13.9 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Ka të dhëna që mund të dëmtojnë imazhin e prokurorit të pezulluar, KLP proces disiplinor me dyert të mbyllura

Për here të parë gjatë shqyrtimit të një procedimi disiplinor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi seancë dëgjimore me dyert të mbyllura, me ‘pretekstin’argumentin’ se dëmtohet imazhi i magjistratit, ndaj të cilit është kërkuar masë disiplinore. Sipas disa artificave ligjore, KLP ka gjykuar se imazhi i prokurorit Klodian Llaho ka më shumë rëndësi sesa transparenca e procedurave disiplirone. Nga mbledhja KLP pa të arsyeshme dhe gjykoi se mjafton njoftimi ku thuhet ekzaktësisht: “Këshilli vijoi me seancën dëgjimore për procedimin disiplinor nr. 2363/50 prot., datë 30.12.2024, në ngarkim të magjistratit K.Ll. Të pranishëm në sallë ishin përfaqësuesja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, znj. Daniela Sula dhe magjistrati. Pasi u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve, Këshilli njoftoi se do të shprehet me vendim më dt. 10.04.2025, e enjte, ora 10.00”. Ky informacion i bërë publik nga Këshilli nuk jep argumentet e palëve dhe kërkesat përfundimtare.

Por çfarë thotë ligji 

“Seanca dëgjimore për procedimet disiplinore është publike”. Kështu është shkruar e bardha në të zezë, në nenin 142 të ligjit Nr. 96/2016 “PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE” i ndryshuar. Sikur mos mjaftonte ky përcaktim detyrues, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka përforcuar me Rregulloren “MBI FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT DISIPLINOR NË ZHVILLIMIN E PROCEDURAVE DISIPLINORE NDAJ PROKURORËVE”. Më konkretisht në nenin 29, pika 3 të rregullores citohet se “Prania e shtypit të shkruar dhe elektronik në sallë, gjatë seancës dëgjimore publike, është e lejuar, për sa kohë nuk pengon zhvillimin normal të seancës…“.

Vetë prokurori Kledian Llaho, si dhe përfaqësuesja e ILD-së kërkuan në seancën e 27 shkurtit që të vijonin me dyer të hapura. Llaho tha se nuk kishte asnjë arsye që të mos bëheshin publike gjetjet e hetimit administrativ.

Pavarësisht këtyre rrethanave, KLP vendosi me shumicë votash të vijonte seancat e mëvonshme me dyer të mbyllura, përfshi dhe konkluzionet përfundimtare që u paraqitën sot. KLP nuk bëri me dije kërkimet përfundimtare të palëve.

Në fillim të vitit 2025, Llaho u procedua administrativisht më parë me kërkesë të ILD-së lidhur me zvarritje të hetimit në një çështjeje penale dhe për moszbatim të një vendimi gjykate. ILD kërkoi ulje të pagës së prokurorit Llaho si masë disiplinore, por shumica e anëtarëve të KLP-së vendosën më 31 janar masën e “vërejtjes publike”.

Më herët, më 16 janar, SPAK njoftoi se gjykata respektive kishte pranuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj prokurorit Llaho, pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive.

Nga sa u parashtruan në seancën e 27 shkurtit, para se të vendosej që ky procedim disiplinor të trajtohej me dyer të mbyllura, ndaj Llahos kishte bërë ankesë pranë ILD-së një prokurore e Sarandës.

Seanca e radhës u shty për më datë 10 prill, në orën 10:00.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat