Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë arritur rreth 95 dollarë për fuçi, pas përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iran dhe dështimit të përpjekjeve diplomatike për armëpushim, sipas raportimeve të Reuters.
Nafta e referencës globale Brent u rrit me rreth 5%, duke arritur në 95.19 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane u ngjit në rreth 88.8 dollarë për fuçi, pas një rikuperimi të fortë nga rënia e mëparshme.
Vetëm pak ditë më parë, çmimet kishin pësuar një rënie të fortë prej rreth 9%, me Brent që kishte zbritur në 90.38 dollarë për fuçi, pas sinjaleve pozitive për negociata dhe hapjes së përkohshme të Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, situata u përmbys shpejt pas dështimit të bisedimeve të zhvilluara në Islamabad dhe rikthimit të tensioneve në terren.
Incidenti i fundit, ku Marina e Shteteve të Bashkuara sekuestrroi një anije iraniane që kishte shkelur bllokadën detare, ka përshkallëzuar krizën dhe ka shtuar frikën për ndërprerje të furnizimit global.
Tensionet janë përqendruar rreth Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik nga i cili kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Sipas Reuters, kufizimet në këtë zonë kanë çuar në ndërprerje të prodhimit deri në 10–11 milionë fuçi në ditë, duke ushtruar presion të fortë mbi tregjet energjetike.
Analistët theksojnë se tregu po reagon më shumë ndaj zhvillimeve politike sesa ndaj ofertës reale, duke krijuar luhatje të forta brenda pak ditësh.
Nëse tensionet vazhdojnë dhe negociatat nuk rifillojnë, çmimet e naftës mund të rikthehen sërish drejt 100 dollarëve për fuçi, ndërsa ekonomia globale përballet me rritje të inflacionit dhe pasiguri të shtuar në tregjet financiare.

