Pas rreth 4 orësh seancë, Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimimin e ish-deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi për masën e sigurisë.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga të gjykuarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, kundër vendimit nr.2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm“, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata e Apelit më 26 shtator la në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit, në lidhje me çështjen e quajtur “Babale”, ku është dënuar deputeti Ervin Salianji me 1 vit burg. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi u vendos 100 orë pune në komunitet.
Çështja “Babale” nisi në pranverën e vitit 2018, kur Ervin Salianji publikoi një audio-përgjim, ku sipas tij Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.
Sipas audio-përgjimit, që në fakt ka rezultuar një material i montuar, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, u akuzua se ishte kapur në përgjime me një me një ish-trafikant, Albert Veliun (Babalja).