Asnjë surprizë, Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër heqjes së imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK i cili kërkon ta arrestojë. Kërkesa mori 47 vota pro, 0 abstenim dhe 82 vota kundër. 82 votave të maxhorancës iu bashkuan votat e PSD-së së Tom Doshit, ndërsa në sallë munguan deputetët socialistë Fatmir Xhafaj, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Eduard Shalsi e vetë Belinda Balluku.
Ndërsa mazhoranca me shumicë kartonësh rrëzoi kërkesën e SPAK, opozita e cila voti pro arrestimit protestoi edhe brenda Kuvendit, përveç protestës që po mbahet jashtë.
Kreu i Kuvendit Niko Peleshi e kaloi seancën në rendet e ditës, por opozita vijoi të protestonte dhe më tej zuri foltoren të rrethuar edhe nga punonjësit e Gardës.
Një pjesë e deputetëve godisnin tavolinat, të tjerët, me në krye kreun e PD, Sali Berisha, dolën në podiumin e foltores duke protestuar dhe hedhur akuza ndaj qeverisë dhe socialistëve.
Delegacioni i BE-së
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas rrëzimit nga Kuvendi të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Pas Rama nuk e dorëzoi Ballukun, delegacioni i BE rithekson rëndësinë e garantimit të kushteve që Prokuroria e Posaçme të kryejë në mënyrë efektive detyrën e saj, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”, thuhet në reagimin e BE.
Ambasada gjermane: Goditja e korrupsionit, kusht për integrimin
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë Tiranë ka reaguar me kritika për mbrojtjen që Rama po i bën Ballukut duke deklaruar se goditja e korrupsionit në rangun e lartë është kusht për integrimin.
“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.”– thuhet në deklaratë.
Ambasada e Holandës: Drejtësia nuk duhet të pengohet
Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë, i cili rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Holanda thekson se një nga kushtet kyçe për integrimin në BE të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe rastet që përfshijnë nivelet më të larta.
Ambasada pret që sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Gjithashtu theksohet se politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar që ky proces të zhvillohet në mënyrë të papenguar.


