21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

E plotë/Detaje nga tragjedia me mbi 50 viktima dhe mbi 120 të lënduar në klubin Pulse në Koçan të Maqedonisë së Veriut

Momentet e tmerrit në klubin Pulse në Koçan të Maqedonisë së Veriut janë publikuar në mediat vendase.

Në pamje duket grupi që po performon dhe më pas shpërthejnë mjetet piroteknike.

“Dilni jashtë! “Dilni jashtë, do të kthehemi ”, thotë pjesëtari i grupit DNK Panço para të pranishmëve pasi u shfaqën flakët e para nga zjarri i mbrëmshëm në klub.

Detaje nga zjarri në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mbi 120 të plagosur

Sipas informacioneve të deritanishme, zjarri ka rënë rreth orës 03:00 për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike në koncertin ku morën pjesë rreth 1500 persona. Të lënduarit janë dërguar në spitalet e Koçanit dhe Shtipit.

Deri më tani në Klinikën për sëmundje kirurgjikale “Naum Ohridski” në Shkup janë dërguar 27 persona të lënduar.

Mbi 120 të rinj janë lënduar, sipas informacioneve fillestare nga ekipet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës për Menaxhimin e Krizave.

Të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike e Koçanit, janë në terren.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski tashmë ndodhet në vendin e aksidentit dhe priten informacionet e para për tragjedinë.

Arrestohen organizatorët e festës, po performonte grupi i njohur maqedonas

Institucionet zyrtare kanë konfirmuar se 51 persona kanë humbur jetën nga zjarri katastrofik që mbrëmë përfshiu diskotekën Pulse në Koçan.

Policia ka ndaluar disa persona të lidhur me organizimin e festës, ndërsa hetimet vijojnë për përcaktimin e përgjegjësisë.

Reagon Kryeministri i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka reaguar në rrjetet sociale për zjarrin e tmerrshëm në Koçan, i cili vrau dhe plagosi një numër të madh të rinjsh.

Mickovski shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet për familjet e të ndjerëve, duke bërë thirrje për unitet dhe mobilizim të institucioneve për përballimin e plotë të pasojave.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë. Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme dhe dhimbja e familjeve, të dashurve dhe miqve të tyre është e pamatshme” tha ai.

Mickoski theksoi se Qeveria dhe institucionet do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar familjet e prekura.

“Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe familjeve të të ndjerëve forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”. “Populli dhe Qeveria do të bëjnë të pamundurën që të paktën t’ua lehtësojnë sadopak dhimbjen”.

Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë shërbimet shëndetësore, policinë dhe autoritetet lokale, që të marrin masa urgjente në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre.

“Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie”. “Pas marrjes së të gjitha informacioneve, do t’i drejtohem publikut me më shumë detaje për hapat e ndërmarrë”.

Në fund të njoftimit, ai dërgoi një mesazh bashkimi dhe solidariteti:

“Në këto kohë dhimbjeje të thella, kur zemrat tona janë thyer nga kjo tragjedi e tmerrshme, bëj thirrje për unitet, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi. Zoti qoftë me familjet e viktimave, të lënduarve dhe me gjithë popullin e Maqedonisë”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat