14.4 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares Arta Llazari, KLGJ vendos për fatin e saj më 2 prill

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi gjatë seancës disiplinore në Këshillin e Lartë Gjyqësor, shkarkimin e gjyqtares së Shkodrës, Arta Llazari për mosvënie në lëvizje të çështjeve civile për vite me radhë, si dhe shkelje të afateve procedurale të arsyetimit të vendimeve gjyqësore në mënyrë të përsëritur. Llazari pretendoi se kishte pasur ngarkesë shumë të lartë dhe paraqiti prova për të mbështtur pretendimet e saj. KLGJ mori kohë deri më datë 2 prill për shpalljen e vendimarrjes, duke vërejtur se materialet e depozituara nga palët janë voluminoze.

ILD e filloi hetimin disiplinor ndaj gjyqtares Llazari bazuar në 11 ankesa për mospërmbushje të rregullt të detyrës, e shkelje të afateve procedurale civile e penale. Sipas ILD-së, gjatë hetimit administrativ janë evidentuar edhe fakte të tjera, konkretisht shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, si dhe mosvënie në lëvizje të çështjeve civile, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike e në mënyrë të vazhdueshme. Kjo situatë sipas ILD është thuajse e barabartë me mungesën e drejtësisë.

Gjatë hetimit ILD ka konstatuar shumë raste kur nga moneti regjistrimit të çështjeve dhe caktimi i tyre gjyqtares Llazari, nuk janë kryer veprime për një periudhë prej rreth mbi 3 vite. Sipas ILD, veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës që ka qenë e përsëritur dhe e vazhdueshme, ku në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.

Nisur dhe nga fakti se gjyqtarja ka eksperiencë prej 24 vitesh, vlerësohet prej ILD-së se ajo ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të. Duke vlerësuar se Llazari gjendet në kushtet e shkeljes shumë të rëndë disiplinore, kërkoi përfundimisht shkarkimin e saj nga detyra.

Gjyqtarja Llazari pretendoi se ka pasur ngarkesë të lartë në punë. Po ashtu, ajo parashtroi se kishte paraqitur para seancës prova të reja duke pretenduar se mbështesin parashtrimet e saj.

Gjyqtarja Arta Llazari u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 13 shkurt 2023, ndërsa dy çështje të gjykuara prej saj u dërguan për verifikime të mëtejshme pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat