Kanë përfunduar në orën 18:00 me orën lokale të kësaj të diele (23 shkurt 2025) zgjedhjet parlamentare në Gjermani.
Sipas rezultateve të para Partia kristiandemokrate CDU/CSU ka fituar zgjedhjet parlamentare në Gjermani me 29% të votave. Partia e Angela Merkel dhe Helmut Kohl do të rikthehet në drejtimin e qeverisë, ndërsa kancelari i ri pritet të jetë lideri i saj Merz, një ish-kundërshtar i brendshëm i Merkel.
E djathta ekstreme AfD ka arritur një sukses të madh, duke kaluar nga 10.4% në vitin 2021 në 20.5%, dhe është bërë forca e dytë politike në vend. Një rezultat i shkëlqyer për partinë e Alice Weidel, por numrat e bëjnë të pamundur formimin e një qeverie të djathtë mes CDU dhe AFD, skenar që kishte shkaktuar shqetësime.
SPD, partia e kancelarit në largim, pëson një rënie të ndjeshme, duke zbritur në 16.4%.
Të Gjelbrit mbajnë pozitat me 12%, ndërsa e majta historike Die Linke arrin në 8,6%, një surprizë në këto zgjedhje falë lidershipit të Heidi Reichinnek, e njohur për betejën e saj kundër AfD dhe për tatuazhin e Rosa Luxemburg.
Në rrezik për të mos hyrë në Bundestag janë liberalët e FDP dhe BSW pasi pragu elektoral është 5%, shifër të cilën nga sa duket deri tani, nuk po e kalojnë. Nëse këto parti arrijnë të sigurojnë hyrjen në Parlament, ai do të jetë përbërja më e larmishme ndonjëherë.
Me këto rezultate, nuk është e mundur të formohet një qeveri vetëm me dy parti. CDU do të duhet të bashkëpunojë me socialdemokratët e SPD dhe me një forcë të tretë: ndoshta me Të Gjelbrit, ose – nëse do të arrijnë në Bundestag – me liberalët e FDP.
Po ashtu, sipas televizionit ARD pjesëmarrja e votuesve ka shkuar në 84%, më e larta që nga viti 1990.