31.6 C
Tirana
Tuesday, July 21, 2026

Atentati në Elbasan, të dhënat “çojnë” hetuesit tek nipi i Ot Kilës! Autorët me maskë silikoni dhe paruke grash

Atentati i mbrëmjes së të hënës në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit, ku mbetën të plagosur tre persona, po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një sulmi të planifikuar me kujdes. Prokuroria e Elbasanit dyshon se objektivi i vërtetë nuk kanë qenë tre të plagosurit, por nipi i Ot Kilës, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Elbasan, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me ta.

Nga hetimet paraprake rezulton se Armand Tomorrica, Renaldo Mançe dhe Bjorgi Hoxha nuk rezultojnë të kenë konflikte apo probleme që mund të lidhen me atentatin. Pikërisht për këtë arsye, fakti që në tavolinë ndodhej edhe nipi i Ot Kilës ka orientuar hetimet drejt pistës se ai mund të ketë qenë shënjestra e sulmit.

Detaje të reja tregojnë se autori kishte marrë masa për të fshehur identitetin. Në lokalin ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie, por një kamera në afërsi ka filmuar momentin kur ai largohej nga vendi i krimit.

Në pamje shfaqet një person me fizik të hollë, i veshur me rroba të zeza, xhup dhe doreza të zeza, ndërsa për të mos u identifikuar kishte vendosur një maskë silikoni dhe një paruke grash me flokë të gjata, elemente që tregojnë se atentati ishte përgatitur në detaje.

Pasi hapi zjarr në verandën e lokalit, duke lënë të plagosur tre persona, mes tyre edhe kamarierin, autori u largua me shpejtësi. Në ndjekje të tij u vu një oficer policie jashtë shërbimi, i cili i bëri thirrje: “Ndal, policia!”

Gjatë arratisjes, autori hodhi armën e krimit, e cila është sekuestruar dhe është dërguar për ekspertim. Hetuesit shpresojnë të gjejnë gjurmë gishtërinjsh ose materiale biologjike që mund të çojnë në identifikimin e autorit ose autorëve.

Për momentin, ngjarja konsiderohet një atentat i mirëorganizuar, ndërsa pista kryesore që po hetohet mbetet ajo e hakmarrjes mes grupeve kriminale në Elbasan.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat