4.5 C
Tirana
Saturday, March 7, 2026

Kosova nuk e zgjodhi dot Presidentin, Vjosa Osmani dekreton shpërndarjen e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi gjatë një konference të jashtëzakonshme se ka nxjerr dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”. “Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani. Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.

“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani. Ajo ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin” tha Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani i ka bërë këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri. Procesi ka dështuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Pas dështimit të procesit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Mbrëmë në orët e vona është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për zgjedhjen e presidentit të vendit, pasi nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zhvillimin e procesit të votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sqaroi se në raundin e parë dhe të dytë të votimit duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Për shkak të mungesës së këtij numri deputetësh në sallë, seanca u ndërpre pa u zhvilluar votimi për zgjedhjen e presidentit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat