21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Radio Europa e Lirë: Si shpërndanë mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë?

“Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”…

Këta janë disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve theksoi në raportin e tij se këto dy medie kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, që nga fillimi i janarit, dhe se disa prej tyre kanë pasur një narrativ manipulimi kundër komunitetit serb.

Raporti nuk veçoi ndonjë tekst me “përmbajtje manipuluese”, por Radio Evropa e Lirë i analizoi disa prej tyre.

Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre – ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.

Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia ka një histori të gjatë të “operacioneve informative për të ndërhyrë në zgjedhje, për të mbështetur një kandidat të caktuar, për të polarizuar shoqërinë ose për të zvogëluar rëndësinë e demokracisë”.

“Në Ballkan, Rusisë i duhet kaos, në mënyrë që ta përdorë atë në negociatat me Perëndimin, në të cilat [presidenti rus, Vladimir] Putin do të pozicionohej si ndërmjetës dhe do t’i thoshte Perëndimit se, nëse nuk dëshiron që të përshkallëzohet kaosi, ai duhet të negociojë me të. Pra, do ta përdorte si mjet pazaresh”, thotë Stradner.

Ajo shton se Moska “nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe avionë” për të destabilizuar rajonin, por se janë të mjaftueshme “operacionet informative dhe sabotimet”.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi Qeverisë së Kosovës komente në lidhje me vlerësimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve se RT Ballkan dhe Sputnik Serbia kanë publikuar dhjetëra tekste me përmbajtje manipuluese kundër komunitetit serb, gjatë fushatës parazgjedhore, dhe e pyeti se çfarë është bërë për të parandaluar ndikimin e këtyre mediave, por nuk mori asnjë përgjigje.

Si bëhet manipulimi?

Shkrimi i titulluar “Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, i publikuar më 28 janar në ueb-faqen Sputnik Serbia, aludon se autoritetet e Kosovës donin “t’i frikësonin” serbët në Kosovë me kokteje molotovi.

Ky narrativ nis që nga fjalia e parë:

“Nuk duhet të çuditemi nëse në Kosovë dhe Metohi vazhdojnë incidentet, me të cilat Prishtina do të tentojë t’i frikësojë serbët dhe Listën Serbe përpara zgjedhjeve të shkurtit, por le të kujtojë se serbët janë popull sfidues”.

Edhe pse ky është një citat që i atribuohet Lluka Jovanoviqit, profesor në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, autori i tekstit nxjerr në plan të parë se si “Prishtina përpiqet t’i frikësojë serbët para zgjedhjeve”, ndërsa në paragrafin pasues mund të lexohet se si persona të panjohur kanë hedhur, në fakt, koktej molotovi në makinën e një aktivisteje të Listës Serbe.

Në tekst më tej thuhet se ka ndodhur një “sulm kundër serbëve” dhe se “një akt i tillë duhet parë në kontekstin e dhunës në rritje, të ushtruar nga regjimi i Prishtinës kundër popullatës serbe”.

Aty nuk përmendet askund se Policia e Kosovës ka nisur hetime apo se, një ditë më parë, autorë të panjohur i kanë djegur billbordin Lëvizjes Popullore Serbe – gjithashtu pjesëmarrëse në zgjedhjet në Kosovë – që ndodhej para shtëpisë së kandidates së saj për deputete.

Në artikullin e RT Ballkanit “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”, i botuar më 30 janar, aludohet se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u përpoq t’i “përdorte” Forcat e Sigurisë së Kosovës në një tubim parazgjedhor në Skenderaj, ndërsa më pas konstatohet se “nuk ka ndryshime në qëndrimin e elitave shqiptare dhe në politikën e Prishtinës ndaj serbëve” dhe se synim ka qenë gjithmonë “përzënia” e serbëve nga Kosova.

Artikull në RT Ballkan me titull: “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”.

Aty thuhet se “metodat kanë ndryshuar”, se nuk ka më “rrëmbime, bombardime, vrasje, kampe, heqje organesh, si në kohën e UÇK-së”, por se tani serbët shtyhen në një “eksod të heshtur” përmes “presioneve të vazhdueshme, arrestimeve, akuzave të rreme për krime lufte…”.

Për këto pretendime nuk paraqitet asnjë provë. Nuk përmendet as fakti se forcat serbe kanë kryer krime kundër civilëve shqiptarë, gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, dhe se për to janë gjykuar disa individë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.

Gjithashtu, kurrë nuk është gjetur asnjë provë për “trafikim organesh”.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 persona, ndërsa rreth 1.600 persona të zhdukur, kryesisht nga komuniteti shqiptar, janë ende në kërkim.

“Favorizimi i Listës Serbe”

Ka edhe lajme në të cilat Sputnik Serbia dhe RT Ballkan kanë pasqyruar ekskluzivisht fushatën e Listës Serbe, si dhe kanë transmetuar deklarata të zyrtarëve të kësaj partie, duke thënë se vetëm Lista Serbe sjell unitet për serbët në Kosovë, se ajo lufton për mbijetesën e serbëve në kushte të pamundura e të ngjashme.

Ky narrativ mund të shihet edhe në titujt e këtyre lajmeve, disa prej të cilëve janë: “Tubimi përmbyllës i Listës Serbe në Zveçan: Të dielën, referendum i popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, “Lista Serbe në Kufcë të Epërme: Në Kosovë dhe Metohi zhvillohet betejë për mbijetesën e serbëve”, “Tubimi i Listës Serbe në Mitrovicë të Kosovës: Të dielën do të fitojnë shteti serb dhe uniteti serb”, “Lista Serbe: Ne i përfaqësojmë interesat e popullit serb, prandaj e shqetësojmë Kurtin”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat