Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në qytetin e Lezhës, ku si pasojë e disa të shtënave ka mbetur i plagosur një 30-vjeçar. I plagosuri, Sokol Daci, është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore në Lezhë dhe më pas është nisur për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, ai ka marrë tre plagë nga arma e zjarrit, konkretisht në shpatull, në bark dhe në këmbë. Mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit ose autorëve të sulmit. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa po këqyren kamerat e sigurisë dhe po merren dëshmi për të hedhur dritë mbi motivet e këtij atentati.
Detaje
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar mbrëmjen e kaluar në Lezhë, ku mbeti i plagosur, 30-vjeçari Sokol Daci. Ngjarja u regjistrua në vendin e njohur si “Kthesa e Rrilës”, ku persona ende të paidentifikuar hapën zjarr drejt një berberhane duke lënë të plagosur 30-vjeçarin, që rezulton dhe pronari i biznesit. Daci ka marrë tre plumba në trup dhe është nisur drejt spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore, ndërkohë 3 autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të paditur me një automet tip “Audi”. Sakaq burime bëjnë me dije se bashkë me Dacin, në berberhane, ka qenë dhe një polic, i cili ka deklaruar se nuk i ka parë autorët të cilët kanë qëlluar me armë zjarri. Gjithashtu, mësohet se i pranishëm ka qënë edhe një pjesëtar i fisit Nikulaj, i cili dyshohet se ka mbetur po ashtu i plagosur, por nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

