15.5 C
Tirana
Tuesday, April 14, 2026

Zgjedhjet në Hungari, Orban bie nga pushteti pas 16 vitesh, fiton bindshëm ish-miku i tij Magyar! BE tashmë e lehtësuar?

Pas 16 vjetësh të Qeverisë së Orbanit, e cila përplasej me BE-në për çështje të ndryshme – nga lufta në Ukrainë deri te sanksionet ndaj Rusisë, Brukseli tashmë shpreson që Budapesti të jetë më bashkëpunues.

“Vendi ynë nuk ka kohë për të humbur. Hungaria është në telashe në çdo aspekt. Ajo është plaçkitur, grabitur, tradhtuar, është futur në borxhe dhe është shkatërruar”, tha Magyar në një konferencë për media më 13 prill, një ditë pasi partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, fitoi shumicën prej dy të tretash në Parlamentin me 199 vende.

Ai shtoi se Hungaria – ku është arratisur edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i akuzuar për korrupsion – nuk do të strehojë kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht.

Me ligj, presidenti i Hungarisë duhet ta mbledhë Parlamentin e ri brenda 30 ditëve nga zgjedhjet. Më pas, deputetët zgjedhin kryeministrin e ri, i cili propozon kabinetin qeveritar.

Shumë shpresojnë se pengesat që kishte vendosur Orban, do të hiqen, megjithëse ekziston edhe shqetësimi se Magyar – i cili dikur ishte një besnik i afërt i kryeministrit të mposhtur, ndërsa më vonë u nda prej tij, për shkak të çështjeve të korrupsionit – mund të mos bashkëpunojë gjithmonë në mënyrë të lehtë.

Çështja kryesore me të cilën Magyar pritet të merret në Bruksel, nuk është politika e jashtme, por zhbllokimi i rreth 18 miliardë eurove fonde të BE-së, të ngrira në vitet e fundit, për shkak të “hapave prapa” në demokraci gjatë qeverisjes së Orbanit.

Rindërtimi i sistemit gjyqësor hungarez pritet të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe Magyar synon të ndjekë shembullin e Polonisë.

Në përpjekje për të zhbllokuar fondet e BE-së pas rikthimit në pushtet në fund të vitit 2023, Qeveria e qendrës e Varshavës ka punuar për të përmbysur ndryshimet e diskutueshme në gjyqësor dhe administratë publike, të bëra nga paraardhësit populistë.

“Ne do të fillojmë të punojmë me Qeverinë [e re hungareze] sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “për të bërë përparim të shpejtë, në dobi të qytetarëve hungarezë”.

“Ka shumë punë për të bërë, pasi Hungaria po rikthehet në rrugën evropiane”, shtoi ajo.

Një “kurban” i përshtatshëm?

Megjithatë, në korridoret e Brukselit ka frikë se vetot e Qeverisë së Orbanit shpesh janë përdorur si “kurban” i përshtatshëm për mungesën e veprimit.

Kryeministri sllovak dhe aleati i afërt i Orbanit, Robert Fico, tashmë ka sinjalizuar hapur se mund të vazhdojë të vendosë veto ndaj shumë nismave, por zyrtarë të BE-së, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, pranojnë se, në disa raste, edhe shtete të tjera anëtare fshiheshin në heshtje pas qëndrimeve të Budapestit.

Testi i parë mund të jetë një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për të cilën liderët e BE-së, përfshirë Orbanin, kanë rënë dakord në dhjetor të vitit 2025.

Këto fonde, që synojnë të mbulojnë një pjesë të madhe të nevojave të Kievit për këtë dhe vitin e ardhshëm, më pas u bllokuan nga Hungaria.

Kjo, pasi Budapesti e fajësoi Ukrainën se nuk ka bërë mjaftueshëm për të riparuar tubacionin e epokës sovjetike, Druzhba, i cili transporton naftë drejt Evropës qendrore.

Ukraina këmbëngul se tubacioni është dëmtuar nga një sulm me dron rus.

BE-ja u zotua se paratë do të vijnë në prill, pasi premtoi ndihmë financiare për të rregulluar tubacionin dhe dërgoi edhe një ekip në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha së voni se ai do të riparohet “në pranverë”.

Por, derisa nafta ruse të rifillojë të rrjedhë drejt Hungarisë, as Magyar dhe as Orban – i cili do të mbetet në detyrë edhe për disa javë – nuk do ta miratojnë këtë paketë ndihme për Kievin.

Edhe pse zyrtarë të BE-së me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë, besojnë se Magyar do ta miratojë huanë, ata, gjithashtu, theksojnë se anëtarët e partisë së tij, Tisza, kanë votuar kundër këtij propozimi më herët në Parlamentin Evropian.

Siç thotë Clotilde Warin, asistente kërkimore në Institutin Jacques Delors në Paris, “Hungaria nuk do të përdorë më veto sistematike, por qëndrimet e saj nuk do të ndryshojnë rrënjësisht”.

Më pas vjen edhe fakti se, gjatë fushatës zgjedhore, Magyar ka folur për zvogëlimin gradual të varësisë nga energjia ruse deri në vitin 2035, dhe jo vitin e ardhshëm siç kishte parashikuar Brukseli.

Ky vendim merret me shumicë të kualifikuar, që do të thotë se nuk ka të drejtë vetoje.

Megjithatë, në rrethanat e një krize energjetike të shkaktuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, që po kërcënon ekonomitë evropiane, Magyar mund të mos jetë i vetmi që kërkon ta shtyjë shkëputjen e shpejtë nga importet më të lira të energjisë ruse.

Çështja e kostove të larta të energjisë pritet gjithashtu ta zbusë paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Fillimisht e planifikuar për t’u miratuar para përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në muajin shkurt, paketa është bllokuar disa herë nga Hungaria.

Por, ajo nuk është e vetme në këtë qëndrim.

Thelbi i propozimit ishte ndalimi i shërbimeve detare, të lidhura me produktet e naftës ruse. Me këtë ndalesë, kompanitë me bazë në BE nuk do të mund të ofronin shërbime për anijet që i transportojnë këto produkte nga portet ruse.

Në kohën e rritjes së ndjeshme të kostove të energjisë në bllok, disa shtete anëtare jugore kanë shprehur rezerva ndaj kësaj mase.

Prandaj, edhe nëse paketa miratohet – me një Qeveri të re hungareze – nuk është e sigurt nëse ajo do të ketë efekt të fortë real.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat