Në 11 maj, qytetarët e Beratit, Matit dhe Tepelenës, pritet që të votojnë jo vetëm për deputetët në listat e mbyllura dhe të hapura, por edhe për të zgjedhurin e tyre në pushtetin vendorë.
Burime për voicenews.al, bënë me dije se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e ka ndarë mendjen që të dekretojë datën 11 maj, për zgjedhjet e Kryetarëve të rinj të bashkive Berat, Mat dhe Tepelenë. Ligji zgjedhor përcakton afate të ngutshme kohore për zhvillimin e zgjedhjeve në rastet kur vendi i një Kryetari Bashkie mbetet vakant.
Sipas Kodit Zgjedhor, 48 orë nga momenti i njoftimit nga qeveria për vakancat në pushtetin vendor, Presidenti i Republikës duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, jo më larg se 45 ditë. Duket se Presidenti Begaj ka vendosur dhe pritet vetëm hedhja zyrtarisht e firmës mbi dekret që zgjedhjet e pjesshme në 3 bashki të vendit, të zhvillohen në një kohë që partitë politike do të jenë angazhuar në fushatën elektorale për garën e parlamentareve të vitit 2025.
Të gjitha gjasat janë që më 11 maj, kur vendi zgjedh parlamentin e ri, në Mat, Tepelenë dhe Berat, qytetarët të votojnë edhe për kryetarin e ri të bashkisë.
Voicenews.al, nuk mundi të konfirmojë me më shumë se një burim se: “Presidenti Begaj, e ka shtyrë caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në tre Bashki, për të pritur se çfarë do të ndodhë me Bashkinë më të madhe në vend atë të Tiranës”.
Por sipas Kodit Zgjedhor dhe logjikisht dhe juridikisht, Presidenti Begaj e ka të pamundur që të dekretojë datë zgjedhjes për Bashkinë Tiranë pasi ligji është i qartë se: Kryetarit të Bashkisë i mbaron mandati përpara afatit ndër të tjera kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë. Kjo periudhë i tejkalon afatet ligjore, prandaj Presidenti Begaj ka vendosur mos të presë se çfarë do ndodhë me betejën ligjore të Kryebashkiakut të Tiranës, por të dekretoj datën 11 maj si datën kur së bashku me zgjedhjet parlamentare të zhvillohen edhe zgjedhjet e pjesshme në Bashkitë Berat, Mat dhe Tepelenë.