Në bashkëbisedimin live me ndjekësit në rrjete sociale, Kryeministri Edi Rama tha se drejtësia e re është bëma më e madhe dhe historike e PS.
Kreu i qeverisë përmendi faktin se drejtësia e mëparshme goditi liderin e atëhershëm të opozitës Fatos Nano ndërsa shtoi se me 11 Maj, duhet të votohet për PS, në mënyrë që vendi të mos kthehet pas në ‘drejtësinë e pazarxhinjve’.
“Ne bëmë reformën në drejtësi. Shpata e ndëshkimit që në një vend normal, me barazi para ligjit është në dorën e zonjës drejtësi ishte në këtë zyrë. E kishin trashëguar të gjithë të parët e kësaj pune, në mbretëri, diktaturë e demokraturë. Dhe ajo shpatë edhe në kohën e lirisë, pas komunizmit, goditi me urdhër nga këtu nga maja e Piramidës kryetarin e opozitës Fatos Nanon, i cili është edhe i burgosur i fundit politik në historinë e Shqipërisë. Kështu që lufta për drejtësi dhe shtet të së drejtës nuk është e thjeshtë, por e vështirë. Por ama kthesa është e dukshme, e prekshme dhe është e vlerësuar lart edhe nga BE, edhe nga familja e madhe të cilës ne duam t’i bashkohemi dhe nuk bashkohemi dot nëse nuk tregojmë se kemi barazi para ligjit”, tha Rama.
Rama deklaroi se pjesë e programit është edhe anëtarësimi në BE. “Nuk kemi asnjë program? Po mirë, futja në BE nuk të duket program. Ti mendon se në BE futesh pa pasur program për çdo fushë? Të merret BE dhe thua që zgjidhni mes meje dhe bufit të kënetës? Përkundrazi. Megjithatë, edhe më e bukura është se ju që thoni s’ka program, kur ne flasim për program nuk e dëgjoni hiç”, tha kryeministri.