21.5 C
Tirana
Monday, May 4, 2026

Ishin në trotuar duke luajtur, shoferi i dehur përplas tre fëmijë në Durrës, ndërrojnë jetë dy prej tyre, 8-vjeçari në gjendje të rëndë (Detaje nga aksidenti tragjik)

Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të diel në zonën e Kënetës, në Durrës ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të moshës rreth 10–13 vjeç. Dy prej fëmijëve kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Nikoll Radaçi është 57-vjeçari i cili shkaktoi aksidentin e rëndë sot në Durrës, duke përplasur për vdekje dy 10 vjeçarë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Shoferi i Benz-it ka rezultuar në gjendje të dehur. Ai ka qenë me shpejtësi kur mjeti i ka devijuar dhe ka kaluar në trotuar ku luanin tre fëmijët.

Shoferi, banor i zonës, ka braktisur mjetin pas ngjarjes, por është vënë në pranga pak minuta më pas nga policia. Një nga viktimat dhe i plagosuri janë kushërinj të parë. Ndërsa fëmija tjetër që ka humbur jetën, mësohet se jetonte me të afërm, pasi prindërit i ka në Itali, pasi babai i tij po kurohej prej një sëmundjeje.

Dëshmia e shoferit që shkaktoi tragjedinë

“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj”, kështu mësohet të ketë nisur dëshminë para policisë 57-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mesditën e kësaj të diele në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës.

Nikollë Rradaçi është marrë në pyetje dy herë nga grupi hetimor, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit. Ai dyshohet të ketë deklaruar se ishte i dehur në momentin e aksidentit dhe se nuk mban mend asgjë nga ngjarja, ndërsa ka shprehur tronditjen për pasojat e rënda.

Sipas burimeve, 57-vjeçari ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur. Madje, vetëm një ditë më parë, një banor kishte shmangur për pak një aksident bashkë me nipin e tij të mitur.

Mësohet se ai ishte ndëshkuar edhe më herët nga policia, ndërsa në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat