Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Kamzën, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri, ndërsa vëllai i tyre i tretë ka mbetur i plagosur.Ngjarja ka ndodhur pranë Repartit në Zall Herr, pas një konflikti që përfundoi tragjikisht. Viktimat janë identifikuar si Selam Islamaj dhe Nazmi Islamaj, ndërsa vëllai tjetër, Shefqet Islamaj, ka mbetur i plagosur rëndë.
Autori i dyshuar i ngjarjes është Ngushëllim Manzi, i cili dyshohet se ka qëlluar ndaj tre vëllezërve Islamaj gjatë konfliktit. Pas ngjarjes, ai është arrestuar nga Policia. Sipas informacioneve paraprake, Manzi punonte si ushtarak ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes, shkaku i konfliktit dhe mënyra se si ai u përshkallëzua deri në përdorimin e armës mbeten për t’u sqaruar nga hetimet.
Detaje
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Kamëz, ku dy vëllezër, Selam dhe Nazmi Islamaj, u vranë me armë zjarri. Burime për mediat bëjnë me dije se ka mbetur i palgosur edhe vëllai i tyre i tretë, Shefqet Islamaj.
Ngjarja ndodhi pranë Repartit në Zall-Herr, pas një konflikti mes tre vëllezërve Islamaj dhe Ngushëllim Manzit, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tyre. Si pasojë e të shtënave, Selam dhe Nazmi Islamaj humbën jetën, ndërsa Shefqet Islamaj mbeti i plagosur. Pas ngjarjes, policia ka arrestuar të dyshuarin, Ngushëllim Manzi.
Njoftimi i policisë:
Vrau me armë zjarri, për motive të dobëta, 2 shtetas dhe plagosi 1 tjetër, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan menjëherë në vendngjarje.
Nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.
Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.
Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

