Izraeli ka ndërmarrë një “sulm parandalues” ndaj Iranit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, sipas ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz. Pas operacionit ushtarak, në të gjithë territorin izraelit është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për një kundërpërgjigje të mundshme nga Teherani me dronë dhe raketa balistike.
Sipas raportimeve të CNN, sulmi izraelit është koordinuar me Shtetet e Bashkuara. Dy zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar për median se edhe SHBA po kryen sulme ndaj objektivave iraniane. Njëri prej tyre i ka përshkruar operacionet si “jo një sulm i vogël”, duke theksuar se ato janë ende në zhvillim.
Burime izraelite bëjnë me dije se në shënjestër të sulmit kanë qenë raketa balistike dhe lëshues raketash, të cilat Tel Avivi i konsideron si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Ministria izraelite e Transportit njoftoi mbylljen e menjëhershme të hapësirës ajrore, ndërsa Komanda e Frontit të Brendshëm urdhëroi qytetarët të kufizojnë lëvizjet dhe të kryejnë vetëm aktivitete thelbësore.
Masat përfshijnë ndalimin e grumbullimeve publike, pezullimin e procesit mësimor dhe kufizime në vendet e punës, me përjashtim të sektorëve që konsiderohen jetikë për funksionimin e shtetit.
Media izraelite vritet Lideri suprem Khamenei
Mediat izraelite raportojnë se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë pas sulmeve të ndërmarra mëngjesin e së shtunës ndaj objektivave në Teheran. Sipas raportimeve, kontaktet me të janë ndërprerë, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane.
Sipas burimeve izraelite, ndër objektivat e goditura ka qenë edhe kompleksi rezidencial i Khameneit në kryeqytetin iranian, si dhe dhjetëra objektiva të tjera ushtarake dhe institucione shtetërore.
Një zyrtar izraelit, i cituar nga mediat, ka deklaruar se në shënjestër të operacionit kanë qenë edhe presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, si dhe komandantë të lartë të ushtrisë dhe strukturave të sigurisë.

