Disa ditë pasi ndaj fasadës së kompanisë farmaceutike ‘CFO Pharma’ të Nadir Çaushollit, u qëllua me breshëri kallashnikovi, Policia e Tiranës ka mundur të rindërtojë të gjithë mekanizmin e sulmit me armë.
Nga mënyra e sulmit dhe metoda e ndjekur, grupi hetimor dyshon se sulmi të jetë një mesazh palarajmërues. Ky konkluzion del edhe për faktin se plumbat janë gjuajtur në pjesën e sipërme të fasadës.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve për rreth godinës ‘CFO Pharma’ burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pasi qëlluan me breshëri kallashnikovi me më shumë se 30 plumba mbi godinën e xhamte, autorët e dyshuar të ngjarjes janë larguar në drejtim të Vorës.
Të njëjtat burime, thanë se është ndjekur trajektorja e lëvizjes së makinës së autorëve të dyshuar, por ende nuk është identifikuar se në pronësi të kujt është, pasi dyshohet se është i vjedhur jashtë vendit dhe targat janë po ashtu rezultojnë fallso.
Gjurmët e fundit të automjetit me të cilin udhëtonin autorët e sulmit janë në zonën mes fushë Krujës dhe Fushë Kuqes. Në atë zonë nuk janë siguruar më kamera për të identifikuar bazën ku automjeti mendohet të jetë shkatërruar, pasi pas sulmit nuk pati njoftime për djegie makine.
Nisur nga këto rrethana policia ka ushtruar kontroll në disa magazina dhe banesa, por pa rezultat. Lidhur me motivin, prokuroria po heton në disa pista, sikurse është konkurrenca, por edhe përfshirja e Nadir Caushollit në dhënie fajdesh.
Pronari i CFO Pharmës, ka pasur dyshime të jetë përfshirë në aktivitete të paligjshme, për këtë ka patur një hetim proaktiv nga organet ligjzbatuese. Gjatë marrjes në pyetje Causholli ka dhënë si version se sulmi vjen nga konkurrenca.