Në orën 24:00, bie gongu për të mbyllur afatin për dorëzimin e listave me emrat për kandidatë për deputetë. Sipas njoftimeve në media Rama në 19:00 do mbledhi Kryesinë, ndërsa PD në të njëjtën orë Këshillin Kombëtar. Rama mund të mos kandidojë për deputet, Berisha pritet në listën e mbyllur të Tiranës, Meta sikurse ka deklaruar në listë të hapur.
Si në kampin demokrat, ashtu edhe tek ai socialist ende nuk ka një listë përfundimtare, por për emrat verdikti jepet këtë pasdite ku partitë kanë thirrur në takime strukturat.
Bëhet e ditur se shumica e grupit parlamentar të PS pritet të jetë në listën e hapur, pasi kryeministri Rama deklaroi se ata që kanë fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS do jenë listën e hapur, përveç drejtuesve politikë të qarqeve. Ndërkohë, surprizë mbetet vendimi i Kryeministrit Rama, i cili për herë të parë tha se mund të mos kandidojë fare si deputet.
Në ndryshim nga socialistët, Kreu i PD, pritet që më listën e mbyllur të fusë emra besnikë të tij. 8 vende të sigurta ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Sipas marrëveshjes 4 prej tyre i merr Partia e Lirisë, ndërsa nga 1 ndahet për Mediun, Dulen, Idrizin dhe Dukën.
Në këto zgjedhje, përveç koalicionit të Berishës me aleatët, kemi edhe bashkimin mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, si edhe Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit. 5 parti kryesore garojnë më vete, mes tyre edhe Lëvizja e Arlind Qorit. Ndërsa 17 parti të thera ‘fantazmë’ janë regjistruar por pritet të shihet nëse të gjitha do të depozitojnë emra me kandidatë për deputetë për gjithë Shqipërinë.