Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi dënimin me 3 vite burg për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja. Ky dënim mbetet thjesht formal, pasi ish-deputeti nuk do të vuajë asnjë ditë burg pasi u lirua më 21 shkurt ku rezultoi se pjesën më të madhe të dënimit e ka kaluar në paraburgim.
Ndërkohë Apeli la në fuqi dënimet dhe për Ahmet Mashën me 2 vite e 6 muaj burg, si dhe për Altin Hajrin, i dënuar me 3 vite burg. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim edhe për një procedim tjetër.
Ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja është arrestuar më datë 28 tetor të vitit 2024. Ndaj ish-deputetit janë 3 akuza, konkretisht: “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Çyrbja akuzohet se informonte Altin Hajrin dhe persona të tjerë që kërkohen nga autoritetet shqiptare, në rast se do kishte operacione policore për kapjen e tyre në qytetin e Durrësit. Në kompensim të këtij favori, Çyrbja kërkonte vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Për të njëjtën çështje, me urdhër të SPAK u arrestua edhe Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim Altin Hajri, i cili po gjykohet në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

