Pasi u paraqit në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë të konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë me 27 shkurt, deputetja Monika Kryemadhi foli për mediat ku i tërhoqi edhe njëherë vëmendjen SPAK që të kryejë hetime të thelluara për çështjen e inceneratorit të Tiranës, aferë të cilën ajo deklaron se e denoncoi 4 vite më parë.
Gjithashtu, Kryemadhi foli edhe për dosjen e saj në SPAK, teksa shtoi se pret përfundimin e të gjithë procedurës në këtë strukturë për ta çuar më pas çështjen në gjykatën e Strasburgut.
“Po kështu nëpërmjet kësaj deklaratë t’i rikujtoj SPAK inceneratorin e Tiranës sesi bashkia vazhdon të paguajë 29 euro për ton. Për të vazhduar me sipërfaqen mbi 15 hektarë e uzurpuar nga dherat ku inceneratori ka marrë 60 milionë euro. Nuk ka asnjë reagim nga SPAK duke parë disa viktima që janë marrë pjesë e evazionit fiskal. Pensionistë apo të vdekur që dilnin administratorë. 4 vjet më parë unë kam bërë të qartë inceneratorin e Tiranës. Para ca ditësh mësuat për serat në tokën e inceneratorit të ngritura me para të BE, për të marrë para nga taksapaguesit amerikanë për projekte që nuk ekzistonin.
Kam kërkuar të njihem me fashikujt, nuk më janë dhënë. Kjo situatë do durim. Beteja nuk është me forcë. Do të krijohet një procedurë që më pas do të shkojë në Strasburg. Reforma në drejtësi ka probleme, është transformuar rrugës. Janë etapa që ne do t’i ndjekim”, tha Kryemadhi.

