Dëshmia tronditëse e të penduarit të drejtësisë Skerdi Tase në kuadër të dosjes së bujshme hetimore “Plumbi i Artë”. Në seancën e radhës në GJKKO, Tase rrëfeu me detaje planifikimin dhe ekzekutimin e Emiliano Ramazanit në Elbasan, në korrik të vitit 2020.
Tase thekson se në fillim kishte një tjetër objektiv, por grupi vendosi të përqendrohej te Ramazani, për të cilin u ra dakord me pagesë 130 mijë euro.
“E dinim makinën e Emilianos, kishim edhe foto. Nuk po e gjenim dot në Elbasan, prandaj çdo ditë shkonim atje nga Tirana, me makina me qira. Kishim si opsione shtëpinë, palestrën apo lokalin ku frekuentonte,” tha Tase.
Ai tregoi se për atentatin përdorën një makinë të marrë nga Nuredini, të cilën e kishin përdorur edhe më herët për një tjetër tentativë vrasjeje. Automjeti ishte ruajtur në një magazinë në Bradashesh, që sipas Tases i përkiste Arben Lazës.
“Ditën e ngjarjes e pamë që palestra nuk ishte vend i mirë. E pritëm te shtëpia, në rrugën kryesore. Ai erdhi me një Ford Fiesta. Kur parkoi dhe fiku makinën, unë u afrova me vrap, i dola nga ana e pasagjerit dhe e qëllova disa herë në kokë dhe qafë. Ai nuk më pa, po merrej me telefon. Atentati ndodhi brenda oborrit të pallatit,” tha Tase.
Ai rrëfeu se pas krimit makina dhe dy armë u dogjën, ndërsa armët që përdori i mori me vete dhe i fshehën pranë Peqinit, “tek ca betoniere”.
“Riku i dërgoi foto të armëve Nuredinit në SKY. Ato do çoheshin diku tjetër për t’ia faturuar dikujt tjetër ngjarjen. Më pas na kontaktoi një vajzë me emrin Klara për paratë. Unë mora 25 mijë euro, ndërsa në rregull do ndanim 60 me Rikun,” tha Tase.
Dëshmia e Skerdi Tase në GJKKO
Viron Tavanxhi më premtoi një hyrje në Fier dhe ca lekë. Henriku do më ndihmonte mua për ta kryer këtë punë. Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami.
Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos.
Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë. Për tentativën ndaj Hajredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut.
Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë. Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins. Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe u bë mendova se e godita.
Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë.
Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë.
Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot.