje kanë qenë edhe kamionët ku kanë rezultuar se lëviznin jashtë fashës orare të lejuar apo dhe pa dokumentacionin e rregullt ligjor.
Në njoftimin për mediat, policia thotë se 8 prej të arrestuarve drejtonin automjetin në gjendje të dehur, 3 drejtonin pa patentë, ndërsa 6 të tjerë janë arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, gjatë kësaj jave u proceduan në gjendje të lirë 11 shtetas, 6 të mitur që drejtonin pa patentë si dhe një shtetas i proceduar në gjendje të lirë për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Më konkretisht, janë vënë 12 852 masa administrative, për shkelje të ndryshme rrugore, janë tërhequr karrotrec 20 automjete që kishin zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, si dhe janë bllokuar 17 automjete për shkelje të ndryshme rrugore.
Më tej, policia thekson se janë ushtruar kontrolluar ndaj 64 kamionëve dhe autobetoniereve, ku është marrë masë administrative për shkelje të ndryshme rrugore për 5 drejtues kamionësh dhe 3 drejtues autobetonieresh.
Në fund të njoftimit Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe të mos parkojnë në hapësirat e dedikuara për mjetet e transportit publik apo ku bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera.