19.5 C
Tirana
Wednesday, May 6, 2026

U ekstradua nga Dubai, GJKKO kyç në burg Florenc Çapja! Dëshmia në gjykatë: Nuk më ekstraduat erdha vetë, Nuredin Dumanin nuk e njoh

Pas një seance me dyer të mbyllura, Gjykata e Posaçme vendosi të lë në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë, i cili u ekstradua  tre ditë më parë nga Dubai drejt Tiranës.

I konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe i akuzuar për vrasje, Çapja, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare në Rinas pasditen e 2 majit.

44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve mbahet te blloku i sigurisë “Mine Peza”.

Mësohet se para trupit gjykues, Çapja ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk e njeh Nuredin Dumanin, si dhe nuk ka përdorur aplikacionin ‘Skyecc’.

“Pse me keni sajuar këtë me Nuredinin për Sanxhaktarin? Merrni si provë dëshminë e Nuredin Dumanit në gjyq, s’i kam kërkuar asgjë për Sokol Sanxhaktarin”, tha 44-vjeçari. Ndërsa shtoi: “Nuredin Dumanin s’e njoh fare”.

Gjithashtu iu drejtua togave të zeza: “Pse e shisni sikur më keni ekstraduar. Nuk më ekstraduan, erdha vetë, isha i lirë në Stamboll dhe mund të ikja”.

Teksa i ka kërkuar prova prokurorit, ai ka mohuar të ketë lidhje me tentativën e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit.

Çapja mësohet se para gjykatës është shprehur se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur.

Madje ka paraqitur edhe disa dokumente shkresore të deklarimit të Nuredin Dumanit, i cili u kthye në bashkëpunëtor i drejtësisë, duke rrëfyer krime dhe duke ngarkuar me përgjegjësi Florenc Çapjan.

Përveç akuzës së sigurimit për vrasje, ndaj Florencit rëndon dhe tjetër vepër e rëndë penale, ajo e vrasjes në rrethana cilësuese për të cilën ka marrë dënimin burgim të përjetshëm.

Me 15 nëntor 2023, Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin me burg për jetë për Ardian dhe Florenc Çapjan, si dhe Olsi Lekun, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit.

Ndërsa është dënuar me 15 vite burg, Ervis Bardhi, 25 vite burg për Klajdi Dekollin, si dhe 25 vite burg për Etjen Canin.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë një prej anëtarëve të grupit “Çapja” u kthye në bashkëpunëtor për të cilën ndihmoi prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat