Zamira Voci
Që dje në mbrëmje, moti e dha sinjalin se nuk do ishte i mirë, edhe nëse vigjilenca të
largon nga informacionet meteorologjike. Ndaj, të gjithë e dinin se sot shiu dhe bora nuk
do na kursenin. Në pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë, prej pak më shumë se 28
mijë kilometra katror, reshjet e shiut e borës ishin dhe mbase do të jenë kryefjalë edhe
për disa ditë. Masat, si përherë janë marrë, por problemi është se ne të gjithë sytë i
kemi nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Ushtria, Bashkia, strukturat shtetërorë
e të tjera. Vetë njerëzia rrinë në kafe, bëjnë foto e video, tallen në shumicë me
mangësitë e rrugëve që përmbyten, njerëzve që u vështirësohet jeta nga reshje kaq të
shumta e ku disa mezi arrijnë të kalojnë dhe vetëm kaq.
Kur rri shoh njerëzit kafeneve, trupa të palestruar e muskulozë, që më shumë se fatkeqësia natyrore, u dhemb një xhiro me makinën e tyre kot nëpër qytet, duke shtuar trafikun, por kjo është çështje tjetër, më kujtohet shkrimtari i nominuar disa herë për çmimin “Nobel”, Milan Kundera, që në një esse shkruan për një fenomen interesant, individin modern. Ai, në emër tëmodës, pranon të bëhet siç e quan Kundera “Aleat me varrmihësin e vet”.
Kaq mjafton të perifrazosh sot atë njeriun modern, që pret qetë-qetë ti shkojë fadroma,
ushtria, apo e gjithë struktura e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në derë të
shtëpisë, e prej andej t’i heqë ujin dhe dherat, që vetë ky njeriu modern ka bërë, madje
me duart e tij, duke qenë në aleancë të plotë me fatkeqësinë natyrore, ose
“varrmihësin”, nëse i referohemi të madhit Kundera. Është e lehtë të hedhësh sytë në
qiell, e të thuash ku janë ata që paguhen me taksat tona, por kjo punë do edhe nja dy
pare mend e nja dy fije empatie.
Unë nuk përjashtoj përgjegjësinë e gjithkujt, nëse ka, por në rastin e emergjencave natyrore, nuk ka Mbrojtje Civile në të gjithë botën, që ia del pa kontributin e secilit prej nesh që rrimë e presim deri sa uji të na hyjë në shtëpi, e më pas të ngrihemi e të kërkojmë ndihmë, a thua se nuk kemi fare faj në atë “gjëmën”, që përveçse nga qielli na vjen edhe nga indiferentizmi.
Mendoj se do ishte më e ndershme, që bashkë me ata djem e vajza të Agjencisë
Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ne të kafeneve nga Durrësi, Vlorë, Shkodra, ta linim
kafenë, e të ishim me një lopatë në dorë, minimumi të bllokonim që uji mos depërtonte
në shtëpi, në lagje, tek fqinji, ose të ndihmonin ndonjë fëmijë a të moshuar, që halli e ka
detyruar të dalë në rrugë e të përplaset me vërshime ujërash.
Në rrjetet sociale qarkullonin plot foto e video nga makina nën ujë, bllokim rrugësh,
trafik i rënduar, dhera, gurë që binin nga male në akse nacionale e të tjera, por po kaq e
dhimbshme ishin edhe fotografuesit. Ata modernët, ata të rinjtë, që celularëve u njohin
edhe llojin e atyre, që ndoshta vetë Steve Jobs ende nuk e ka çuar ndërmend ta
prodhojë, bëjnë foto e video dhe nuk kontribuojnë për asgjë, me qëllim që e keqja që
vjen nga fatkeqësitë natyrore, të mos jetë thjesht e vetëm detyrë e strukturave të
Emergjencave Civile. Sepse, kur ndërton pa leje e bllokon kanale, nuk ka faj AKMC. As
shiun nuk e “urdhëron” AKMC që të provojë “durimin” e njerëzve, por në të tilla raste,
solidariteti është e para gjë që duhet të na shkojë ndër mend. Nuk ka nevojë për
modele të jashtëzakonshme. Mjaftojnë përvojat e vendeve fqinjë, jo më larg, por deri në
Itali. Të bëjmë së paku siç bëjnë ata me emergjencat civile. Bëhen një trup, e nuk
ndahen copash të hedhin foto e video diku, madje edhe tallëse për njerëzit që punojnë
çdo ditë me dhe për emergjencat, thënë ndryshe për Mbrojtjen Civile. Të paktën edhe
ne ta tregojmë njëherë këtë, se kollaj është të drejtosh gishtin nga AKMC, por ta
kthejmë njëherë nga vetja.

