21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Kolos i fshehur i letrave shqipe/ Kush është Mitrush Kuteli mjeshtri i realizimit magjik

Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrëfimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare  

Kuteli lindi me 13 shtator 1907 në Pogradec, ku mori dhe mësimet e para. Studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934; mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë.

Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Mbrojti të drejtat e Rumanisë në kundërshtim me interesat e “aleatit gjerman dhe për pasojë e mobilizuan në ushtri dhe e dërguan ne frontin e Lindjes. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij.

Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largue nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan si “Armik i Popullit” me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Dosja e akuzës kundër tij është zhdukur. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.

Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

VEPRA E MITRUSH KUTELIT

  • “Rrjedhin lumenjtë”
  • “Vjeshta e Xheladin Beut”
  • “Lasgush Poradeci” (1937)
  • “Net shqiptare” (1938)
  • “Pylli i gështenjave” (1958)
  • “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)
  • “Sulm e lotë” (1943)
  • “Shënime letrare” (1944)
  • “Havadan më havadan” (1944)
  • “Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)
  • “Dashuria e berberit Artan” (1946)
  • “Xinxifilua” (1962)
  • “Tregime të moçme shqiptare” (1965)
  • “Tregime të zgjedhura” (1972)
  • “Baltë nga kjo tokë” (1973)
  • “Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)
  • “Këngë e britma nga qyteti i djegur”
  • “E madhe është gjëma e mëkatit”

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat