Kryeministri Edi Rama ishte këtë të premte pjesë e “Vajza Fest”, festivalit që zhvillohet në fshatin Vajzë të Selenicës. Në aktivitet ishin të pranishëm edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ish-Presidenti Bamir Topi, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo dhe zyrtarë të tjerë.
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë 14 gusht në edicionin e katërt të festivalit “Vajza Fest”, që po zhvillohet në fshatin Vajzë të Selenicës.
Në aktivitetin kulturor ishin të pranishëm edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ish-Presidenti Bamir Topi, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, si dhe figura të tjera nga politika dhe jeta publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama e shoqëroi mesazhin me batuta dhe humor, duke u ndalur edhe te ftesa që kishte marrë nga Sokol Sadushi për të qenë pjesë e festivalit.
Kryeministri tha se këtë herë kishte vendosur ta pranonte ftesën, pasi, sipas tij, katër vite nga krijimi i festivalit kanë qenë të mjaftueshme për të treguar se ideja funksionon.
“Në radhë të parë dua të falënderoj Sokolin, i cili më dërgoi ftesën dhe këtë herë nuk refuzova, duke qenë se tanimë siç e tha edhe gjykatësja e cila kur jep gjykimin e ka të formës së prerë, 4 vjet janë mjaft për të pasur besim që ideja funksionon. Kështu që besoj se është radha e duhur për të ardhur dhe për të dëshmuar bashkë me të tjetrën, suksesin e një ideje të lindur 4 vjet më parë. Dua të përshëndes Presidentin Topi, bashkë me prefektin e Tiranës që s’e kuptova pse është këtu, por mik i Vajzës me siguri. Dua të përshëndes edhe kryetarin e KOKSH Fidel Ylli, edhe ky mik i Vajzës patjetër”, tha kryeministri.
Më tej ai bëri batuta edhe me kryebashkiakun e Selenicës si dhe me ministrin Demo:
“Dua të përshëndes kryetarin e bashkisë Nertilin, dhe dua ta falënderoj për vajtjen e detit në maj të malit me ujin e kripur bashkë, dua të përshëndes dhe ministrin e Pushtetin Vendor që është i pranishëm për të parë si funksionon bashkia Selenicë. Faleminderit edhe gjykatëse që ishte impresionuese nga fillimi, me një veshje jo tipike për një person që ka kaluar Vetingun”, tha Rama.
Pjesëmarrja e Ramës vjen në kuadër të aktivitetit që synon të promovojë traditën, kulturën dhe identitetin e zonës së Vajzës, duke e kthyer festivalin në një takim mes artit, komunitetit dhe figurave publike.

