26.9 C
Tirana
Wednesday, September 30, 2026

Veliaj “riformaton” Bashkinë e Tiranës nga paraburgimi, firmos ndryshimet e disa drejtuesve

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur nga burgu disa ndryshime në administratën e Bashkisë së Tiranës.

Mësohet se ndryshimet kanë prekur drejtues të disa njësive administrative. Piro Jani, drejtues i Njësisë Administrative nr. 5, dhe Florian Pullazi, drejtues i Njësisë nr. 2, janë larguar nga detyra. Pullazin mbante postin si administrator të Njësisë nr. 2, që  prej dhjetorit 2017.

Trendelina Jaku, deri tani administratore e Njësisë Administrative nr. 1, është emëruar në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Jaku ishte emëruar administratore e Njësisë nr. 1 nga Veliaj në vitin 2015.

Ndryshimet kanë prekur edhe Kasharin. Administratori Xhevahir Koçi është emëruar drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Veliaj ka emëruar gjithashtu Julinda Dhamen si këshilltare të tij.

Lëvizjet vijnë një ditë pasi drejtimi i Bashkisë u kthye në objekt debati në Këshillin Bashkiak. Në mbledhjen e 29 shtatorit, këshilltarja e PD-së Ilda Zhulali kërkoi sqarime se kush po e drejton institucionin, ndërsa Eridian Salianji deklaroi se kryetar vazhdon të jetë personi i zgjedhur nga qytetarët.

Para mbledhjes, Këshilli Bashkiak i kishte kërkuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që Veliaj të merrte pjesë fizikisht ose përmes videokonferencës.

Kërkesa argumentonte se pjesëmarrja e kryetarit lidhej edhe me çështjet e administrimit të Bashkisë. SPAK nuk e lejoi pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e 29 shtatorit.

Ndryshimet e fundit tregojnë se Veliaj po vijon të ushtrojë kompetenca administrative përmes firmës së tij, ndërsa debati politik në Këshillin Bashkiak është përqendruar te funksionimi i institucionit gjatë mungesës së tij fizike.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat