22.2 C
Tirana
Wednesday, September 23, 2026

Për të shijuar vjeshtën do presim ende, IGJEO: Temperaturat do rriten sërish nga e diela

Vjeshta vjen vonë dhe zgjat pak. Një masë ajri me origjinë polare ka përfshirë edhe vendin tonë këtë javë, duke sjellë rënie të vlerave të termometrit kryesisht gjatë mëngjeseve dhe mbrëmjeve.

“Presim që minimalet të zbresin në 5-6 gradë në zonat malore. Në zonat e ulëta ku janë temperaturat më të larta deri në 11 gradë, ndërkohë presim rënie edhe të vlerave maksimale deri në 24-25 gradë. Vjen si pasojë e korteksit polar, i cili futet në Europë nga veriu dhe prek deri rajonin tonë dhe Ballkanin. Shoqërohet me temperatura të ulëta dhe sigurisht me prezencë reshjesh”, tha Anira Gjoni për abcnews.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, rënia e temperaturave do të vijojë deri të premten, kur parashikohen gjithashtu edhe reshje shiu në zona të caktuara, të shoqëruara me shtrëngata.

“E premtja do të shënojë temperatura më të ulëta sa i takon maksimaleve, pra atyre të mesditës, ku pritet të shkojnë deri 20 gradë, ndërsa minimalet rritje deri në 14 nga 11 që ishin të mërkurën. Reshje shiu të premten, të dobra deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata”, shtoi meterologia.

Reshjet parashikohen të largohen nga vendi pasditen e të shtunës, ndërsa nga e diela pritet rritje graduale e temperaturave si në vlerat maksimale, ashtu edhe ato minimale. Shtatori, sipas meteorologëve, mbyllet me vlera më të larta se mesatarja shumëvjeçare.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat