13.1 C
Tirana
Thursday, May 15, 2025

Djegia e mbeturinave brenda territorit të inceneratorit të Elbasanit/ Prokuroria e këtij qyteti vijon hetimet për të vënë para drejtësisë përgjegjesit

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin dhe është në fazë të avancuar për përgjegjësit e diegjes së mbeturinave brenda territorit të inceneratorit të Elbasanit. Hetimi për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit” ka marrë shkak nga ngjarja e datës 27 korrik 2023, kohë kur inceneratori i Elbasanit, u përfshi nga shtëllunga të mëdha zjarri, duke u djegur mbeturinat.

Prokurori i Elbasanit, Xhelian Seferi, ka kryer një punë voluminoze, duke zgjeruar edhe më tej hetimet, ku në qendër të verifikimeve për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”, janë vendosur Bashkia e Elbasanit dhe shoqëria “ECO Elb”.

Sipas hetimeve kompania merret vetëm me administrimin dhe grumbullimin e mbetjeve në ambientet e hapura të inceneratorit, por nuk jep shërbimin e djegies së mbeturinave, pasi inceneratori i Elbasanit, nuk punon.

Rezulton se me vendimin bashkiak të bashkisë Elbasan në datën 11 Prill 2022 është miratuar kontrata e shërbimit midis shoqërisë aksionere “ECO-ELB” dhe bashkisë Elbasan. Po e njëjta kontratë është përsëritur edhe për vitin 2023 dhe 2024, miratuar me vendimin e datës 31 janar 2023 dhe 23 shkurt 2024.

Impianti i djegies gjatë vitit 2022 ka punuar rreth 24 ditë ndërsa për ditët e tjera të vitit nuk ka qenë në gjendje pune për shkaqe teknike.

Pavarësisht se impianti, nuk ka qenë funksional për më shumë se 11 muaj gjatë vitit 2022, Bashkia Elbasan dhe mbikëqyrësit e kontratës nuk kanë bërë ndërprerjen e saj, duke vazhduar ti paguajnë shoqërisë “Eco-Elb sh.a” shumën financiare prej 550 milion lekë të vjetra për periudhën nga 10 dhjetori 2021 deri 31 dhjetori 2022.

Prokuroria, ka ngritur dyshime se Bashkia Elbasan ka paguar për një shërbim të pa kryer dhe nga ana tjetër shoqëria “Eco-Elb sh.a” ka përfituar këtë shumë për një shërbim të pa kryer.

Ndërkohë nga transaksionet e thesarit Bashkia Elbasan rezulton ti ketë paguar Eco-Elb sh.a vlerën 918 milion lekë të vjetra për periudhën 1 janar 2023 deri në 29 dhjetor 2023.

Po me të njëjtën metodë edhe në vitin 2024 Bashkia Elbasan i paguan “ECO-Elb” sh.a një shërbim të pa kryer, kontratë kjo e cila është në fuqi edhe sot. Sipas transaksionit të thesarit vlera e përfituar nga “ECO-Elb” është 864 milion lekë për periudhën 1 janar 2024 deri 13 shkurt 2025.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat