19.5 C
Tirana
Wednesday, May 6, 2026

Arrestohet ish-oficeri i RENEA-s Altin Morina, ja çfarë e lidhte me Vis Martinajn dhe Durim Bamin

Ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, u arrestua nga policia, pasi ishte shpallun në kërkim nga SPAK. Ai u vu në pranga mbrëmjen e djeshme në Tiranë, nga efektivët e komisariatit nr.2. Prej 17 Majit të vitit 2024, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste në kuadër të operacionit “Revanshi”, pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” Altin Morina i kishte shpëtuar përballjes me drejtësinë.

Morina do të përballet me akuza për kultivim kanabisi dhe pjesmarrje në organizatë kriminale. Sipas hetiemeve të SPAK, Morina vepronte si agjent për Durim Bamin, një figurë e krimit të organizuar nën akuzë për vrasje, duke u ofruar që të zgjidhte problemet e Bamit dhe shokëve të tij me Policinë, të tilla si pagesat e rryshfeteve për oficerët e tjerë të policisë.

Gjithashtu, Morina ishte një “investitor” në parcelat e kanabisit në Fushë-Krujë.

Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës”, thuhet në dosjen e SPAK.

Kush është Altin Morina dhe çfarë ndodhi me të në Mars të vitit 2023? 

Altin Morina e nisi karierën në polici në vitin 2006 në Komisariatin nr 3 në sektorin e krimeve. Në 2010 ka kaluar te Kontrolli i Brendshëm dhe më pas tek RENEA. Në vitin 2015, ka qenë edhe tek FNSH. Po në 2015-ën punonte si bodigard në një lokal nate. Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi u përfshi në një konflikt. Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici. Ka punuar edhe në drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër. Ndërkohë, në vitin 2022 kaloi si shef stërvitje në forcat speciale RENEA.

Në muajin Mars të vitit 2023, Altin Morina u arrestua nga Policia, pasi brenda automjetit me të cilin po lëvizte u gjetën 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në atë kohë me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, Morina u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me një automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi.

Edhe në atë kohë, Altin Morina dyshohej se ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës për llogari të grupeve kriminale. Vetëm 2 orë para se të vihej në pranga, shefi RENEAS dyshohej se ishte në Elbasan, ku ka dorëzuar një shumë parash tek persona te skeduar.

Gjithsesi, efektivi i RENEA-s qëndroi vetëm një muaj në burg, pasi fitoi lirinë më 16 Prill të vitit 2023, edhe pse u kap me një shumë të konsiderueshme parash, të padeklaruara dhe me burime të dyshimta.

Ai deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal. Avokti i Morinës po ashtu paraqiti mandatin bankar të tërheqjes së eurove.

“Paratë janë të justifikuara dhe vijnë nga biznesi. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal.

Prokuroria nuk ka asnjë provë, paratë i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam  gati të bashkëpunojë me organin e akuzës për ti dhënë prova që lekët i mora për arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj” deklaroi  në atë kohë Morina.

Policia thirri për verifikim dhe biznesmenin që është përmendur nga efektivi i Forcave Speciale, por emri i tij dhe qëndrimi që ka mbajtur nuk dihen ende.

Lidhja e Altin Morinës me krimin e organizuar dhe Ervis Martinajn 

Altin Morina dyshohej si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan që merreshin me aktivitetin e heroinës dhe kokainës.

Shefi RENEAS dyshohet se kishte lidhje dhe me Kreshnik Halilajn që u arrestua në korrik të vitit 2021 për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast efektivi dyshohet se ka fshehur prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt nuk ishte kokainë, por miell buke.

Po ashtu, ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Tetë ditë para arrestimit, ai ishte parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat