Në politikë ka një lloj ministri që hyn në zyrë me një ide, merr përsipër një betejë, përplaset me kundërshtarët, përplaset edhe me njerëzit e tij kur është e nevojshme dhe, kur largohet, lë pas vetes një bilanc që mund të pëlqehet ose të kritikohet, por të paktën mund të matet. Dhe pastaj ka ministër tjetër që kalon nga një zyrë në tjetrën pa e kuptuar askush se çfarë solli në të parën dhe përse u mendua se do të ishte zgjidhja në të dytën.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, Lamallari ka kaluar nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Brendshme, duke marrë me vete edhe një pyetje që qeveria ende nuk ia ka dhënë përgjigjen qytetarëve se çfarë suksesi konkret e bëri atë të denjë për të drejtuar një tjetër ministri kaq të rëndësishme, si ajo e brendshmja, pasi nuk dha asnjë shenjë si ministër drejtësie.
Sepse nëse kalimi nga një ministri në tjetrën do të ishte shpërblim për një bilanc të jashtëzakonshëm, atëherë Shqipëria duhet të kishte parë gjatë kohës së tij në Drejtësi një ministër me profil, me nisma, me rezultate dhe mbi të gjitha me një qëndrim të dallueshëm.
Por Lamallari nuk arriti të krijojë atë që në politikë quhet identitet ministror. Ai ishte aty, por nuk u bë protagonisti i institucionit që drejtonte. Dhe kjo është ndoshta ajo që e përshkruan më mirë problemin e tij politik: Lamallari ka funksionin, por nuk duket se ka autoritetin politik që duhet ta shoqërojë atë funksion. Madje edhe dëshirën për t’u përdorur nga Rama nuk arrin ta menaxhojë me logjikë e racionalitet, por troç e shqip “derr në thes”.
Në një qeveri ku kryeministri ka një dominim të jashtëzakonshëm mbi kabinetin, ministri që nuk krijon dot një hapësirë të vetën politike rrezikon të kthehet në një zbatues të mirë të vullnetit të qeverisë, por jo në një drejtues real të dikasterit.
Një ministër mund të jetë besnik ndaj kryeministrit dhe përsëri të ketë shtyllë kurrizore. Mund të jetë pjesë e një ekipi qeverisës dhe përsëri të ketë mendim të vetin. Mund të zbatojë programin e qeverisë dhe përsëri të jetë në gjendje të thotë se një vendim është i gabuar. Në fakt, pikërisht aty fillon pesha politike e një ministri.
Lamallari nuk ka krijuar këtë përshtypje. Përkundrazi, ai ka dhënë gjithnjë përshtypjen e ministrit që nuk dëshiron të dalë nga rreshti, nuk dëshiron të krijojë përplasje dhe nuk dëshiron të marrë përsipër një betejë që mund t’i kushtojë politikisht. Është një profil politik që mund të jetë shumë komod për një kryeministër, por shumë pak i dobishëm për një shtet që ka nevojë për ministra me personalitet. Dhe këtu nuk kemi më të bëjmë thjesht me Besfort Lamallarin. Kemi të bëjmë me një mënyrë qeverisjeje. Sepse Rama ka ndërtuar prej vitesh një kabinet ku ministri shpesh nuk duhet të jetë më i fortë se sistemi që e ka prodhuar.
Një ministër pa shumë zhurmë, pa shumë konflikt, pa ambicie të dukshme për të krijuar një identitet të pavarur dhe, mbi të gjitha, pa atë lloj autoriteti politik që e bën një ministër të thotë se “për këtë çështje përgjegjësia është e imja dhe vendimin e marr unë”.
Dy ministri në një hark të shkurtër kohor mund të duken në CV si dëshmi besimi. Por në politikë CV-ja nuk është bilanc. Numri i karrigeve që ke zënë nuk është numri i reformave që ke bërë. Dhe të jesh emëruar në dy poste të rëndësishme nuk do të thotë automatikisht se ke qenë i suksesshëm në të parin. Pikërisht këtu Lamallari duhet të japë përgjigje. Çfarë la pas në Drejtësi? Cila është reforma që lidhet me emrin e tij? Cili është vendimi që e identifikon politikisht? Cila është beteja që ka bërë? Cili është momenti kur ka thënë “jo” dhe ka mbajtur përgjegjësi për atë “jo”?
Dhe nëse përgjigjja është se ministri nuk ka pse të bëjë beteja, por vetëm të zbatojë programin e qeverisë, atëherë kemi një problem shumë më të madh se Lamallari. Kemi problemin e një sistemi ku ministrat po kthehen gjithnjë e më shumë në administrues të pushtetit të kryeministrit dhe gjithnjë e më pak në figura politike me përgjegjësi të individualizuar.
Dhe kështu, pas dy ministrive, pyetja për Lamallarin mbetet e njëjtë: çfarë ka bërë? Jo ku ka qenë, jo çfarë posti ka mbajtur, apo sa herë është fotografuar në krah të kryeministrit. Por çfarë ka ndryshuar? Sepse ministrat nuk maten me karriget që u jep Rama. Maten me gjurmën që lënë kur largohen prej tyre. Deri tani, Lamallari ka ndërruar dy karrige. Ajo që mungon është gjurma. Dhe ajo që më vjen ndërmend në këtë moment për të është thjesht mëshira, ndërsa gjyshi im ndjesë pastë në raste analoge përdorte shprehjen “lëre se është për gjynah”. Edhe Lamallari është për gjynah, por nuk ka faj kërriçi (Lamallari), por gomari (Rama).

