32.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Ndërtimet në Theth/Rama të largohet magjistratja Elsa Gjeli! Prokuroria i përgjigjet dhëmb për dhëmb Kryeministrit: U zbatua ligji

Reforma në drejtësi nisi sepse sistemi i vjetër ndikohej nga politika në përgjegjësi dhe nga ekzekutivi, pra qeveria në veçanti. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka mbetur pa fjalë nga vendimi i prokurores Elsa Gjeli, e cila presupozohet që të mbrojë pasuritë e përbashkëta të vendit, dhe jo të lejojë krime të tilla mjedisore. Por a do ndëshkohet prokurorja Gjeli, nëse po, a do ktheeht në precedent që prokurorët dhe gjyqtarë t’i rrinë qeverisë ‘gatitu’. Prokurorja që ka shkelur ligjin të mbajë përgjegjësi, por jo duke u linçuar publikisht, por duke vepruar sipas rregullave të vendosura për verifikimin e magjistratëve.

“Pas një masakre të mirëfilltë të rrezikuar nga një individ, i cili rezulton i paarritshëm nga krahu i ligjit, Thethi që është kartolinë e mrekullisë shqiptare dhe që është katandisur mu në zemër të tij në një praktikisht territor  toke të xanun. Si ka mundësi, si është e mundur që pasi, insektoriati përkatës dhe policia konstatojnë një ndërhyrje të tillë mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare, dhe përcjellin rastin në prokurori, prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin, por mosfillimin e çështjes. Duke qenë se kërkova të kuptoj më shumë, u ndesha me një vendim të një prokuroreje zonja Gjeli, që më la pa fjalë. E ndava vendimin me disa të tjerë për të kuptuar se çfarë nuk arrija dot të kuptoja por edhe reagimi i të tjerëve ishte pa fjalë. Dhe po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cenim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur. “, u shpreh kryeministri.

Kryeministri shprehet se i ka kërkuar ministrisë së Drejtësisë të veprojë dhe t’i përcjellë Këshillit të Lartë të Prokurorisë rastin. Ky i fundit, shprehet kryeministri, duhet të verifikojë dëmin që i ka shkaktuar vendit me këtë vendim zonja Gjeli dhe të vlerësojë nëse është e dejnjë për t’u paguar nga taksapaguesit shqiptarë.

Kreu i qeverisë paralajmëron se do të ketë edhe denoncime të tjera nëse do të ndeshemi me ‘prokurorë territoresh’, të cilët nga njëra anë paguhen më shumë se kushdo tjetër, nga ana tjetër “tradhtojnë me paturpësi interesat e vendit dhe qytetarëve”.

“Një prokurore e republikës së Shqipërisë përpara trajtimit të një krimi mjedisor, të një krimi ndaj pronës publike, të një krimi ndaj një zone ligjërisht të mbrojtur nga ligji specifik i Shqipërisë, të përsiatet në një jerm si ai që ju lexova dhe që është pjesëz e përroi psikik të pashtershëm në formën e një vendimi të mos fillimit të çështjes penale ndërkohë që gjithë ai komunitet banorësh e sipërmarrësish të vegjël dhe bashkë me ta edhe vizitorësh e turistësh ndihet i përdhunuar nga një individ që në mes të Theshit ka ngritur fshatin e tij të vogël turistik pa leje. Për zonjën Gjeli kjo nuk përbën vepër penale, është vetëm një kulminacion i një zinxhiri jo të shkurtër hallkash të përbëra nga vendime skandaloze, të prokurorëve. Duke qenë se kthehem nga Vlora ku vazhdojmë punën që na obligon një mbështetje historike që kemi marrë në qytetin e Vlorës dhe qarkun me 9 deputetë, ju jap një tjetër fakt se si na është bërë e pamundur të zhvillojmë projektin “Vlora Sport” te Pylli i Sodës në truall shtetëror se një prokuror tjetër ka vënë në sekuestro për falsfifikim prone pronat shtetërore përkatëse, por sekuestroja zgjat prej vitesh të tëra dhe të tilla ka plot”, përfundoi Rama.

Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas deklaratës të kryeministrit Edi Rama, që akuzoi prokuroren Elsa Gjeli se ‘ka hedhur në kosh’ denoncimin e bërë për ndërtimin e një fshati pa leje në Theth.

Prokuroria citon nenin 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, ku thuhet se strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake. Madje, thotë Prokuroria e Shkodrës, IMT dhe Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale.

Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin“, theksohet në reagim.

Më tej, ky institucion kritikon “mesazhin politik publik” nga kryeministri dhe kujton se Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimmarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara

“Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cenon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës. Respektimi i ndarjes së pushteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të institucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të perceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.

Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera”.

Këtë paradite, Rama e quajti kriminel autorin e ndërtimit të shtëpizave në Theth, i cili ka betonizuar zonën për të ndërtuar “fshatin e tij turistik”. Më pas, kreu i qeverisë iu drejtua prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli: “Një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur ELSA GJELI, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit. Tani çfarë borxhi i kanë zonjës GJELI, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat