Zamira Voci
Gjëja më e lehtë në Shqipëri është të shpifësh e mos të të hyjë “gjemb më këmbë“. Ndodh me shumicë ky fenomen në këtë vendin tonë, me sipërfaqe pak më shumë se 28 mijë kilometra katror dhe popullsi një tkurret çdo vit. Debati mbi emërimin e Ols Dados po shoqërohet me një klimë akuzash politike dhe interpretimesh selektive të fakteve. Një nga pretendimet më të përhapura është se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka votuar pro emërimit të tij, duke u përdorur kjo si argument për të ngritur dyshime mbi procesin dhe mbi lidhjet institucionale apo politike që mund të kenë ndikuar në vendimmarrje. Por, nëse analizohen faktet dhe dokumentacioni konkret i asaj mbledhjeje, rezulton se kjo narrativë nuk qëndron.
Në realitet, të dhënat tregojnë se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani që në kohën e emërimit prokuror të Ols Dados, ka qenë këshilltar i presidentit të Republikës nuk ka qenë personi që ka përcaktuar apo “vulosur” emërimin e Ols Dados në mënyrën si po paraqitet publikisht. Megjithatë, në klimën aktuale politike, perceptimi shpesh ndërtohet më shumë mbi zhurmën mediatike dhe interesat e momentit sesa mbi faktet konkrete. Kjo ka bërë që opinioni publik të përballet me një tjetër rast ku insinuatat po zëvendësojnë provat.
Fenomeni nuk është i ri në politikën shqiptare: figura publike shpesh bëhen objekt i sulmeve të ndërtuara mbi interpretime të pjesshme, ku institucione të caktuara përdoren si “armë narrative” për të goditur kundërshtarët apo për të krijuar perceptim negativ. Në këtë rast, ILD po përmendet si pjesë e një skeme të pretenduar influence, ndërkohë që faktet e disponueshme tregojnë të kundërtën. Kjo situatë ngre një problem më të madh për debatin publik në Shqipëri: mungesën e standardit mes akuzës politike dhe provës faktike.
Në vend që të kemi transparencë dhe analizë të dokumentuar, shpesh dominojnë deklaratat emocionale dhe etiketimet politike. Kjo jo vetëm deformon perceptimin publik, por edhe minon besimin tek institucionet. Në fund, çdo pretendim për ndikim, favorizim apo ndërhyrje duhet të mbështetet mbi dokumente, jo mbi aludime. Përndryshe, debati rrezikon të mbetet thjesht pjesë e lojës politike, ku e vërteta bëhet dytësore përballë interesit për të kontrolluar narrativën publike.
Dhe në fund, dalim e flasim. Çmendim dynjanë, aq sa vargu poetik i Dritëro Agollit, ”në vend tim, në vend tënd, një kokë e çmendur, të gjithë i çmend”, mbetet monumental dhe flet më shumë se çdo fjalë tjetër e thënë në emër të së vërtetës. Por, kush është koka e çmendur?! Ata që duan të kthejnë në çështje publike një interes personal, bazuar mbi të pavërteta…ata që qëllojnë me “kallash”, duke menduar se kanë fituar betejën. Por beteja nuk është mbi një firmë të pavënë, por me Drejtësinë, atë për të cilën të gjithë e duan, të gjithë e kërkojnë, të gjithë e artikulojnë, por shumë nuk i binden…!

