Njëlloj si protestat e mëparshme edhe sot tubimi i opozitës (22 mars), vijoi për gati rreth 3 orë, ku u shoqërua me tensione, hedhje të fishekzjarrëve e molotovëve, dhe nga ana tjetër policia që u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, spray si edhe me ujë. Fillimisht nisi marshimi nga selia blu, ku Berisha ndiqej nga mbështetësit dhe iu drejtuan Kryeministrisë.
Në protestë, përveç flamurit shqiptar, qytetarët mbanin në duar flamurin gjerman dhe atë të BE-së. Një simbolikë kjo, pas akuzave ndaj PS-së se ka bllokuar integrimin me vendimin për të mos ia dorëzuar Belinda Ballukun, SPAK-ut.
Skenari ishte i njëjtë, ku nisi hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve, ndërsa vijuan edhe drejt Ministrisë së Brendshme dhe Infrastrukturës.
Më tej, protestuesit kanë hedhur molotovë drejt automjeteve të policisë të dislokuar përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë dhe pranë selisë së Partisë Socialiste.

Uniformat blu kishin krijuar kordonin bllokues për protestuesit tek rruga pranë Policisë së Tiranës. Protestuesit ndërruan itinerarin e rrugës pas këtij bllokimi teksa vijonin të hidhnin molotovë tek koshat e mbeturinave dhe stacionet e autobusëve.
Berisha lëndohet nga policia
Gjatë protestës u lëndua edhe Sali Berisha, 4 efektivë të policisë, si dhe disa qytetarë. Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa qytetarë, ndër to edhe 3 të mitur.
Protestuesit opozitarë iu drejtuan Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI), por policia nuk i lejoi, duke bërë që të kishte edhe përplasje.
Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit e revoltuar hodhën molotovë drejt autobotit të ujit.
Në këtë moment, Sali Berisha u ndje keq pasi u sulmua me spray në fytyrë nga policia dhe u deshën rreth 15 minuta që të merrte veten dhe ti rikthehej sërish marshimit.

Deputetët e PD-së Luçiano Boçi dhe Flamur Noka debatuan me efektivë të policisë te ura e Rrugës së Elbasanit pasi këta të fundit hodhën spraj lotsjellës dhe ujë në drejtim të Berishës.
Pas përfundimit të protestës së opozitës, Sali Berisha mbajti një fjalim para mbështetësve në selinë blu. Berisha shprehu mirënjohjen e tij për protestuesit, duke theksuar se qëndresa e tyre e ka nderuar edhe më shumë përvjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste 34 vite më parë.
Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama të japë dorëheqjen duke nënvizuar se do “të përfundojë në Lanë”.
“Përdorin ligje dhe mandate krimi për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Qendresa jonë dhe ndëshkimi ynë…Ata do të përfundojnë në lanë, në koshat e plehrave . E patë vetë si na kishin rrethuar, por a ka rrethim që na pengon ne? Kurrë. Edi Rama jep dorëheqjen se do të tërheqim ashtu siç nuk ta pret mendja.”, tha ai.
Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës. Ai tha se shumë shpejt do të ketë një tjetër protestë duke mos dhënë ende një datë.

