Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar, teksa situata është tensionuar në ambientet përpara godinës. Në shenjë pakënaqësie, disa prej studentëve kanë nisur të shkëpusin kangjellat e trotuarit që ndodhet përpara ministrisë. Ndërkohë, një pjesë e protestuesve kanë hedhur gurë në drejtim të godinës, duke përdorur gjithashtu vezë dhe bojë. Si pasojë e këtyre veprimeve, disa prej xhamave të godinës së Ministrisë së Arsimit janë thyer.
“Dorëheqje!”, “Poshtë qeveria!” dhe “Forca, rinia!” ishin disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët janë mbledhur për të kundërshtuar problematikat që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve te Ministria e Arsimit, ndërsa disa protestues kanë kaluar rrethimin duke u futur brenda perimetrit të institucionit. Protesta është shoqëruar me tensione dhe thirrje të fuqishme nga studentët dhe protestuesit pjesëmarrës.Sakaq, policia ka bërë thirrje për largimin e protestuesve dhe lirimin e rrugës, por turma nuk ka lëvizur.
Protesta është nga studentët dhe të rinjtë në nivel kombëtar, me pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, për të ngritur zërin për shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar reagim institucional.

