9.5 C
Tirana
Saturday, December 13, 2025

Raporti vjetor i ILD-së, Metani nga Komisioni i Ligjeve: Për vitin 2024 janë proceduar 11 magjistratë, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë

Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Artur Metani e nisi fjalën e tij në raportimin vjetor në Komisionin e Ligjeve, duke falenderuar Kuvendin për aktin solemn, të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje. “Solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë, është shumë e vështirë” tha Metani.

Më tej, Metani u shpreh se “gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa te reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan te mbartura nga vitet e mëparshme. Ne total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Përveç qytetarëve, ankues gjatë vitit 2024 ka patur edhe institucione të sistemit, si kryetar gjykate me 2 ankesa, drejtues të prokurorive me 20 ankesa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 2 përcjellje për kompetencë dhe Gjykata e Lartë me 4 vendimmarrje për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm’.

Raporti i plotë:

Paraqitja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani në seancën dëgjimore për raportimin e veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për vitin 2024, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Fillimisht, meqënese është hera e parë që jam para kuvendit të ri, më lejoni t’ju uroj secilit punë të mbarë, sidomos deputetëve të rinj. Suksese në legjislaturën e 11-të!

Së dyti, më lejoni të vlerësoj rolin e rëndësishem të Kuvendit në këtë situatë që kaluam dhe po kalojmë prej ngjarjes në fillim javën e shkuar. Ajo që ndodhi ishte tronditëse për të gjithë. E falenderoj Kuvendin për aktin solemn, të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje. Solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me cmim shumë të rëndë, është shumë e vështirë. 

Me këto ndjesi, kemi përgatitur me kolegët këtë raportim, duke paraqitur këtu jo vetëm shifra, por edhe një panoramë të problemeve të sistemit gjyqësor sot, sipas këndveshtrimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe sfidat që duhet të adresojmë, ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë e publikë.

Sa i takon raportimit do ndalem në fillim tek rekomandimet e lëna, sipas rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në një sintezë të nivelit të zbatimit të tyre dhe për t’ju vënë në dijeni, se janë përmbushur plotësisht të gjitha rekomandimet e lëna.

Rekomandimi 1. Të adresojë nëpërmjet instrumenteve që i jep ligji problematika të ndjeshme për publikun, si institucion garantues i sistemit të drejtësisë, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të besimit të publikut jo vetëm për ILD-në, por për të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë.

Në planin vjetor të inspektimeve të ILD-së, tematikat e tyre përfshijnë:

  • Problematikat e evidentuara nga shqyrtimi i ankesave.
  • Vlerësimi i pretendimeve më të shpeshta për shkelje të ndryshme nga ana e magjistratëve, administratës së gjykatave apo prokurorive.
  • Propozimet e ardhura nga institucionet, të cilat bëhen në përputhje me parashikimet e nenit 194, pika 4 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
  • Të dhënat e paraqitura nga informacion periodik i gjykatave.
  • Dispozitat e zbatueshme që parashikojnë ndërmarrjen e inspektimeve.

Rekomandimi 2.  Vëmendje e veçantë plotësimit të vakancave në pozicionet e inspektorit magjistrat dhe të inspektorit jomagjistrat.

Inspektori i Lartë të Drejtësisë i ka dhënë vëmendje të veçantë procesit të plotësimit të vakancave në pozicionet e inspektorit magjistrat dhe të inspektorit jomagjistrat, duke:

  • Paraqitur kërkesa për komandim të magjistratëve në Këshilla.
  • Shpallur vakancat dhe nxjerrjen e urdhrit për fillimin e procedurës së përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë për pozicionin e inspektorit pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Rekomandimi 3.  Ndërmarrjen e masave të rregullta për kontrollin e figurës dhe të pasurisë/integritetit në përputhje me standardet e larta të procesit të rivlerësimit, veçanërisht për inspektorët jomagjistrat.

Procesi i verifikimit të kontrollit e figurës dhe të pasurisë/integritetit për kandidatët për inspektor jomagjistrat është realizuar në përputhje me kriteret ligjore (neni 209, pika 6; nenit 283 pika 4; nenit 240 të ligjit nr. 115/2016), duke ushtruar kontroll të plotë dhe të gjithanshëm me organet ligjzbatuese për të verifikuar përmbushjen e kritereve. 

Verifikimi konsiston në 3 shtylla, për të cilat kryhet verifikim i plotë dhe gjithëpërfshirës për secilin kandidat, lidhur me:

–        Kontrollin e plotë të deklaratës së pasurisë, të interesave private dhe detyrimet financiare të kandidatit dhe të personave të lidhur.

–        Verifikimin e pastërtisë së figurës, duke iu referuar standardeve të ligjit për rivlerësimin kalimtar.

–        Verifikimin e kritereve ligjore për vlerësimin e profesionalizmit të kandidatit, duke iu referuar standardeve të KED për këtë kriter.

3 kandidatë janë ndaluar për kriterin e pasurisë dhe 5 kandidatë për kritere të tjera.

Rekomandimi 4. Rritja e numrit të inspektimeve institucionale me objektiv të qartë dhe të përcaktuar, të fokusuara në aspektet specifike të veprimtarisë së gjykatave dhe zyrave të prokurorisë për menaxhimin e çështjeve dhe administrimin gjyqësor dhe hetimor.

Ky rekomandim është realizuar duke rritur numrin e inspektimeve, përmes fuqizimit të mekanizmave të brendshëm për përcaktimin e tematikave në planin e inspektimeve.

–        ILD ka ngritur mekanizmin administrativ të monitorimit të veprimtarisë së magjistratëve, përmes marrjes së informacionit periodik nga gjykatat, duke evidentuar kështu ato fenomene, të cilat janë përfshirë në tematika inspektimi, që lidhen me cilësinë dhe efiçencën e sistemit. Marrëdhënia me Gjykatën e Lartë për vendimet të cilat referohen në ILD, në kuadër të zhvillimit të procesit gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në analiza vjetore të punës së gjykatave kanë ndikuar në rritjen e numrit të inspektimeve.

–        Konkluzionet e analizave nga shqyrtimi i ankesave të publikut dhe rastet e denoncuara në publik, apo edhe kërkesat e ardhura nga institucione të ndryshme kanë shërbyer si mjet i rëndësishëm për të përcaktuar tematikat e planit të inspektimeve.

–        Propozimet e institucioneve të sistemit të drejtësisë gjithashtu kanë qenë një burim i rëndësishëm informacioni.

Të gjitha këto masa kanë shërbyer në përcaktimin e tematikave të planit të inspektimeve, me fokus cilësinë e veprimtarisë gjyqësore.

Për vitin 2025, është miratuar plani i inspektimeve, që përmban 8 tematika inspektimi, të cilat kanë në fokus cilësinë dhe efiçencën e sistemit, duke përfshirë 3 inspektime, që lidhen me sistemin prokurorisë. Për herë të parë është parashikuar kryerja një inspektimi institucional.

Rekomandimi 5.     Përfundimi i vlerësimit etiko-profesional të inspektorëve në një kohë të arsyeshme dhe rezultatet e vlerësimit të përdoren për të zhvilluar programe trajtimi në drejtim të përmirësimit të performancës institucionale.

Procesi i vlerësimit etiko-profesional për 5 inspektorë është përmbyllur dhe aktualisht ka përfunduar edhe procesi për inspektorët magjistratë.  Mbeten për vlerësim 2 inspektorë, procesi për të cilët do të fillojë, gjatë vitit 2026.

Rekomandimi 6.  Angazhimi për të rritur bashkëpunimin me institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë në drejtim të shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit në hetime dhe inspektime tematike, si dhe koordinimin e veprimeve për të adresuar çështje të përbashkëta.

Për sa i takon kësaj çështje, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është angazhuar për të rritur bashkëpunimin, duke marrë pjesë në takime, ku ka bërë thirrje të vazhdueshme për tryeza të përbashkëta midis organeve të sistemit të drejtësisë, për të nxitur diskutime rreth çështjeve, që rrisin cilësinë dhe efiçenën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Disa raste për ilustrim:

  • Qershor 2024, përfaqësues të ILD-së, KLGJ-së dhe KLP-së, u angazhuan në një tryezë të rrumbullakët, në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë, me fokus të veçantë në vlerësimin e vazhdueshëm të gjyqtarit dhe prokurorit.
  • Dhjetor 2024, u zhvillua një mbledhje pune në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Qëllimi i takimit ishte adresimi i sfidave që lidhen me komunikimin institucional dhe forcimi i mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve, për një sistem drejtësie efikas dhe më të qëndrueshëm, përmes tematikave për inspektim në drejtim të disiplinës në punën e magjistratëve. 
  • Takime të ngjashme kanë vijuar edhe gjatë vitit 2025, me fokus tematikat e inspektimit, në funksion të cilësisë dhe eficencës së sistemit gjyqësor dhe ndjekjes së rekomandimeve të inspektimit, e padyshim do jenë të vazhdueshme.

Rekomandimi 7.  Përmirësimi i treguesve të transparencës dhe aksesueshmërinë e publikut duke publikuar informacione periodike, raporte dhe çdo të dhënë tjetër që reflekton veprimtarinë institucionale.

Treguesit e transparencës mbeten prioritet sistematik për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që prej nisjes së funksionimit. Kjo konstatohet së pari nga faqja jonë zyrtare, e cila është përmirësuar edhe gjatë vitit 2024 me këtë pikësynim. Kjo ka sjellë edhe vlerësimin maksimal të Komisionerit për të drejtën e informimit, për të dytin vit rradhazi për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Në filozofinë e ILD-së, mundësia për të shfrytëzuar çdo hapësirë të re për përmirësim, mbetet një angazhim i vazhdueshëm. 

Rekomandimi 8.  Angazhimi në përmbushjen me efektivitet të plotë të gjitha detyrimet institucionale në kuadër të raportimeve, duke kontribuar në kohë në raportimet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Angazhimet në drejtim të integrimit evropian kanë qenë prioritet absolut për ILD-në, përmes raportimeve në kohë dhe me cilësi, sa herë që është kërkuar pranë strukturave të Ministrisë së Drejtësisë, me të dhëna të përditësuara periodikisht.  Gjithashtu ILD ka marrë pjesë gjithmonë në gjitha tryezat të nivelit të lartë, vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo përfaqësuesit e autorizuar, në tryezat teknike, takimet e Grupit Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, takimet shpjeguese dhe koordinuese të thirrura në funksion të angazhimeve të procesit të integrimit. Enkas për këtë rekomandim është vlerësuar edhe rishikimi i strukturës organizative, në mënyrë që të realizohet me efektivitet procesi i përmbushjes së angazhimeve për këtë proces dhe presim miratimin nga Kuvendi.

Natyrisht përveç detyrave të lëna nga Kuvendi në rezolutë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar punën me funksionet e veta organike, që lidhen me ankesat, hetimet e procedimet disiplinore dhe inspektimet tematike. Siç dihet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorive.

Kështu, gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa te reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan te mbartura nga vitet e meparshme. Ne total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga keto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor. Përvec qytetarëve, ankues gjatë vitit 2024 ka patur edhe institucione të sistemit, si kryetar gjykate me 2 ankesa, drejtues të prokurorive me 20 ankesa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 2 percjellje per kompetence dhe Gjykata e Lartë me 4 vendimmarrje për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm.

Përveç ankesave më sipër, gjatë vitit 2024, ILD ka shqyrtuar edhe një numër të konsiderueshem kërkesash nga KLP e KLGJ, për vlerësimin e magjistratëve për periudha të ndryshme vlerësimi. Për 118 kërkesa të sjella nga Këshillat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar 674 ankesa dhe janë në faza të ndryshme trajtimi 11 ankesa. Konkretisht, 578 ankesa janë shqyrtuar, bazuar në 64 kërkesat që ka sjellë KLGJ dhe 9 ankesa janë në faza të ndryshme trajtimi. Ndërsa 96 ankesa janë shqyrtuar për KLP, bazuar në 54 kërkesat që i janë drejtuar ILD-së dhe 2 ankesa janë në fazë shqyrtimi fillestar. Edhe gjatë vitit korrent, dy Këshillat kanë përcjellë kërkesa për ILD në kuadër nevojës për vlerësimin e magjistratëve. 71 kërkesa kanë ardhura nga Këshillat deri në fund të shtatorit, për të cilat ILD ka shqyrtuar 842 ankesa dhe 5 ankesa janë në fazë verifikimi. Pra vetëm për vitin 2024 deri në shtator 2025 janë 1534 ankesa për trajtim nga ILD me kërkesë të Këshillave. Inspektori i Lartë i Drejtëisë ka trajtuar 1516 ankesa, vetëm 18 ankesa janë në proces. Pra është një punë voluminoze dhe trajtimi i tyre bëhet me prioritet për të mos penguar KLGJ-në e KLP-në në proceset e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe në funksion të ngritjeve në detyrë e transferimeve, sipas nevojave të Gjykatave e Prokurorive për të plotësuar vakancat e tyre.

Krahas trajtimit të këtyre dy kategorive të ankesave, gjatë vitit 2024 janë përfunduar 6 inspektime tematike, ndërsa në nisje të vitit kalendarik si zakonisht, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve ka miratuar kalendarin me 6 inspektime tematike.

  1. Nga ankesat e shqyrtuara gjatë vitit 2024, ankuesit ngrenë pretendime:
  2. mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjes gjyqësore dhe vlerësimit të provave.
  3. për vonesa në shpalljen dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
  4. për kryerjen e veprimeve/moskryerjen e veprimeve hetimore, apo vlerësimin e provave të grumbulluara nga organi hetimor gjatë procesit hetimor.
  5. për vendimmarrjeve të padrejta të magjistratëve gjatë shqyrtimit të çështjeve.
  6. për zvarritje të gjykimit nga ana e gjyqtarëve por edhe zvarritje të veprimtarisë hetimore nga prokurorët
  7. për papajtueshmëri apo konflikt interesi dhe shkelje të etikës nga magjistratët.

Gjatë vitit 2024, nga ankesat për të cilat ka nisur hetim disiplinor, ILD ka nxjerrë 23 vendime për 25 magjistratë (11 prokurorë, 13 gjyqtarë dhe 1 anëtar këshilli), nga të cilat, 10 vendime të nisura me iniciativë të   Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë vitit 2024 janë vijuar edhe hetimet e filluara nga viti 2023.

Nga hetimet e nisura me iniciativë, në dy raste Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe hetime pasurore, nisur nga të dhënat e denoncuara në publik. (Një gjyqtar i denoncuar në një emision investigativ dhe një anëtar Këshilli gjatë komunikimit në një mbledhje plenare).

Gjatë vitit 2024, ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, krahasuar me një vit më parë. Konkretisht për këtë vit janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë për shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit, si:

  • Vonesa të përsëritura ose që sjellin pasoja të rënda apo zvarritje të pajustifikuara të veprimeve dhe/ose akteve procedurale.
  • Mosrespektim i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural dhe material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, kur konstatohet nga një gjykatë më e lartë.
  • Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit; shkelje e rregullave të papajtueshmërisë ose të parandalimit të konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
  • Përdorimi i statusit të magjistratit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët.
  •  Veprimi, mosveprimi ose sjellja e magjistratit, që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët në një proces gjyqësor ose procedurë hetimore, në kundërshtim me ligjin.
  • Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me palët, subjektet e tjera të përfshira në proces, me kryetarin, magjistratët e tjerë, si dhe me personelin e administratës gjyqësore.
  • dhe raste kur gjyqtari është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Kështu për 6 gjyqtarë është propozuar masa disiplinore “shkarkim nga detyra” (2 kërkesa janë pranuar, 1 kërkesë është rrëzuar; 1 kërkesë është pezulluar; 2 kërkesa janë në proces në vitin e raportimit)

5 prokurorë janë dërguar për procedim disiplinor në KLP.Për 2 raste është propozuar “Vërejtje konfidenciale”; 3 raste “Ulje e përkohshme e pagës deri në masën 40% për një periudhë njëvjeçare”. (1 kërkesë është pranuar dhe 2 janë rrëzuar, 2 në proces gjatë 2024.)

Sa i takon verifikimit me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nxitës janë së pari, dinamikat e proceseve të punës dhe të dhënat që vijnë nga disa burime. P.sh. gjatë vitit 2024, nga të dhënat e dala nga 4 inspektimet tematike të përfunduara, janë verifikuar 11 raste individuale (për 3 raste ka filluar hetimi disiplinor, 4 raste janë arkivuar pas verifikimit, pasi nuk janë konstatuar shkelje që justifikojnë hetimin dhe 4 raste janë në proces verifikimi).

Burim tjetër kanë qenë informacionet e bëra në publik dhe denoncimet e bëra në media, si psh. komunikimi publik të ministrit të Drejtësisë, sipas të cilit pas fillimit të zbatimit të ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”, janë shfaqur problematika të diktuara nga sjellja e magjistratëve në drejtim të zbardhjes së vendimeve gjyqësore, nxjerrjes së urdhrave të ekzekutimit, apo çështjeve të tjera që lidhen me veprimtarinë e magjistratëve. Nisur nga ky komunikim publik, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar 19 vendime verifikimi, të cilat janë në proces.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucion i kontrollueshëm në punën e vet, pasi vendimet e tij janë të ankimueshme. Gjatë vitit 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka marrë 762 vendime objekt ankimi pranë Komisioneve të Përkohshme të Shqyrtimit të Ankimeve në Këshilla. Vetëm 89 nga 762 vendimet e ILD-së janë ankimuar. Komisionet përkatëse pranë KLGJ e KLP kanë vendosur refuzimin, si të pabazuar të ankimit të paraqitur nga ankuesit ndaj vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, e për pasojë, asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është cenuar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka administruar e shqyrtuar raste, edhe për gjykatat e prokuroritë më të larta të sistemit, si dhe Këshillat, bazuar në ankesa apo inicime, si gjatë vitit 2024, por edhe që prej nisjes së funksionimit të institucionit në vitin 2020, për të patur një panoramë të shtrirë ndër vite të kontrollit të ILD-së në këto institucione. Dua t’ju sjell në vëmendje që një ankesë mund të jetë për 1 ose më shumë magjistratë.

Gjatë vitit 2024 janë depozituar në ILD:

  • 18 ankesa ndaj Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. ILD ka trajtuar gjithsej 25 ankesa për subjektet e posaçme të SPAK
  • 4 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Janë trajtuar gjithsej 12 ankesa për subjektet e posaçme të GJKKO
  • 3 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Eshtë trajtuar 1 ankesë për subjektet e posaçme pranë kësaj Gjykate (GJPAKKO)
  • 24 ankesa për anëtarët e Gjykatës së Lartë
  • Nëse do keni interes, do ju përcjell një panoramë më të shtrirë në kohë, totalin e ankesave për institucionet e epërme të drejtësisë, për periudhën 2020 – 30 Shtator 2025.
  • 158 ankesa ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), prej të cilave janë trajtuar 108 ankesa dhe janë në proces 50 ankesa.
  • 74 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të  Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prej të cilave trajtuar 58 ankesa dhe janë në proces 16 ankesa.
  • 83 ankesa për subjektet e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prej të cilave trajtuar 73 ankesa dhe janë në proces 10 ankesa.
  • 206 ankesa për Anëtarët e Gjykatës së Lartë, prej të cilave janë trajtuar 131 ankesa dhe janë në proces 75 ankesa.
  • 24 ankesa për anëtarët e KLGJ, prej të cilave trajtuar 22 ankesa dhe janë në proces 2 ankesa.
  • 7 ankesa për anëtarët e KLP prej të cilave janë trajtuar 4 ankesa dhe janë në proces 3 ankesa.
  • 13 ankesa për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, prej të cilave janë trajtuar 12 ankesa dhe është në proces 1 ankesë.
  1. Inspektimet tematike janë dimensioni i dytë funksional i punës së ILD-së, pas ankesave. Sic e thashë në krye, gjatë vitit 2024 janë finalizuar 6 inspektime tematike. Konkretisht: 2 inspektime për ndarjen e çështjeve me short, si dhe kontrolli elektronik i raporteve të sistemit elektronik, monitorim për periudha të viteve 2022 dhe 2023; 1 inspektim mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve 2023; 1 inspektim mbi caktimin e çështjeve në prokurori 2023; 1 inspektim mbi dokumentimin nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim.

Për këto 6 inspektime janë lënë 54 rekomandime, ku 9 rekomandime lidhen me marrjen e masave për miratim/nxjerrje aktesh, 29 rekomandime për ndërmarrjen e veprimeve administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. (5 janë monitoruar)

Në nisje të vitit 2024 është miratuar kalendari për 6 inspektime tematike për këtë vit, bazuar në propozime të atyre institucioneve që kanë sjelle propozime për inspektime, por edhe indicieve të marra nga trajtimi i ankesave të administruara dhe angazhime në kuadër të procesit të integrimit. Temat janë:

  • Ndarja e çështjeve me short dhe kontrolli elektronik i raporteve të sistemit elektronik,
  • Mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve,
  • Mbi caktimin e çështjeve në prokurori,
  • Mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore,
  • Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore,
  • Dokumentimi nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim

Krahas kësaj panorame në shifra të veprimtarisë për vitin 2024, dua të ndaj me ju edhe një panoramë, bazuar në rolin detektues të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.  ILD ka rol detektor në sistem, pra evidenton problematikat dhe i referon ato. Kjo është detyra funksionale sipas ligjit.

Nga veprimtaria e vet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar disa problematika dhe konkluzione.

  1. Kohëzgjatja e gjykimeve tej afateve të arsyeshme zvarritja e veprimeve hetimore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore

Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë, nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Për sa vërehet, problematike vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, jurisprudenca e GJEDNj, por dhe në raportet e organizmave ndërkombëtare. Në vendimmarrjen e saj të fundit, GjEDNj ka adresuar edhe rekomandime konkrete për autoritetet vendase, duke theksuar nevojën e plotësimit të vakancave në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore, për të cilën u ideua dhe u ndërmor reforma në drejtësi.

Nëpërmjet instrumenteve ligjorë në dispozicion, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar këtë problematikë, nëpërmjet rekomandimeve të natyrës rregullatore dhe administrative, që kanë rezultuar nga inspektimi tematik i kryer pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore, gjatë periudhës 01.03.2023-31.05.2023, inspektim tashmë i konkluduar me rekomandime konkrete për aktorët e sistemit të drejtësisë.

Nga ky inspektim tematik rezultoi se:

a) Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qënë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë rezulton të jetë gjykata me numrin më të lartë të çështjeve të mbartura për vitin 2023, me një numër total 19275 çështje që përbën 48% të stokut total për gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm. Po ashtu, kjo gjykatë rezulton të ketë regjistruar edhe numrin më të lartë të çështjeve të reja gjatë vitit 2023, konkretisht 31833 çështje, që përbëjnë 38% të totalit të çështjeve të regjistruara në nivel kombëtar për këtë grup gjykatash.

Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë. Gjatë periudhës objekt inspektimi, në Dhomën Civile kanë ushtruar funksionin 26 gjyqtarë, të cilët kanë shpallur 1748 vendime gjyqësore civile me palë kundërshtare.

        b) Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe. Duke vlerësuar rëndësinë që ka plotësimi i vakancave në sistem, nisur nga raportet e Komisionit Evropian dhe Raportit të vitit 2025 për Shtetin e së Drejtës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka rekomanduar Këshillit të Lartë Gjyqësor, si institucioni përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të burimeve njerëzore në gjykata, marrjen e masave efektive dhe të menjëhershme për plotësimin e organikës e kësaj gjykate, duke vendosur edhe një afat 1 vjeçar për përmbushjen e tij. Nga ana jonë do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmbushja e këtij rekomandimi, brenda fushës së kompetencave që ILD ushtron.

c) Arsyeja e tretë është infrastruktura, por këtë çështje do ndalem në vijim të prezantimit.

Nga ana tjeter, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, per shkaqe te palidhura me  arsye jashte kontrollit te magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë këshillave përkatës. Në total, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë. Masat e propozuar për këto shkelje disiplinore janë:

  • “Shkarkim nga detyra” – për 2 gjyqtarë dhe 3 prokurorë;
  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”- për 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë;
  • “Vërejtje publike” – për 3 gjyqtarë dhe 1 prokuror.

Një inspektim tjetër i zhvilluar nga ILD është edhe përdorimi i mekanizmave alternativë të gjykimit. Ky inspektim është zhvilluar pranë gjykatave së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe nga inspektimi është konstatuar, se ndërmjetësimi është përdorur në mënyrë shumë të kufizuar, pavarësisht detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 25 të Kodit të Procedurës Civile. Në përfundim të këtyre inspektimeve është rekomanduar ndër të tjera, pasqyrimi i çdo orientimi të gjyqtarit për ndërmjetësim në procesverbalet e seancave gjyqësore, në mënyrë që të mundësohet monitorimi dhe analizimi i kësaj praktike në inspektimet pasardhëse.

Për të monitoruar veprimtarinë e prokurorëve, në kuadër të ankesave të vazhdueshme për zvarritje të veprimtarisë hetimore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar inspektimin tematik të çështjeve, për të cilat prokurori ka proceduar me kërkesë ose vendimmarrje për pushim, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale përgjatë vitit 2024. Nëpërmjet këtij inspektimi dhe inspektimit institucional, që po zhvillohet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, mbi të gjithë procesin e qarkullimit të dokumentacionit në këtë zyrë prokurorie, Inspektori i Lartë i Drejtësisë synon jo vetëm të evidentojë problematikat, por dhe të adresojë çështje të aspektit sistemik.

Arsyetimi me vonesë i vendimeve gjyqësore, përbën një tjetër problem sistemik me impakt në të drejtën e individëve për një proces të rregullt ligjor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duke reflektuar dhe rekomandimet e lëna për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2023 në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, ka vendosur kryerjen e inspektimeve tematike në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe në një gjykatë të juridiksionit administrativ. Nëpërmjet këtyre inspektimeve tematike, ILD ka bërë një fotografim të situatës së dorëzimit të vendimeve gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Shkodër dhe aktualisht është në përmbyllje të inspektimit tematik pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. Në përfundim të çdo inspektimi, ILD ka vlerësuar të identifikojë një periudhë kohe të arsyeshme, që i nevojitet magjistratit për dorëzimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar, duke marrë në konsideratë mesataren e kohës, që i nevojitet çdo magjistrati në të njëjtën gjykatë për arsyetimin e vendimeve lidhur më çështje të të njëjtës tipologji. Afati i vlerësuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përfundim të çdo inspektimi, nuk zëvendëson në asnjë rast afatin ligjor, por përbën një konstatim nga ILD në momentin e kryerjes së inspektimit, duke mbajtur në konsideratë situatën aktuale të ngarkesës që ka sistemi sot dhe vakancat në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, personalisht mendoj se angazhimi i gjykatës, KLGJ-së, apo dhe vetë Kuvendit, për të hartuar dhe miratuar masa me qëllim reduktimin e backlogut, i cili ka arritur në një numër të madh është një mjet i domosdoshëm.

  1. Infrastruktura e gjykatave dhe regjistrimi i seancave audio

Një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen gjykatat sot është mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për respektimin e kërkesave procedurale për zhvillimin e gjykimit me regjistrim audio. Nga përmbajtja e ankesave, verifikimeve dhe informacionet periodike që administrohen në ILD ka rezultuar, se infrastruktura aktuale nuk mundëson zhvillimin e të gjithë seancave gjyqësore sipas detyrimit ligjor me regjistrim audio, kjo në veçanti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto mangësi së bashku me vakancat në sistem kanë ndikuar në cilësinë e kushteve të punës, duke ekspozuar trupën gjyqësore në mungesë të solemnitetit të zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Gjatë realizimit të inspektimit në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore është evidentuar kjo problematikë dhe ILD ka rekomanduar, që Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Kryetarin e Gjykatës dhe Këshillin e Gjykatës, të marrin masat e nevojshme për të garantuar shfrytëzimin e ambienteve të gjykatës, në mënyrë që gjykimi i të gjitha çështjeve civile me palë kundërshtare të zhvillohet në salla gjykimi të pajisura me regjistrim audio, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2026.

  • Respektimi i solemnitetit të gjykimit dhe i standardeve etike

Respektimi i rregullave të etikës dhe solemnitetit është në fokus të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sjellja e magjistratit është e lidhur me garantimin e ruajtjes e forcimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Në çdo procedim disiplinor të iniciuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përpjekur të ruajë balancën, ndërmjet mungesave dhe sfidave, me të cilat po përballen magjistratët në punën e tyre, me detyrën që magjistrati ka për të shfaqur një model sjellje, i cili mbart vlera, të cilat jo vetëm duhet të transmetohen, por edhe të shfaqen, gjatë ushtrimit dhe jashtë ushtrimit të funksionit. Në rastet kur sjellja jo-etike është faktuar gjatë kryerjes së hetimit disiplinor janë përcjellë propozimet për marrjen e masave disiplinore nga Këshillat. ILD ka vendosur hetimin disiplinor për 14 magjistratë, 10 gjyqtarë dhe 4 prokurorë për cënim të rregullave të etikës dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim për 7 magjistratë, 3 gjyqtarë dhe 4 prokurorë duke propozuar:

  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për 2 magjistratë.
  • “Vërejtje publike” për 3 magjistratë.
  • “Vërejtje konfidenciale” për 2 magjistratë.

Masa ndëshkuese siç është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme është mjeti i fundit, që duhet të zbatohet për të garantuar përgjegjshmërinë e sistemit. Për këtë arsye, vlerësoj se nga Këshillat përkatëse duhet të kenë një bashkëpunim më të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës në trajnimin vazhdues të magjistratëve, veçanërisht atyre me më pak vite përvojë në sistem, në kuadër të shpeshtimit të trajnimeve dhe individualizimit të tyre për rastet e referuar nga ILD dhe rastet për të cilat është vendosur marrja e masave disiplinore. Njëkohësisht vëmendje duhet t’i kushtohet edhe trajnimit vazhdues të magjistratëve të tjerë, në përgatitjen e tematikave me efekt ndërgjegjësues dhe parandalues për shmangien e sjelljeve të tilla në të ardhmen, të cilat mund të kenë impakt serioz në perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë.

  1. Qëndrimet në lidhje me vendimmarrjet gjyqësore dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raport me këtë problematikë

ILD vlerëson të ritheksojë, se roli i tij në shqyrtimin e pretendimeve për vendimmarrje të padrejta nga aktorët e sistemit të drejtësisë, nuk mund të zëvendësojë interpretimin dhe zbatimin, që prokurori i bën normave dhe instituteve procedurale penale, apo dhe shqyrtimin e pavarur gjyqësor që bën gjykata. Kjo është kompetencë e organeve të sistemit të drejtësisë, e cila kontrollohet në themel nga organizimi hierarkik i vetë gjyqësorit, nëpërmjet mekanizmave procedurale të parashikuara nga ligji. Në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë bën një analizë të pavarur të fakteve të pretenduara në përmbajtjen e ankesave, e cila është e pandikuar nga pretendimet që ngrihen nga subjektet ankuese, përfshirë këtu dhe nga subjekte, që kanë detyrimin ligjor për parashtrimin e të dhënave të besueshme për kryerjen e një shkelje disiplinore (siç është rasti i Ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm apo dhe drejtuesve të zyrave të prokurorisë apo kryetarëve të gjykatave).

Elementi i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, sipas qëndrimeve tashmë të vendosura edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, del në pah kur magjistrati gjatë vendimmarrjeve të tij vepron në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, apo praktikat unifikuese të gjykatave më të larta duke deformuar bindjen e brendshme, e cilat duhet të jetë në përputhje me ligjin, analizën e fakteve dhe provave. Edhe cenimi i vendimmarrjes brenda shkallëve të gjyqësorit është pjesë kontrollit të vendimeve gjyqësore dhe ushtrimit të hierarkik të pushtetit gjyqësor. Ky kontroll gjyqësor realizohet në kuadër të rritjes së cilësisë së drejtësisë dhe nuk ka si qëllim në vetvete, përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve. Ndryshimi apo prishja e një vendimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, nuk mund të përbëjë apriori bazë të mjaftueshme faktike për procedimin disiplinor të magjistratit, nëse nuk shoqërohet me elementë të tjerë, të cilat tregojnë se magjistrati ka vepruar në keqbesim, duke çeduar nga detyrimi për ushtrimin me dinjitet të detyrës në përputhje me ndërgjegjen për interpretimin e fakteve, në zbatim të normave të së drejtës.

Pavarësisht kësaj, në raste të ndryshme kur vendimmarrjet e gjykatave më të ulëta janë cënuar nga gjykata më e lartë, duke evidentuar vendimmarrje në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, apo praktikat unifikuese të gjykatës së lartë, të cilat kanë sjellë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar 25 hetime disiplinore dhe ka paraqitur kërkesat për procedim për 9 magjistratë, 7 gjyqtarë dhe 2 prokurorë duke kërkuar:

  • shkarkim nga detyra, për 3 magjistratë;
  • pezullim nga detyra për 1 magjistrat;
  • ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit, për 4 magjistratë;
  • vërejtje publike për një magjistrat.

Një moment tjetër, që duhet evidentuar në kompetencat dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është dallimi i qartë, ndërmjet procedurës disiplinore dhe asaj penale. Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë atribute të qarta në kryerjen e procedurave të hetimit disiplinor ndaj magjistratëve, apo subjekteve të tjera të përfshira në fushën e kompetencës së këtij institucioni. Hetimi dhe procedura disiplinore nuk kane natyrë penale, nuk kane mjete kerkimi si nje organ i ndjekjes penale, por eshte proces administrativ. Rregullat dhe procedurat që ligji ka parashikuar, i shërbejnë garantimit të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor ndaj magjistratit, që dyshohet se ka kryer shkeljen disiplinore dhe palëve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces dhe nuk ofrojnë mekanizma për të evidentuar ekzistencën e një fakti penal. Jo pa arsye, legjislatori i kanë përparësi procedurave penale, civile apo administrative duke e detyruar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të pezullojë hetimin disiplinor, kur është duke u zhvilluar një hetim penal ndaj magjistratit për të njëjtat fakte.

  1. Problematika në lidhje me organizimin dhe funksionimin e zyrave të prokurorive

Në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektori i Lartë i Drejtësië ka mbajtur kontakte të vijueshme me këtë institucion dhe për këtë qëllim ka lidhur edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Ankesat e referuara nga Prokurori i Përgjithshëm kanë shërbyer si të dhëna për inicimin e verifikimeve dhe hetimeve disiplinore ndaj disa magjistratëve, të cilat janë konkluduar me propozimin e masave disiplinore, përfshirë dhe shkarkimin nga detyra.

Njëkohësisht, veprimtaria e zyrave të prokurorisë, në drejtim të zbatimit të akteve rregullatore në marrëdhënie me drejtuesin ka qënë objekt inspektimi tematik. Ky inspektim ka patur qëllim zbatimin e urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, mbi ruajtjen e qëndrueshmërisë së organit të prokurorisë, përmes kohezionit institucional dhe uniformitetit të veprimtarisë në të gjitha prokuroritë, në garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorit në vendimmarrje për çështje konkrete. Ky inspektim vlerësohet të vijohet edhe në vazhdim, pasi nga monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të lëna, por edhe nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të shqyrtimit të ankesave janë konstatuar përsëri problematika.

Në përmbushje të detyrimit ligjor për inspektimin e ndarjes së çështjeve me short në zyrat e prokurorive, ILD ka rekomanduar rishikim të aktit rregullator “Për shpërndarjen e çështjeve në prokurori” dhe unifikim të praktikave të ndryshme të evidentuara gjatë kryerjes së inspektimit, në zyrat e prokurorive pranë Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ky inspektim referuar detyrimeve ligjore do të vijohet, duke patur në fokus monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna.

  1. Produktiviteti në zhvillimin e seancave

Marrë shkas nga disa ankesa, të cilat i janë nënshtruar verifikimit, por edhe informacionit të paraqitur nga vetë gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një problematikë e sistemit gjyqësor sot është produktiviteti dhe efektiviteti i magjistratëve në planifikimin dhe zhvillimin e seancave gjyqësore, si dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për shmangien e seancave joproduktive. Për adresimin e kësaj situate, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur kryerjen e një inspektimi tematik në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm, me qëllim inspektimin e mënyrës së planifikimit të seancave gjyqësore dhe menaxhimin e shqyrtimit të çështjeve sipas kategorive përkatëse, në përputhje me afatet e vendosura nga dispozitat procedurale. Një faktor që ndikon në normën e pamjaftueshme të evadimit të çështjeve gjyqësore, siç e kemi evidentuar edhe në raportet tona të inspektimit tematik, është mosplotësimi i vakancave në gjykatat e shkallës së parë dhe në veçanti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Ky proces, siç evidentohet është i lidhur me mospërfundimin në kohë të procedurave të vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve. Në këtë kuadër, vlerësojmë të nevojshëm marrjen e masave konkrete për të rritur efektivitetin e këtij procesi duke orientuar dhe bashkëpunimin e Këshillave në aplikimin e standardeve uniforme të vlerësimit nën dritën edhe të orientimeve të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë.

Të nderuar deputetë!

Pavarësisht rezultateve të deritanishme, institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë konstaton, se sistemi i drejtësisë përballet me sfida të rëndësishme, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e tij. Efektiviteti dhe cilësia e sistemit të drejtësisë nuk janë në nivelin, që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Kjo është pjesë e procesit të konsolidimit të Reformës në Drejtësi dhe një përgjegjësi e të gjithë organeve tona, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, organet e qeverisjes së pushtetit gjyqësor, apo magjistratët gjyqtarë dhe prokurorë.

Një aspekt që kërkon vëmendje të veçantë është infrastruktura e pushtetit gjyqësor. Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, përfshirë sistemet e regjistrimit audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkiva, qarkullimi i dokumentacionit procedural dhe administrativ, apo sisteme teknologjie që mbulojnë procese të veçanta të punës së gjykatës apo prokurorisë, ndikojnë drejtpërdrejt, në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit apo zhvillimit të procesit të hetimit penal. Në disa raste, këto kushte kanë ndikuar edhe në sjelljen etiko-profesionale të magjistratëve, duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku. Për këtë arsye, investimi në infrastrukturë duhet të shihet si pjesë e pandarë e politikave për forcimin e pavarësisë, legjitimitetit dhe integritetit të pushtetit gjyqësor.

Ngarkesa e jashtëzakonshme e punës dhe numri i lartë i çështjeve gjyqësore, mbetet një ndër sfidat më serioze, që cenon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe të drejtat e shtetasve shqiptar në kuadër të një procesi të rregullt ligjor. Në këtë drejtim, kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithë organeve publike, si Kuvendi, Këshillat, Prokurori i Përgjithshëm, gjykata apo dhe zyrat e prokurorive për hartimin e masave konkrete për reduktimin e backlog-ut; rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e organikave, shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëkohësisht, vetë gjykatat dhe zyrat e prokurorisë duhet të hartojnë sisteme të prioritizimit të çështjeve, për të siguruar një trajtim më të shpejtë dhe të drejtë të dosjeve gjyqësore.

Sistemi llogaridhënës përbën gurin e themelit për një shtet të së drejtës. Vetëm nëse ky sistem funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, pushteti gjyqësor mund të organizohet mbi baza të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe legjitimiteti. Në të kundërt, një sistem përgjegjësie që funksionon vetëm në aspektin ndëshkues e jo parandalues, humbet rolin e tij edukues dhe kontribuon në uljen e besimit publik. Llogaridhënia e pushtetit gjyqësor duhet të perceptohet si një mekanizëm parandalues dhe përmirësimi, jo si mekanizëm intimidimi, ndërhyrje apo ndëshkimi.

Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të shihet thjesht në aspektin disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues. Qëllimi është të krijohet një kulturë e lartë etike dhe profesionale në sistemin e drejtësisë, ku ndjenja e llogaridhënies të jetë pjesë e vetëdijes së magjistratëve dhe jo një faktor i jashtëm. Nëse sistemi i përgjegjshmërisë, pra shkollimi ne Shkollen e Magjistratures, emerimet dhe promovimet e magjistrateve nga Keshillat, roli i gjykatave me te larta per rritjen e cilesise se vendimeve gjyqesore, etj,  funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, atëherë pushteti gjyqësor do të organizohet dhe do të funksionojë mbi baza të qëndrueshme profesionalizimi, legjitimiteti dhe të integritetit. Në rast të kundërt, nëse ky sistem nuk funksionon, aplikimi i sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve (pra, sanksionet) mund të jetë një mekanizëm dhe reagim i vonuar, duke mos luajtur një rol parandalues, por vetëm ndëshkues, si dhe duke sjellë si pasojë, jo vetëm cenimin e besimit të publikut në pushtetin gjyqësor, por edhe legjitimitetin apo autoritetin e këtij pushteti.

Ky është dimensioni i vërtetë dhe filozofia e një reforme legjitime në një sistem drejtësie: ndërtimi i një sistemi drejtësie, që vetërregullohet përmes integritetit të tij. Ky diskutim na çon drejt një dileme universale, që hasin shumë shtete: balancimi midis pavarësisë dhe llogaridhënies. Edhe në Shqipëri, ku sistemi i drejtësisë është ende në fazë konsolidimi pas reformimit të thellë institucional, ky ekuilibër kërkon kujdes të veçantë. Nga njëra anë, duhet të mbrohet pavarësia funksionale e magjistratit, si themel i shtetit të së drejtës, ndërsa nga ana tjetër, duhet të garantohet, që kjo pavarësi të mos shndërrohet në mungesë përgjegjësie.

Sfida më e madhe e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sot është ruajtja e pavarësisë së tij institucionale dhe sigurimi i një roli konstruktiv në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Jo si nje loje fjalesh dhe jo si mburoje per paligjshmerite eventuale qe mund te kryeje sistemi. Por, si nje parim i rendesishem per te ardhmen e vendit, si  nje parim qe tregon se sistemi llogaridhenes ndaj magjistrateve nuk eshte zgjedhje apo emocion, aq me pak i Inspektorit te Larte te Drejtesise. Por, eshte parim mbi te cilin bazohet nje shtet ligjor. Në një kontekst ku ndërhyrjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj gjyqësorit nuk janë të panjohura, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin të dëshmojë integritet, transparencë dhe paanshmëri, në çdo vendimmarrje. Ky është një proces i ndjeshëm, ku institucioni duhet të veprojë si mbrojtës i parimeve të drejtësisë, por jo si faktor që ndikon, apo orienton vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Në këtë proces, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të vijojë të zbatojë me përkushtim, standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, si dhe të jetë garant i ekuilibrit midis pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor shqiptar.

Sot po përballemi me një paqartësi mbi rolin dhe funksionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që nuk rrjedh vetëm nga qytetarët, të cilët nëpërmjet ankesave të paraqitura në ILD pretendojnë zgjidhje të mosmarrëveshjeve gjyqësore, ndërhyrje në procese gjyqësore, apo ndikim në vendimmarrje gjyqësore, por haset edhe në kuadër të pretendimeve të shumta nga rrethe të tjera publike, ku përfshihen aktorët politikë, media apo dhe vetë organet të tjera publike.

Ky fenomen kërkon një adresim në aspektin sistemik. Një rëndësi thelbësore në garantimin e një sistemi cilësor drejtësie ka edhe Gjykata e Lartë, si organi më i lartë në piramidën e hierarkisë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve, por dhe në sigurimin e shmangies së divergjencave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon një vëmendje të veçantë nga ana e Gjykatës së Lartë, për të ushtruar rolin e saj njehsues, në vendosjen e standardeve dhe praktikave të qëndrueshme.

Njëkohësisht besoj, se procesi i edukimit ligjor të publikut, përbën një parakusht të domosdoshëm për konsolidimin e besimit në drejtësi. Një publik i informuar, i ndërgjegjshëm dhe aktiv është partneri më i vlefshëm i institucioneve të drejtësisë. Këtu një rol thelbësor duhet të luajë edhe Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, në kuadër të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut.

Nëse qytetarët nuk e kuptojnë rolin e institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, kufijtë e kompetencave të institucioneve dhe mekanizmat e ankimit, sistemi i drejtësisë rrezikon të perceptohet si i mbyllur dhe i pakuptueshëm. Sot po përballemi më një situatë shqetësuese, ku faktorët, të cilët kanë ndikuar në krijimin e saj mund të jenë të ndryshëm. Por mungesa e reagimit dhe marrjes së masave nga ana jonë për të parandaluar këto fenomene negative mund të sjellin pasoja të rënda, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për vetë shoqërinë tonë. Për këtë arsye, personalisht mendoj se të gjitha organet tona duhet të vijojnë më tej përpjekjet dhe të investojnë në transparencë, edukim ligjor dhe komunikim publik, duke e bërë drejtësinë më të afërt me qytetarin, më të qartë në funksionet e saj dhe më të besueshme në rezultatet që prodhon apo qe ka detyrim ligjor te prodhoje.

Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ofron angazhim maksimal, që të zhvillojë një kulturë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, ku të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë si KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës, apo dhe organet e tjera, si Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, të punojnë mbi plane veprimi strategjik të përbashkëta për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Ky proces kërkon vizion afatgjatë, plan të strukturuar zbatimi dhe një vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve, në mënyrë që çdo rekomandim të shndërrohet në realitet institucional. Rruga drejt një sistemi drejtësie efikas dhe të qëndrueshëm kërkon bashkërendim institucional, transparencë dhe respekt të parimit të ndarjes së pushteteve. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, mund të garantojmë një sistem drejtësie që i shërben qytetarit. Vetëm në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare do të mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie.

Ju faleminderit!

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat