4.5 C
Tirana
Monday, December 15, 2025

Metani skanon sistemin: Institucionet e drejtësisë të fokusohen tek transparenca, edukimi ligjor dhe komunikimi publik

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, raportoi në Kuvend mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2024, duke ngritur alarmin për ngarkesën e madhe të gjyqtarëve, vakancat në sistem dhe vonesat e theksuara në gjykime.

Në raportimin e tij, Metani solli të dhëna statistikore sipas të cilave gjatë vitit 2024, ILD ka trajtuar 2854 ankesa, prej të cilave 1374 janë shqyrtuar dhe 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Janë proceduar gjithsej 11 magjistratë 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë  me masa që variojnë nga shkarkimi deri te vërejtja konfidenciale.

Sipas tij, problematikat kryesore që prekin sistemin e drejtësisë janë vonesat e gjata në gjykimin e çështjeve dhe mungesa e burimeve njerëzore.

“Ngarkesa e magjistratëve në Gjykatën e Tiranës është tepër e lartë. Në vitin 2023, një gjyqtar ka gjykuar mesatarisht 1176 çështje, ndërsa mesatarja kombëtare është rreth 841. Nga 80 gjyqtarë të parashikuar në organikë, vetëm 43 kanë ushtruar detyrën gjatë vitit,” – deklaroi Metani.

Ai shtoi se për shkak të vonesave të pajustifikuara dhe zvarritjeve, ILD ka hapur 51 hetime disiplinore, ndërsa për 17 magjistratë (8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë) janë dërguar kërkesa për procedim disiplinor.

Fjala e plotë e Z. Metani në seancën plenare

Si çdo vit, po paraqes para këtij Kuvendi informacionin për veprimtarinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024. Ju e keni raportin përpara dhe shifrat dhe të dhënat gjenden atje dhe nuk do të doja të isha përsëritës i shifrave të shkruara në raport. Por, në mënyrë shumë telegrafike, të dhënat statistikore për vitin 2024 për veprimtarinë e ILD janë:

Gjatë vitit 2024, ILD kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto ka trajtuar 1374 ankesa. 54 prej tyre kanë përfunduar me hetim disiplinor. Gjatë vitit 2024 ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, konkretisht janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra, deri tek vërejtja konfidenciale. Veç ankesave dhe procedimeve disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe 6 inspektime tematike, të cilat kanë përfunduar me 54 rekomandime, prej të cilave, 9 lidhen me marrjen e masave për nxjerrje aktesh, 29 me ndërmarrjen e masave administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për procedura të mëtejshme verifikuese. Për të gjitha vendimmarrjet e trajtimit të ankesave nga ana e Inspektorit te Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit që shkoi, ka pasur vetëm 89 ankime pranë KLP ose KLGJ, sipas rastit. Asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është cenuar.

Megjithatë, përtej shifrave, të cilat tregojnë dinamikë dhe funksionalitet të mekanizmit llogaridhënës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, unë vlerësoj se është e domosdoshme, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të vijë përpara jush, edhe me një panoramë të gjendjes së sistemit të drejtësisë, natyrisht sipas këndvështrimit të ILD, për të prezantuar para jush sfidat me të cilat përballet sistemi dhe çështjet që duhet të adresojmë ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë dhe publikë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, bazon punën e tij së pari, te ankesat që i paraqiten nga qytetarë apo nga institucione të ndryshme, së dyti, në inspektimet tematike, që ai kryen dhe këtu duhet evidentuar që numri i inspektimeve është rritur cdo vit, së treti nëpërmjet mekanizmave të tjerë administrativë, që ka ngritur ILD, për të marrë informacion për punën e gjykatave dhe prokurorive, tej atyre që paraqesin ankesat apo inspektimet tematike. Bazuar në këto drejtime është përgatitur edhe panorama, që dëshiroj të paraqes përpara jush, për çështjet me të cilat përballet sistemi sot, me mënyrën si i ka adresuar ILD këto çështje dhe sfida të tjera, të cilat duhen adresuar nga organet e drejtësisë dhe nga aktorë të tjerë institucionalë dhe publikë.  

Nga veprimtaria e vet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar disa problematika dhe konkluzione, si më poshtë:

  1. Kohëzgjatja e gjykimeve tej afateve të arsyeshme zvarritja e veprimeve hetimore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore

Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Për sa vërehet, problematike vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, jurisprudenca e GJEDNj, por dhe në raportet e organizmave ndërkombëtare. Në vendimmarrjen e saj të fundit, GjEDNj ka adresuar edhe rekomandime konkrete për autoritetet vendase, duke theksuar nevojën e plotësimit të vakancave në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore, për të cilën u ideua dhe u ndërmor reforma në drejtësi.

Nëpërmjet instrumenteve ligjore në dispozicion, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar këtë problematikë, nëpërmjet rekomandimeve të natyrës rregullatore dhe administrative, që kanë rezultuar nga inspektimi tematik i kryer pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore, gjatë periudhës 01.03.2023-31.05.2023, inspektim tashmë i konkluduar me rekomandime konkrete për aktorët e sistemit të drejtësisë.

Nga ky inspektim tematik rezultoi se:

a) Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar.

Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë.

b) Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe. Duke vlerësuar rëndësinë që ka plotësimi i vakancave në sistem, nisur nga raportet e Komisionit Evropian dhe Raportit të vitit 2025 për Shtetin e së Drejtës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka rekomanduar Këshillit të Lartë Gjyqësor, si institucioni përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të burimeve njerëzore në gjykata, marrjen e masave efektive dhe të menjëhershme për plotësimin e organikës e kësaj gjykate, duke vendosur edhe një afat 1 vjeçar për përmbushjen e tij. Nga ana jonë do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmbushja e këtij rekomandimi, brenda fushës së kompetencave që ILD ushtron.

c) Arsyeja e tretë është infrastruktura, por këtë çështje do ndalem pak me poshtë.

Nga ana tjetër, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, për shkaqe të palidhura me  arsye jashtë kontrollit të magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë Këshillave përkatës. Në total, gjatë veprimtarisë së vet, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë. Masat e propozuar për këto shkelje disiplinore janë:

  • “Shkarkim nga detyra”, për 2 gjyqtarë dhe 3 prokurorë;
  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë;
  • “Vërejtje publike”, për 3 gjyqtarë dhe 1 prokuror.

Një inspektim tjetër i zhvilluar nga ILD është edhe përdorimi i mekanizmave alternativë të gjykimit. Ky inspektim është zhvilluar pranë gjykatave së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe nga inspektimi është konstatuar, se ndërmjetësimi është përdorur në mënyrë shumë të kufizuar, pavarësisht detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 25 të Kodit të Procedurës Civile. Në përfundim të këtyre inspektimeve është rekomanduar ndër të tjera, pasqyrimi i çdo orientimi të gjyqtarit për ndërmjetësim në procesverbalet e seancave gjyqësore, në mënyrë që të mundësohet monitorimi dhe analizimi i kësaj praktike në inspektimet pasardhëse.

Për të monitoruar veprimtarinë e prokurorëve, në kuadër të ankesave të vazhdueshme për zvarritje të veprimtarisë hetimore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar inspektimin tematik të çështjeve, për të cilat prokurori ka proceduar me kërkesë ose vendimmarrje për pushim, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale përgjatë vitit 2024. Nëpërmjet këtij inspektimi dhe inspektimit institucional, që po zhvillohet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, mbi të gjithë procesin e qarkullimit të dokumentacionit në këtë zyrë prokurorie, Inspektori i Lartë i Drejtësisë synon jo vetëm të evidentojë problematikat, por dhe të adresojë çështje të aspektit sistemik.

Arsyetimi me vonesë i vendimeve gjyqësore përbën një tjetër problem sistemik me impakt në të drejtën e individëve për një proces të rregullt ligjor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duke reflektuar dhe rekomandimet e lëna për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2023 në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, ka vendosur kryerjen e inspektimeve tematike në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe në një gjykatë të juridiksionit administrativ. Nëpërmjet këtyre inspektimeve tematike, ILD ka bërë një fotografim të situatës së dorëzimit të vendimeve gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Shkodër dhe aktualisht është në përmbyllje të inspektimit tematik pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. Në përfundim të çdo inspektimi, ILD ka vlerësuar të identifikojë një periudhë kohe të arsyeshme, që i nevojitet magjistratit për dorëzimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar, duke marrë në konsideratë mesataren e kohës, që i nevojitet çdo magjistrati në të njëjtën gjykatë për arsyetimin e vendimeve lidhur më çështje të të njëjtës tipologji. Afati i vlerësuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përfundim të çdo inspektimi, nuk zëvendëson në asnjë rast afatin ligjor, por përbën një konstatim nga ILD në momentin e kryerjes së inspektimit, duke mbajtur në konsideratë situatën aktuale të ngarkesës që ka sistemi sot dhe vakancat në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, personalisht mendoj se angazhimi i gjykatës, KLGJ-së, apo dhe vetë Kuvendit, për të hartuar dhe miratuar masa me qëllim reduktimin e backlogut, i cili ka arritur në një numër të madh është një mjet i domosdoshëm.

  1. Infrastruktura e gjykatave dhe regjistrimi i seancave audio

Një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen gjykatat sot është mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për respektimin e kërkesave procedurale për zhvillimin e gjykimit me regjistrim audio. Nga përmbajtja e ankesave, verifikimeve dhe informacionet periodike që administrohen në ILD ka rezultuar, se infrastruktura aktuale nuk mundëson zhvillimin e të gjithë seancave gjyqësore sipas detyrimit ligjor me regjistrim audio, kjo në veçanti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto mangësi së bashku me vakancat në sistem, kanë ndikuar në cilësinë e kushteve të punës, duke ekspozuar trupën gjyqësore në mungesë të solemnitetit të zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Gjatë realizimit të inspektimit në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore është evidentuar kjo problematikë dhe ILD ka rekomanduar, që Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Kryetarin e Gjykatës dhe Këshillin e Gjykatës, të marrin masat e nevojshme për të garantuar shfrytëzimin e ambienteve të gjykatës, në mënyrë që gjykimi i të gjitha çështjeve civile me palë kundërshtare të zhvillohet në salla gjykimi të pajisura me regjistrim audio, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2026.

  1. Respektimi i solemnitetit të gjykimit dhe i standardeve etike

Respektimi i rregullave të etikës dhe solemnitetit është në fokus të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sjellja e magjistratit është e lidhur me garantimin e ruajtjes e forcimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Në çdo procedim disiplinor të iniciuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përpjekur të ruajë balancën, ndërmjet mungesave dhe sfidave, me të cilat po përballen magjistratët në punën e tyre, me detyrën që magjistrati ka për të shfaqur një model sjellje, i cili mbart vlera, të cilat jo vetëm duhet të transmetohen, por edhe të shfaqen, gjatë ushtrimit dhe jashtë ushtrimit të funksionit. Në rastet kur sjellja jo-etike është faktuar gjatë kryerjes së hetimit disiplinor janë përcjellë propozimet për marrjen e masave disiplinore nga Këshillat. Gjatë veprimtarisë së vet, ILD ka vendosur hetimin disiplinor për 14 magjistratë, 10 gjyqtarë dhe 4 prokurorë për cenim të rregullave të etikës dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim për 7 magjistratë, 3 gjyqtarë dhe 4 prokurorë duke propozuar:

  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për 2 magjistratë.
  • “Vërejtje publike” për 3 magjistratë.
  • “Vërejtje konfidenciale” për 2 magjistratë.

Masa ndëshkuese siç është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme është mjeti i fundit, që duhet të zbatohet për të garantuar përgjegjshmërinë e sistemit. Për këtë arsye, vlerësoj se nga Këshillat përkatëse duhet të kenë një bashkëpunim më të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës në trajnimin vazhdues të magjistratëve, veçanërisht atyre me më pak vite përvojë në sistem, në kuadër të shpeshtimit të trajnimeve dhe individualizimit të tyre për rastet e referuar nga ILD dhe rastet për të cilat është vendosur marrja e masave disiplinore. Njëkohësisht vëmendje duhet t’i kushtohet edhe trajnimit vazhdues të magjistratëve të tjerë, në përgatitjen e tematikave me efekt ndërgjegjësues dhe parandalues për shmangien e sjelljeve të tilla në të ardhmen, të cilat mund të kenë impakt serioz në perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë.

  1. Qëndrimet në lidhje me vendimmarrjet gjyqësore dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raport me këtë problematikë

ILD vlerëson të ritheksojë, se roli i tij në shqyrtimin e pretendimeve për vendimmarrje të padrejta nga aktorët e sistemit të drejtësisë, nuk mund të zëvendësojë interpretimin dhe zbatimin, që prokurori i bën normave dhe instituteve procedurale penale, apo dhe shqyrtimin e pavarur gjyqësor që bën gjykata. Kjo është kompetencë e organeve të sistemit të drejtësisë, e cila kontrollohet në themel nga organizimi hierarkik i vetë gjyqësorit, nëpërmjet mekanizmave procedurale të parashikuara nga ligji.

Elementi i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, sipas qëndrimeve tashmë të vendosura edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, del në pah kur magjistrati gjatë vendimmarrjeve të tij vepron në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, të evidentuara këto prej vendimeve të gjykatave më të larta, apo në kundërshtim me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta duke deformuar bindjen e brendshme, e cila duhet të jetë në përputhje me ligjin, analizën e fakteve dhe provave. Edhe cenimi i vendimmarrjes brenda shkallëve të gjyqësorit është pjesë kontrollit të vendimeve gjyqësore dhe ushtrimit të hierarkik të pushtetit gjyqësor. Ky kontroll gjyqësor realizohet në kuadër të rritjes së cilësisë së drejtësisë dhe nuk ka si qëllim në vetvete, përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve. Ndryshimi apo prishja e një vendimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, nuk mund të përbëjë apriori bazë të mjaftueshme faktike për procedimin disiplinor të magjistratit, nëse nuk shoqërohet me elementë të tjerë, të cilat tregojnë se magjistrati ka vepruar në keqbesim, duke çeduar nga detyrimi për ushtrimin me dinjitet të detyrës, në përputhje me ndërgjegjen për interpretimin e fakteve, në zbatim të normave të së drejtës.

Në këtë kuptim, në rastet kur janë evidentuar shkaqet si më sipër, të cilat kanë sjellë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar 25 hetime disiplinore dhe ka paraqitur kërkesat për procedim për 9 magjistratë, 7 gjyqtarë dhe 2 prokurorë duke kërkuar:

  • Shkarkim nga detyra, për 3 magjistratë;
  • Pezullim nga detyra për 1 magjistrat;
  • Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit, për 4 magjistratë;
  • Vërejtje publike për një magjistrat.

Një moment tjetër, që duhet evidentuar në kompetencat dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është dallimi i qartë, ndërmjet procedurës disiplinore dhe asaj penale. Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë atribute të qarta në kryerjen e procedurave të hetimit disiplinor ndaj magjistratëve, apo subjekteve të tjera të përfshira në fushën e kompetencës së këtij institucioni. Hetimi dhe procedura disiplinore nuk kanë natyrë penale, nuk kane mjete kërkimi si një organ i ndjekjes penale, por është proces administrativ. Rregullat dhe procedurat që ligji ka parashikuar, i shërbejnë garantimit të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor ndaj magjistratit, që dyshohet se ka kryer shkeljen disiplinore dhe palëve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces dhe nuk ofrojnë mekanizma për të evidentuar ekzistencën e një fakti penal. Jo pa arsye, legjislatori i kanë përparësi procedurave penale, civile apo administrative duke e detyruar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të pezullojë hetimin disiplinor, kur është duke u zhvilluar një hetim penal ndaj magjistratit për të njëjtat fakte.

  1. Problematika në lidhje me organizimin dhe funksionimin e zyrave të prokurorive

Në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka mbajtur kontakte të vijueshme me këtë institucion dhe për këtë qëllim ka lidhur edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Ankesat e referuara nga Prokurori i Përgjithshëm kanë shërbyer si të dhëna për inicimin e verifikimeve dhe hetimeve disiplinore ndaj disa magjistratëve, të cilat janë konkluduar me propozimin e masave disiplinore, përfshirë dhe shkarkimin nga detyra.

Njëkohësisht, veprimtaria e zyrave të prokurorisë, në drejtim të zbatimit të akteve rregullatore në marrëdhënie me drejtuesin ka qenë objekt inspektimi tematik. Ky inspektim ka patur qëllim zbatimin e urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, mbi ruajtjen e qëndrueshmërisë së organit të prokurorisë, përmes kohezionit institucional dhe uniformitetit të veprimtarisë në të gjitha prokuroritë, në garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorit në vendimmarrje për çështje konkrete. Ky inspektim vlerësohet të vijohet edhe në vazhdim, pasi nga monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të lëna, por edhe nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të shqyrtimit të ankesave janë konstatuar përsëri problematika.

Në përmbushje të detyrimit ligjor për inspektimin e ndarjes së çështjeve me short në zyrat e prokurorive, ILD ka rekomanduar rishikim të aktit rregullator “Për shpërndarjen e çështjeve në prokurori” dhe unifikim të praktikave të ndryshme të evidentuara gjatë kryerjes së inspektimit, në zyrat e prokurorive pranë Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ky inspektim referuar detyrimeve ligjore do të vijohet, duke patur në fokus monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna.

  1. Produktiviteti në zhvillimin e seancave

Marrë shkas nga disa ankesa, të cilat i janë nënshtruar verifikimit, por edhe informacionit të paraqitur nga vetë gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një problematikë e sistemit gjyqësor sot është produktiviteti dhe efektiviteti i magjistratëve në planifikimin dhe zhvillimin e seancave gjyqësore, si dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për shmangien e seancave joproduktive. Për adresimin e kësaj situate, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur kryerjen e një inspektimi tematik në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm, me qëllim inspektimin e mënyrës së planifikimit të seancave gjyqësore dhe menaxhimin e shqyrtimit të çështjeve sipas kategorive përkatëse, në përputhje me afatet e vendosura nga dispozitat procedurale. Një faktor që ndikon në normën e pamjaftueshme të evadimit të çështjeve gjyqësore, siç e kemi evidentuar edhe në raportet tona të inspektimit tematik është mosplotësimi i vakancave në gjykatat e shkallës së parë dhe në veçanti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Ky proces, siç evidentohet është i lidhur me mospërfundimin në kohë të procedurave të vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve. Në këtë kuadër, vlerësojmë të nevojshme marrjen e masave konkrete për të rritur efektivitetin e këtij procesi, duke orientuar dhe bashkëpunimin e Këshillave në aplikimin e standardeve uniforme të vlerësimit, nën dritën edhe të orientimeve të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë.

Të nderuar deputetë!

Pavarësisht rezultateve të deritanishme, institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë konstaton, se sistemi i drejtësisë përballet me sfida të rëndësishme, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e tij. Efektiviteti dhe cilësia e sistemit të drejtësisë nuk janë në nivelin, që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Kjo është pjesë e procesit të konsolidimit të Reformës në Drejtësi dhe një përgjegjësi e të gjithë organeve tona, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, organet e qeverisjes së pushtetit gjyqësor, apo magjistratët gjyqtarë dhe prokurorë.

Një aspekt që kërkon vëmendje të veçantë është infrastruktura e pushtetit gjyqësor. Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, përfshirë sistemet e regjistrimit audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkiva, qarkullimi i dokumentacionit procedural dhe administrativ, apo sisteme teknologjie që mbulojnë procese të veçanta të punës së gjykatës apo prokurorisë, ndikojnë drejtpërdrejt, në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit apo zhvillimit të procesit të hetimit penal. Në disa raste, këto kushte kanë ndikuar edhe në sjelljen etiko-profesionale të magjistratëve, duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku. Për këtë arsye, investimi në infrastrukturë duhet të shihet si pjesë e pandarë e politikave për forcimin e pavarësisë, legjitimitetit dhe integritetit të pushtetit gjyqësor.

Ngarkesa e jashtëzakonshme e punës dhe numri i lartë i çështjeve gjyqësore, mbetet një ndër sfidat më serioze, që cenon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe të drejtat e shtetasve shqiptar në kuadër të një procesi të rregullt ligjor. Në këtë drejtim, kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithë organeve publike, si Kuvendi, Këshillat, Prokurori i Përgjithshëm, gjykata apo dhe zyrat e prokurorive për hartimin e masave konkrete për reduktimin e backlog-ut; rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e organikave, shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëkohësisht, vetë gjykatat dhe zyrat e prokurorisë duhet të hartojnë sisteme të prioritizimit të çështjeve, për të siguruar një trajtim më të shpejtë dhe të drejtë të dosjeve gjyqësore.

Sistemi llogaridhënës përbën gurin e themelit për një shtet të së drejtës. Vetëm nëse ky sistem funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, pushteti gjyqësor mund të organizohet mbi baza të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe legjitimiteti. Në të kundërt, një sistem përgjegjësie që funksionon vetëm në aspektin ndëshkues e jo parandalues, humbet rolin e tij edukues dhe kontribuon në uljen e besimit publik. Llogaridhënia e pushtetit gjyqësor duhet të perceptohet si një mekanizëm parandalues dhe përmirësimi, jo si mekanizëm intimidimi, ndërhyrje apo ndëshkimi.

Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të shihet thjesht në aspektin disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues. Qëllimi është të krijohet një kulturë e lartë etike dhe profesionale në sistemin e drejtësisë, ku ndjenja e llogaridhënies të jetë pjesë e vetëdijes së magjistratëve dhe jo një faktor i jashtëm. Nëse sistemi i përgjegjshmërisë, pra shkollimi në Shkollën e Magjistraturës, emërimet dhe promovimet e magjistratëve nga Këshillat, roli i gjykatave më të larta për rritjen e cilësisë së vendimeve gjyqësore, etj., funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, atëherë pushteti gjyqësor do të organizohet dhe do të funksionojë mbi baza të qëndrueshme profesionalizimi, legjitimiteti dhe të integritetit. Në rast të kundërt, nëse ky sistem nuk funksionon, aplikimi i sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve (pra, sanksionet) mund të jetë një mekanizëm dhe reagim i vonuar, duke mos luajtur një rol parandalues, por vetëm ndëshkues, si dhe duke sjellë si pasojë, jo vetëm cenimin e besimit të publikut në pushtetin gjyqësor, por edhe legjitimitetin apo autoritetin e këtij pushteti.

Ky është dimensioni i vërtetë dhe filozofia e një reforme legjitime në një sistem drejtësie: ndërtimi i një sistemi drejtësie, që vetërregullohet përmes integritetit të tij. Ky diskutim na çon drejt një dileme universale, që hasin shumë shtete: balancimi midis pavarësisë dhe llogaridhënies. Edhe në Shqipëri, ku sistemi i drejtësisë është ende në fazë konsolidimi pas reformimit të thellë institucional, ky ekuilibër kërkon kujdes të veçantë. Nga njëra anë, duhet të mbrohet pavarësia funksionale e magjistratit, si themel i shtetit të së drejtës, ndërsa nga ana tjetër, duhet të garantohet, që kjo pavarësi të mos shndërrohet në mungesë përgjegjësie.

Sfida më e madhe e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sot është ruajtja e pavarësisë së tij institucionale dhe sigurimi i një roli konstruktiv në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Jo si një lojë fjalësh dhe jo si mburojë për paligjshmëritë eventuale, që mund të kryejë sistemi. Por, si një parim i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, si  një parim që tregon se sistemi llogaridhënës ndaj magjistratëve nuk është zgjedhje apo emocion, aq më pak i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por është parim mbi të cilin bazohet një shtet ligjor. Në këtë kontekst, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin të dëshmojë integritet, transparencë dhe paanshmëri, në çdo vendimmarrje. Ky është një proces i ndjeshëm, ku institucioni duhet të veprojë si mbrojtës i parimeve të drejtësisë, por jo si faktor që ndikon, apo orienton vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Në këtë proces, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të vijojë të zbatojë me përkushtim, standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, si dhe të jetë garant i ekuilibrit midis pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor shqiptar.

Sot po përballemi me një paqartësi mbi rolin dhe funksionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që nuk rrjedh vetëm nga qytetarët, të cilët nëpërmjet ankesave të paraqitura në ILD pretendojnë zgjidhje të mosmarrëveshjeve gjyqësore, ndërhyrje në procese gjyqësore, apo ndikim në vendimmarrje gjyqësore, por haset edhe në kuadër të pretendimeve të shumta nga rrethe të tjera publike, ku përfshihen aktorët politikë, media apo dhe vetë organet të tjera publike.

Ky fenomen kërkon një adresim në aspektin sistemik. Një rëndësi thelbësore në garantimin e një sistemi cilësor drejtësie ka edhe Gjykata e Lartë, si organi më i lartë në piramidën e hierarkisë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve, por dhe në sigurimin e shmangies së divergjencave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar një vëmendje të veçantë nga ana e Gjykatës së Lartë, për të ushtruar rolin e saj njehsues, në vendosjen e standardeve dhe praktikave të qëndrueshme.

Njëkohësisht, besoj se procesi i edukimit ligjor të publikut, përbën një parakusht të domosdoshëm për konsolidimin e besimit në drejtësi. Një publik i informuar, i ndërgjegjshëm dhe aktiv është partneri më i vlefshëm i institucioneve të drejtësisë. Këtu një rol thelbësor duhet të luajë edhe Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, në kuadër të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut.

Nëse qytetarët nuk e kuptojnë rolin e institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, kufijtë e kompetencave të institucioneve dhe mekanizmat e ankimit, sistemi i drejtësisë rrezikon të perceptohet si i mbyllur dhe i pakuptueshëm. Sot po përballemi më një situatë shqetësuese, ku faktorët, të cilët kanë ndikuar në krijimin e saj mund të jenë të ndryshëm. Por mungesa e reagimit dhe marrjes së masave nga ana jonë për të parandaluar këto fenomene negative mund të sjellë pasoja të rënda, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për vetë shoqërinë tonë. Për këtë arsye, personalisht mendoj se të gjitha organet tona duhet të vijojnë më tej përpjekjet dhe të investojnë në transparencë, edukim ligjor dhe komunikim publik, duke e bërë drejtësinë më të afërt me qytetarin, më të qartë në funksionet e saj dhe më të besueshme në rezultatet që prodhon, apo që ka detyrim ligjor të prodhojë.

Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ofron angazhim maksimal, që të zhvillojë një kulturë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, ku të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë si KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës, apo dhe organet e tjera, si Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, të punojnë mbi plane veprimi strategjik të përbashkëta, për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Ky proces kërkon vizion afatgjatë, plan të strukturuar zbatimi dhe një vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve, në mënyrë që çdo rekomandim të shndërrohet në realitet institucional. Rruga drejt një sistemi drejtësie efikas dhe të qëndrueshëm kërkon bashkërendim institucional, transparencë dhe respekt të parimit të ndarjes së pushteteve. Vetëm në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare do të mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie.

Sesioni pyetje-përgjigjeve

Pyetja 1. Pyetja e parë e zotit Bozdo është një grup pyetjesh. Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 96/2016, (nenet 124, 124/1) Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka të drejtë të fillojë  hetimin disiplinor kryesisht, kur informacioni nga media apo burime të tjera është i besueshëm. Në ushtrim të së drejtës së tij për të filluar kryesisht procedimin disiplinor, ILD ka të drejtë të kërkojë nga çdo institucion të dhëna në lidhje me pasurinë apo figurën e magjistratit. A është indicie e besueshme një vendim gjyqësor penal i autoritetit gjyqësor të huaj i marrë· në formën e kërkuar nga ligji, me apostile për ILD për të filluar një procedim disiplinor ndaj një magjistrati në detyrë në Gjykatën e Posaçme?

A është indicie e besueshme informacioni i Prokurorisë së Përgjithshme se vendimi i dënimit penal të magjistrates Irena Gjoka është autentik? Pse nuk është i mjaftueshëm ky informacion për marrjen e të dhënave kryesisht nga ILD, administrimin e praktikës dokumentare nga Prokuroria e Përgjithshme, kërkimi i informacionit nga Shërbimet Shtetërore Informative, apo institucione të tjera që kanë informacion?

A është informacion i mjaftueshëm për të kërkuar informacion në lidhje me deklaratat apo formularët e plotësuar nga magjistratja Irena Gjoka për efekte të kalimit/emërimit të saj në Gjykatën e Posaçme, apo gjatë procedurës së procesit të vlerësimit kalimtar, duke qenë se sipas nenit 102 të ligjit nr. 96/2016 çdo magjistrat ka detyrimin e deklarimit të shkaqeve për mbarimin e mandatit, në të kundërt kryen shkelje disiplinore, si dhe mosdeklarimi i çdo vendimi dënimi përbën shkak shkarkimi për gjyqtaret e gjykatave të posaçme?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Për pyetjen e parë, fakti që pretendohet në 3 pyetjet e mësipërme ka natyrë penale, siç edhe u evidentua nga Prokurori i Përgjithshëm. Ky fakt është në hetim dhe vetëm në përfundim të hetimit penal, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të vlerësojë mbi përgjegjësi disiplinore administrative të magjistrates Gjoka. Ligji për “Statusin”, i cili disiplinon procedurën e hetimit disiplinor që kryhet nga ILD në nenin 126 të tij i jep përparësi procesi penal, në krahasim me një procedurë disiplinore, që mund të zhvillohet për të njëjtat fakte. Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përfundim të procesit penal do të vlerësojë nëse ka fakte të mjaftueshme për të filluar një procedurë disiplinore sipas parashikimeve ligjore.  

Pyetja 2. Edhe për këtë pyetje, është një grup pyetjesh. Bazuar në nenin 102 nr. 96/2016 është parashikuar si shkelje disiplinore në ushtrim të detyrës, ndër të tjera mosrespektimi i legjislacionit procedural, kur një fakt i tillë është konstatuar nga gjykatat më të larta.

A është indicie e mjaftueshme për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për fillimin kryesisht të procedimit disiplinor konstatimi i zbatimit të gabuar të legjislacionit procedural penal nga GJEDNJ?

A ka shërbyer rasti “Gëllçi” kundër Shqipërisë për ILD për të verifikuar nëse ka shkelje disiplinore nga magjistratët që caktuan apo miratuan masat e sigurimit përkatës?

A është indicie e mjaftueshme për ILD për fillimin e procedimit disiplinor kryesisht konstatimi i GJEDNJ se Gjykata e Lartë ka një praktikë të gabuar në rrëzimin e kërkesave për konstatimin e shkeljes së afatit të arsyeshëm të gjykimit, se reforma në drejtësi nuk është shkak i mjaftueshëm për të përligjur vonesat në gjykim?

A është indicie e mjaftueshme për ILD konstatimi nga Gjykata Kushtetuese se vendimi i Gjykatës së Lartë është i paarsyetuar?

A ka ILD një praktikë, sa vendime duhet të konstatohen në shkelje të Kushtetutës për një magjistrat, që ndaj tij të fillojë procedimi disiplinor?

A është i mjaftueshëm për ILD për të filluar hetim disiplinor ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe gjyqtarëve që kanë miratuar kërkesat e tyre konstatimi nga Gjykata Kushtetuese se janë shkelur të drejtat kushtetuese të individëve, në një rast edhe gazetar, me anë të kontrolleve të pajustifikuara, të paarsyetuara, me interpretimin, jo në pajtim me Kushtetutën dhe KEDNJ të dispozitave në lidhje me sekuestrimin e korrespondencës?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Cënimi i vendimmarrjes brenda shkallëve të gjyqësorit është pjesë e kontrollit të vendimeve gjyqësore dhe ushtrimit hierarkik të pushtetit gjyqësor. Ky kontroll gjyqësor realizohet në kuadër të rritjes së cilësisë së drejtësisë dhe nuk ka si qëllim në vetvete përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve. Ndryshimi apo prishja e një vendimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, nuk mund të përbëjë apriori, bazë të mjaftueshme faktike për procedimin disiplinor të magjistratit, nëse nuk shoqërohet me elementë të tjerë, të cilat tregojnë se magjistrati ka vepruar në keqbesim duke ceduar nga detyrimi për ushtrimin me dinjitet të detyrës në përputhje me ndërgjegjen për interpretimin e fakteve në zbatim të normave të së drejtës.

Nëpërmjet instrumenteve ligjorë në dispozicion, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar problematikën e tejzgjatjes së proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme, nëpërmjet rekomandimeve të natyrës rregullatore dhe administrative, që kanë rezultuar nga inspektimi tematik të kryera. Në rastet kur ka evidentuar shkelje disiplinore, raste të vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë. Masat e propozuara për këto shkelje disiplinore janë:

  • “Shkarkim nga detyra” – për 2 gjyqtarë dhe 3 prokurorë;
  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”- për 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë;
  • “Vërejtje publike” – për 3 gjyqtarë dhe 1 prokuror.

Procedimi disiplinor nuk lidhet me numrin e vendimeve që mund të konsiderohen si në shkelje të Kushtetutës. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendos hetimin disiplinor kur ekzistojnë fakte të mjaftueshme që krijojnë standardin e dyshimit të arsyeshëm se shkelja disiplinore është kryer.

Sa i takon cenimit të vendimmarrjeve të Gjykatës së Lartë nga Gjykata Kushtetuese për mangësi në arsyetim, sqaroj se ky cenim është në kuadër të kontrollit kushtetues që Gjykata Kushtetuese realizon në funksion të respektimit të parimit të procesit të rregullt ligjor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka evidentuar asnjë rast, ku vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mungesën e arsyetimit të përbëjë shkak për fillimin e një hetimi disiplinor. Pavarësisht kësaj ne monitojmë në mënyrë të vazhdueshme respektimin nga organet e pushtetit gjyqësor të standardeve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

Nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar që vendimmarrjet e gjykatave të posaçme të jenë cënuar nga Gjykata e Lartë, me arsyetimin se janë dhënë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, apo praktikat unifikuese të Gjykatës së Lartë të tilla, që të kenë sjellë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit për të justifikuar fillimin e një hetimi disiplinor.

Pyetjet 3, 4 dhe 5. A mjafton njoftimi publik se është arrestuar një avokat për shkak të ushtrimit të detyrës në sallën e gjyqit, për të filluar procedimin disiplinor kryesisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për magjistratët e përfshirë?

A është e mjaftueshme sjellja e magjistratit prokuror, që vendos të nxjerrë jashtë sallës së gjykimit palën kundërshtare, vendos ta arrestojë dhe më tej e arreston, për të filluar procedimin disiplinor ndaj tij? A duhet të kishte një reagim më reaktiv nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për rastin?

A është e mjaftueshme për të filluar hetimin disiplinor ndaj magjistrates gjyqtare për njëanshmëri në gjykim, pasi ka lejuar që seancën ta drejtonte prokurori, ka penguar aktivisht të drejtën e mbrojtjes. A është parim kushtetues thelbësor gjykata e paanshme, a janë shkelje të rënda procedurale mosgarantimi i paanshmërisë dhe kufizimi i të drejtës së mbrojtjes?

A është në misionin e ILD verifikimi i zbatimit të dispozitave procedurale nga magjistratët?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përputhje me parashikimet ligjore bazuar në informacionin e bërë publik në media ka filluar verifikimin kryesisht të rastit dhe besoj jemi në përfundim, për të cilin do bëhet edhe njoftim publik.

Pyetja 6. A është kryer verifikim prej Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të asaj që është referuar nga Prokurori i Përgjithshëm në Kuvend, se prokurorët e rinj nuk e dinë pozitën e tyre procedurale, komunikojnë me ambasadat e huaja për çështjet hetimore dhe gjyqësore që kanë në proces? A ka shkelje të sekretit hetimor kur prokurorët japin informacion për çështjet me përfaqësues të shteteve të huaja?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Inspektori i Lartë i Drejtësisë për rastin konkret ka vendosur më herët fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë dhe në përfundim të këtij hetimi ka konkluduar se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates përbëjnë “Shkelje disiplinore e lehtë”, sipas nenit 102 pika 1 shkronjat “g” dhe “j” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, kërkesë që u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Pyetja 7. A ka ndonjë raportim nga kryetarët e gjykatave në lidhje me respektimin e orarit zyrtar nga magjistratët? A mjaftojnë njoftimet në media, se megjithëse raportojnë ngarkesë në punë, magjistratët gjyqtarë punojnë part-time 2 ditë, në gjykatat ku janë emëruar dhe 3 ditë në Tiranë, për të verifikuar disiplinën në punë nëpërmjet sistemeve të kamerave të institucioneve përkatëse apo sistemit të menaxhimit të dosjeve?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Siç e përmenda edhe më sipër, marrë shkas nga disa ankesa, të cilat i janë nënshtruar verifikimit, por edhe informacionit të paraqitur nga vetë gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një problematikë e sistemit gjyqësor sot është produktiviteti dhe efektiviteti i magjistratëve në planifikimin dhe zhvillimin e seancave gjyqësore si dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për shmangien e seancave joproduktive. Për adresimin e kësaj situate Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar kryerjen e një inspektimi tematik në 9 gjykata të juridiksionit të përgjithshëm me objekt: “Mbi planifikimin dhe zhvillimin e seancave për një periudhë 10 mujore”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Pyetjet e deputetit Bardh Spahia.

Pyetja 1. Duhet t’i keni ndjekur rastet e sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, si dhe gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe Apelit Administrativ. Lidhur me këto sulme, a ka pasur nga ana e Kryeministrit apo Ministrit të Drejtësisë ankesa zyrtare të paraqitura pranë institucionit tuaj? Nëse po, sa është numri i këtyre ankesave dhe cilët janë gjyqtarët konkretë ndaj të cilëve është ankuar Kryeministri/Ministri i Drejtësisë? Në çfarë faze janë këto ankesa dhe a ka pasur vendimmarrje lidhur me to? Nëse po, cilat kanë qenë këto vendimmarrje dhe a mund të na shpjegoni çfarë ka rezultuar nga verifikimet/hetimet tuaja? E thënë ndryshe a ka rezultuar që sulmet e kryeministrit kanë pasur ndonjë bazë ligjore apo kanë qenë vetëm sulme politike nga një palë gjyq humbëse?

Në këtë linjë pyetjesh, do të doja të dija edhe lidhur me ankesat që ka pasur ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, tashmë nën arrest me burg, ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarëve Erion Bani dhe Engert Pëllumbi. Kujtoj këtu për publikun që veçanërisht ndaj këtij prokurori, por edhe dy gjyqtarëve, ka pasur sulme të orkestruara publike dhe mediatike qoftë nga i burgosuri Veliaj, por edhe media të caktuara që sic rezultoi nga hetimet e SPAK kanë qenë sulme të orkestruara. Në çfarë faze janë këto ankesa, a ka pasur vendimmarrje lidhur me to dhe cilat kanë qenë këto vendimmarrje? Edhe në këtë rast, do të doja të dija nëse ka rezultuar ndonjë shkelje konkrete apo edhe këto sulme kanë qenë të natyrës politike? Meqënëse jemi te sulmet e kryeministrit Edi Rama. Në fakt ka pasur edhe sulme ndaj institucionit tuaj dhe ju personalisht, si një institucion që nuk po përmbushni detyrën, që nuk adresoni ankesat dhe nuk kërkoni marrjen e masave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që sipas tij kryejnë shkelje sepse nuk marrin vendimmarrje të pëlqyeshme për kryeministrin.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Ministri i Drejtësisë është subjekt i posaçëm i parashikuar nga ligji për të paraqitur pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ankesa të cilat ILD i shqyrton në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore. Disa prej këtyre ankesave kanë përfunduar dhe Ministria e Drejtësisë është njoftuar për vendimmarrjet përkatëse dhe disa ankesa të tjera janë në proces vlerësimi në kuadër të ushtrimit të kompetencave që ILD ka. Ndërkohë bashkëpunimi institucional me Ministrinë e Drejtësisë ka qenë i vazhdueshëm edhe në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike. Në total nga viti 2020 deri më tani, Ministria e Drejtësisë ka paraqitur Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 29 ankesa dhe është filluar hetimi disiplinor për 10 raste.

Në lidhje me ankesat konkrete të referuara ndaj magjistratëve specifikë, dëshiroj të sqaroj, se ILD i ka në proces shqyrtimi këto ankesa referuar parashikimeve ligjore dhe në mbrojtje të parimit të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së integritetit të magjistratit nuk mund të ndajë detaje të mëtejshme në këtë fazë, por Inspektori i Lartë i Drejtësisë me proaktivitet vlerëson çdo burim informacioni publik dhe ankese individuale.

Pyetja 2. Si i vlerësoni këto sulme? Si ndikojnë ato në punën e institucionit tuaj? A cenojnë pavarësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë? A ndihen inspektorët e ILD-së nën presion, trysni apo kërcënim nga pushteti ekzekutiv dhe kryeministri Edi Rama? Nuk kemi parë asnjë reagim ndaj këtyre sulmeve, dhe dua të kuptoj se cila ka qenë arsyeja që keni zgjedhur të heshtni ndaj deklaratave të Kryeministrit? Pra, cili ka qenë shqetësimi apo droja juaj ndaj këtyre sulmeve që ju kanë atakuar drejtpërdrejt dhe personalisht?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Për hir të së vërtetës, unë kam mbajtur qëndrim publik zoti Spahia, për çdo deklaratë publike politike dhe jo vetëm ato të thëna nga Kryeministri, por nga kushdo. Këtë e kam bërë edhe në rastin konkret me deklaratë të drejtpërdrejtë, edhe nëpërmjet punës sime. E fundit ishte dy javë para ndodhjes së fatkeqësisë në Gjykatën e Apelit, ku humbi jetën magjistrati, ku unë mbajta qëndrim, deklarova dhe dhashë këto mesazhe.

E para, gjyqtarët nuk mund të kërkojnë pavarësi vetëm politike, por duhet të kërkojnë pavarësi nga çdo interes tjetër.

E dyta, çdo kritikë apo çdo fyerje që shkon përtej kritikës normale të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është antikushtetuese.

E treta, u kam kërkuar vetëpërmbajtje gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse deontologjia apo niveli i deontologjisë politike që kanë politikanët, nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Ata janë në detyrë për të ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.

Dhe e fundit, Kushtetuta dhe ligji kanë garantuar se çdo gjyqtar dhe prokuror të ndihet i lirë në ushtrimin e detyrës.

Ajo që dua të theksoj në fakt me këtë është që natyrisht kur ka deklarata politike, si çdo njeri, të gjithë kemi emocione, por mua nuk më lejohet të kem emocione në ushtrimin e detyrës sime. Unë do të bëj detyrën time për çdo deklarim që mund të jetë politik, për të parë nëse në atë deklarim politik ka elemente që lidhen me punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pyetja 3. Muajt e fundit ka një debat të madh për draftin e ri të Kodit Penal, të publikuar nga Ministria e Drejtësisë si produkt i punës së një grupi ekspertësh, që askush nuk di të thotë si janë përzgjedhur dhe çfarë metodologjie pune kanë ndjekur. Draft, i cili akoma nuk ka ardhur në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë, pyetja që kam për ju është nëse:

Keni qenë apo jo pjesë e procesit të konsultimit të këtij drafti, dhe si profesionist i ligjit, por edhe shkak të funksionit tuaj të rëndësishëm kushtetues, do të doja të di cili është mendimi juaj për draftin e ri të Kodit Penal? A ndani ju fjala bie shqetësimet e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorët të Përgjithshëm lidhur me teknikën legjislative, numrin e lartë të neneve dhe kriminalizimin e shumtë të sjelljeve shoqërore? E bëj këtë pyetje, sepse nëse ky drafti vjen ndonjë ditë në tryezat e Kuvendit, mendimi juaj mund të na ndihmojë për qëndrimin që duhet të mbajnë edhe deputetët lidhur me të.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka qenë i përfshirë në procesin e draftimit të Kodit të ri Penal. Jemi vënë në dijeni të këtij kodi në fillim të shtatorit dhe na është dërguar për mendim. Natyrisht ky është një proces që kërkon kohë për shkak të volumit dhe vlerësimit skrupuloz dhe të kujdesshëm që duhet bërë për këtë dokument dhe kur të kemi një përgjigje do e bëjmë publike apo në konferenca që do organizohen, apo konsulta publike që do organizohen për këtë temë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Pyetje nga zoti Oerd Bylykbashi.

Qytetarët ankohen për kohën e gjatë të proceseve hetimore nga Prokuroria, ashtu si edhe për kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore. A ka pasur ndonjë inspektim nga ana e institucionit tuaj për kohëzgjatjen e proceseve hetimore dhe atyre gjyqësore? Nëse po, cilat kanë qenë gjetjet, konkluzionet dhe masat e rekomanduara nga këto inspektime? Nëse jo, a nuk vlerësoni se është brenda rolit tuaj që të adresoni një shqetësim kaq të madh të qytetarëve shqiptar që përballen me organet e drejtësisë për të kuptuar nëse zvarritja e hetimeve dhe proceseve gjyqësore vijnë si rezultat i mospërmbushjes në mënyrën e duhur të funksioneve të tyre nga gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar?

Për të kuptuar këtë fenomen, besoj do të na ndihmonin edhe disa të dhëna nga ana juaj.

Sa është numri i ankesave që keni marrë lidhur me zvarritjen e hetimeve dhe proceseve gjyqësore? Sa prej këtyre ankesave janë duke u verifikuar? Sa prej këtyre ankesave janë arkivuar? Sa prej këtyre ankesave janë nën hetim? Për sa prej këtyre ankesave ka filluar procedimi disiplinor? Dhe në sa raste keni kërkuar marrjen e masave për prokurorë apo gjyqtarë nga Këshillat përkatës, KLP apo KLGJ? Në sa prej rasteve që keni kërkuar marrjen e masave, është pranuar kërkesa juaj?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Këto të dhëna në fakt i paraqita dhe në fjalën hyrëse, por nëse zoti Bylykbashi do t’i përsëris edhe njëherë…!

Kryetari i Kuvendit z. Niko PeleshiNëse keni kthyer përgjigje, vijoni me pyetjet e tjera.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Pyetja 2. Në fakt, u fol këtu për kohëzgjatjen e proceseve hetimore dhe atyre gjyqësore, të cilat sigurisht janë një shqetësim i madh. Por, në mënyrë të përsëritur, ne si deputetë marrim ankesa edhe lidhur me kohën e gjatë të trajtimit të ankesave nga institucioni juaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Sipas ankesave që kemi marrë ne, verifikimi, shqyrtimi dhe hetimi i një ankese deri në një vendimmarrje konkrete mund të marrë edhe vite. Tani për të kuptuar më mirë këtë shqetësim qytetar, do të doja të dija:

Sa është kohëzgjatja e shqyrtimit të një ankese të paraqitur pranë institucionit tuaj? A e vlerësoni se kjo kohëzgjatje është përtej afatit të arsyeshëm? Dhe duke qenë se një ankesë mund të marrë kohë të gjatë për shqyrtimin e saj, a shndërrohet kjo në një mekanizëm joefektiv për shkak se siç dihet pesë vite pas konsumimit të shkeljes disiplinore, ajo parashkruhet dhe nuk mund të fillojë procedimi disiplinor? Pra, kohëzgjatja a rrezikon që gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë shkelje disiplinore të mbeten të pandëshkuar, pasi shkeljet parashkruhet dhe ju gjendeni në pamundësinë ligjore për fillimin e procedimit disiplinor?

A po amnistohen prokurorët dhe gjyqtarët që shkelin ligjin për shkak të vonesave në shqyrtimin e ankesave ndaj tyre?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Kur filloi punë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në janar të vitit 2020, siç e kam përmendur edhe në Komisionin e Ligjeve, për gati një vit ILD ka punuar me vetëm një inspektor. Që në fillim të detyrës pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u transferuan 3 mijë ankesa, diçka më pak nga institucionet e mëparshme dhe natyrisht nga të dhënat që kemi, nga këto ankesa rreth 625 prej tyre erdhën të parashkruara. Me gjithë këtë backlog, apo numër të ankesash që erdhën edhe me numrin që vinin pranë ILD, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, krijoi, apo mori masa për të miratuar 3 urdhra me karakter të përgjithshëm për administrimin, kategorizimin, si dhe përcaktimin e mënyrës së trajtimit të ankesave, në mënyrë që edhe backlog-u të hiqej, por edhe të ishim në kohë për t’iu përgjigjur qytetarëve, veçanërisht për çështjen që ju ngritët, që ankesat të mos parashkruheshin pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Trajtimi i ankesave sipas metodologjisë që është edhe publike është në faqen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, bëhet sipas një rendi përparësie bazuar në kritere si: data e dorëzimit; tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës; respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Numri i ankesave siç ju thashë, në momentin kur erdhën në ILD të parashkruara ishte 625, prej të cilave 99 janë parashkruar në ILD, pra 1.3%, e totalit të ankesave të trashëguara nga organet e mëparshme (backlog). Vlerë e papërfillshme, nëse marrim në konsideratë se në këto vite është synuar ngritja e institucionit nga fillimi, krijimi dhe vendosja e standardeve të punës, unifikimi dhe njëtrajtshmëria e procedurave dhe në veçanti burimet e kufizuara njerëzore sa i takon numrit të inspektorëve ku edhe sot 5 vite pas ngritjes së tij ILD funksion me 50 përqind të kapacitetit të inspektorëve. Në çdo rast, nga ILD tregohet kujdes i shtuar, që pavarësisht mosndjekjes së afateve të trajtimit të ankesës, çdo pretendim i ngritur në ankesa të trajtohet brenda afatit 5 vjeçar të parashkrimit, duke e adresuar nëpërmjet priorizimit të shqyrtimit të ankesave, ku afati i shkeljes së pretenduar është parësor.  Njëkohësisht për shkak të standardit të vendosur, çdo rast, edhe nga hetimet, edhe nga vendimet e këshillave, veprimtaria e magjistratit kur vendoset fillimi i një hetimi disiplinor vlerësohet në kompleks (vonesat dhe/ose zvarritja) dhe për rrjedhojë magjistrati nuk amnistohet, edhe sikur të jetë parashkruar një ankesë individuale.

Pyetja 3. Qytetarët, por edhe mediat dhe shoqëria civile, vijojnë të ankohet për prokurorë dhe gjyqtarë që ushtrojnë detyrën e tyre në kushtet e konfliktit të interesit, të papajtueshmërisë me detyrë, në shkelje të rregullave të etikës dhe solemnitetit, në kushtet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm apo edhe korrupsionit.

A ka pasur inspektime nga ana juaj në zyra prokurorie apo gjykata të caktuara lidhur me këtë fenomene? Nëse po, cilat kanë gjetjet, konkluzionet dhe masat e rekomanduara nga këto inspektime? Nëse jo, a nuk vlerësoni se është brenda rolit tuaj që të luftoni nëpërmjet mekanizmave ligjore që keni në dispozicion, rastet e konfliktit të interesit, të nepotizmit, papajtueshmërisë, shkeljeve të etikës dhe solemnitetit, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit në prokurori dhe gjykata? Për të kuptuar akoma edhe më mirë ky fenomen, do të doja të na thuhet sa është numri i ankesave që keni marrë lidhur me problematikat e mësipërme?

Sa prej këtyre ankesave janë në verifikim? Sa është numri i ankesave të arkivuara? Sa është numri i ankesave nën hetim? Sa është numri i ankesave për të cilat keni filluar procedimin disiplinor? Sa është numri i ankesave që keni kërkuar marrjen e masës disiplinore?

Cilat kanë qenë vendimmarrjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët e proceduar dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët e proceduar?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Një problematikë e adresuar në mënyrë vijuese edhe nga ankesat janë edhe pretendimet për cenim të parimit të paanshmërisë apo dhe konfliktit të interesit. Ligjvënësi ka adresuar nëpërmjet mekanizmave proceduralë garancitë e nevojshme për të siguruar të drejtat e palëve për gjykim nga një gjykatë e paanshme, nëpërmjet mundësisë së magjistratit për të kërkuar heqjen dorë nga gjykimi apo dhe procedimi dhe të drejtën e palëve pjesëmarrëse për të kërkuar përjashtimin/zëvendësimin e magjistratit. Respektimi i këtyre instituteve procedurale kontrollohet brenda shkallëve të sistemit gjyqësor. Edhe nga Gjykata e Lartë nuk janë konstatuar cenime të parimit të paanshmërisë apo gjykimit në kushtet e konfliktit të interesit, të tilla që të sjellin inicimin e procedurave disiplinore, që duhet të konsiderohen masa e fundit ndëshkuese për magjistratin.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar standardin e zhvillimit të një gjykimi të paanshëm, edhe nëpërmjet inspektimeve tematike që përbëjnë detyrim ligjor, respektivisht inspektimi tematik mbi ndarjen e çështjeve me short në gjykata dhe caktimin e çështjeve në zyrat e prokurorisë. Nëpërmjet këtyre inspektimeve tematike Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka synuar të monitorojë procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarit apo prokurorit nëpërmjet shortit me qëllim që të ofrohen garancitë e nevojshme të paanshmërisë dhe të parandalohet abuzimi i mundshëm në lidhje me formimin e trupit gjykues, nëpërmjet përdorimit të metodave selektive.

Për shkeljen disiplinore të papajtueshmërisë, ose të konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë është vendosur fillimi i hetimit disiplinor për 1 magjistrat gjyqtar dhe 4 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.  Është paraqitur kërkesë për procedim për 1 magjistrat gjyqtar për shkarkim nga detyra, i cili është pezulluar deri në përfundim të procedurës së rivlerësimit kalimtar me vendimmarrje përfundimtare të KPA. Ndërsa për 4 anëtarë këshilli është mbyllur hetimi disiplinor për pamjaftueshmëri të provave.

Pyetja 4. Besoj jeni familjar me rastin e gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Znj. Irena Gjoka/Maneku/Shpata, e cila rezulton e dënuar në shtetin grek. Këtë dënim nuk e ka deklaruar as në formularin e dekriminalizimit, ashtu si edhe në procesin e saj të vetting-ut. Lidhur me këtë gjyqtare ka pasur në ankesë zyrtare nga Partia Demokratike.

Në çfarë fazë është kjo ankesë? A janë kryer verifikimet paraprake dhe cila ka qenë vendimmarrja deri në këtë fazë lidhur me këtë ankesë? Nëse janë kryer, çfarë ka rezultuar nga verifikimet tuaja? Nëse nuk janë kryer apo nëse ankesa është arkivuar, a nuk vlerësoni se një gjyqtare e dënuar me vendim penal të formës së prerë në një vend të Bashkimit Evropian, dënim të cilin nuk e ka deklaruar në organet kompetente, kryen shkelje të rëndë disiplinore, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi?

Për të shmangur çdo përgjigje evazive, jam i qartë që kjo çështje trajtohet edhe nga Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, por do të doja të kuptoja qëndrimin tuaj lidhur me rastin në fjalë, apo edhe përtej rastit nëse mendoni që një gjyqtar apo prokuror i dënuar me vendim penal të formës së prerë, vendim të cilin e fsheh nga institucionet shtetërore, duhet të vazhdojë të qëndrojë në detyrë dhe të japë “drejtësi” për qytetarët.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani: Përgjigja është e njëjtë, si për pyetjen e mëparshme.  Fakti që pretendohet ka natyrë penale siç edhe u evidentua nga Prokurori i Përgjithshëm. Ky fakt është në hetim dhe vetëm në përfundim të hetimit penal Inspektori i Lartë i Drejtësisë do mund të vlerësojë mbi përgjegjësi disiplinore administrative të magjistrates.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat